Përmbytja e përmbajtur

08/01/2010 at 10:16 Leave a comment

Prag katastrofe, apo asgjë për t’u alarmuar? Përmbytjet e fundit në zonën e Shkodrës janë të frikshme, të vështira t’iu kuptosh shkallën e  rrezikut, dhe akoma më të vështira për të parashikuar se ç’mund të ndodhë.

Kryeministri mendon se gjendja është në prag katastrofe dhe zgjidhja që gjen është ajo që di të bëjë shkëlqyer çdo shqiptar i devotshëm; delegon kompetencën (me gjithë përgjegjësitë që mbart). Pra, urdhëron ngritjen e një komiteti ndërministror për emergjencën civile. Ç’bën ky komitet? Mbledhje. Dhe lëshon urdhra. Urdhra që lëshohen e delegohen nga maja në majë, e në fund katandisen në thirrje për evakuim dhe urdhërim të forcave të ushtrisë për të shpërndarë ushqime.

Menjëherë kundërpërgjigjet e indinjuar opozita, që është e bindur se fajin për shiun e ka Berisha. Për mungesën e mirëmbajtjes dhe mirë-funksionimit të hidrocentraleve nuk mund ta ketë ai, se në 20 vjetët që inxhinierët thonë se nuk janë kontrolluar portat, nuk ka qenë vetëm Berisha në pushtet (pavarësisht prezencës në politikë).

PS hap një llogari bankare. Edhe qeveria e hap. Dhe kryeministri thotë se do të transferojë në të një rrogë të plotë. Çështja nuk ngelet dot pa u politizuar. Berisha shton se banorët e zonave të përmbytura nuk do të kenë të njëjtin fat si banorët e Tiranës kur shpërtheu diga e liqenit artificial.

Po ky shpërthimi që rrezikon Drini është natyral. Nga ata që s’e parashikojmë dot hiç, se për ta përballuar as që bëhet fjalë.

Ngjarja është e veshur me paradokse. Sikur të mos mjaftonte rreziku i madh për banorët, shtohet edhe paniku që përhapet nga media. Në edicionet e lajmeve të televizioneve të majta, kishte garë për të transmetuar ujë, prurje, derdhje, çizme, transmetime “heroike” e pamje të montuara (edhe pse s’është e nevojshme), nga zonat që çdo minutë po e kalojnë pothuajse në ankth.

Edicionet ishin alarmante dhe pothuajse tragjike, duke i hapur dhe mbyllur kronikat me kritika ndaj qeverisë. Absurditeti qëndron tek marketingu politik që kërkojnë të bëjnë mediat edhe me gjendje të tilla.

Politika nga ana e saj duket sikur ka rënë dakord me fytyrën prej palaçoje në përgjegjësinë ndaj qytetarëve, e edhe në këtë rast, nuk lë minutë pa shfrytëzuar që ta personalizojë, deformojë e çnjerëzojë situatën, duke u munduar të sulmojë apo përfitojë sa më shumë prej saj.

Kjo është fatkeqësi për ata mijëra banorë që flenë në ujë, mbi ujë, apo duke pritur që uji t’i marrë me vete. Dhe nuk është shumë e thjeshtë t’i bindesh thirrjeve e urdhrave për evakuim. Të shpërngulen për të shkuar ku? Cila derë do mbajë nga gjashtë e nga dhjetë njerëz që ka çdo familje? Cili është plani që ka qeveria kur lëshon thirrje për evakuim? Bën shumë mirë, po si dhe ku do t’i akomodojë të shpërngulurit?

A ka ndonjë alternativë për këtë opozita? As sot, as për 10 vjet të tjerë jo. Se nuk ka pasur as para pesë vitesh kur ishte në pushtet, por që për fatin e saj të mirë, nuk ra shi t’iu provonte këllqet.

Por, duket se situata politizohet sepse po të mos shndërrohet në luftën e zakonshme politike, askush nuk është në gjendje të merret me të vërtetën e saj.

Gjendja është kritike. Dhe nuk ka as KESH, as qeveri, as PS t’i bëjë ballë Drinit, Fierzës  apo Komanit.

A pyet vërshimi i tërbuar i ujit se kush është përgjegjësi për mos-mirëmbajtjen apo kontrollin e sigurisë nëpër diga e hidrocentrale? A do t’ia dijë natyra se Shqipëria nuk ka më inxhinierë, specialistë, njerëz që dinë të punojnë e të merren me lumenjtë, sepse postet prej 20 vjetësh janë partiake e jo siç e kërkon vendi (në këtë rast tërbimi i ujit)? A ka logjikë të flasësh për fajtor në një situatë që as nuk prishet, as nuk ndreqet për katër vjet pushteti?

Situata është në gjendjen që është sepse rotacion pas rotacioni, pushtetarët as që e kanë vrarë mendjen për ndodhi të tilla. Edhe sot që iu është kthyer natyra kundër, palët sërish vazhdojnë t’i kthehen njëra-tjetrës.

Përmbytjet mund të jenë vërtet masive. Edhe shfaqjet televizive të politikës me vizita disa minutëshe në vend-ngjarje po ashtu. Ama mësimi që do të nxjerrë politika nga to, vështirë të jetë i dobishëm.

Natyra e ka seriozisht punën e saj. Politika mendon akoma se me akuza dhe kundër akuza, edhe kjo punë, do të kalojë paq.

Ashtu qoftë. Por vërshimi i ujit njeh vetëm pengesat që i vihen pas viteve të tëra studim zone, pune nëpër kaskada, kontrolle sigurie e masa të rrepta mirëmbajtjeje; pra, punë të vërtetë. Këtë, dikush duhet ta bëjë katër vjeçar pas katër vjeçari politik.

Po nëse këtë radhë vërshimi ujit do ta mbajë furinë, do ndodhë vetëm sepse përgjegjësit që ai kërkon të marrë me vete, nuk jetojnë as në Shkodër, as në Lezhë!

Entry filed under: Koment. Tags: .

Arsimi fitimprurës, jo vetëm financiarisht Politika nuk mban më ujë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
January 2010
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: