Politika nuk mban më ujë

13/01/2010 at 20:55 Leave a comment

“Niveli i ujit po ngrihet;  niveli i ujit po ulet”. Vigani, shkurtabiqi. Nuk është shaka. As nuk është lojë fjalësh. Kjo vazhdon të jetë mënyra se si media të ndryshme në Shqipëri pasqyrojnë lajmet dhe ecurinë e fatkeqësisë me përmbytjet në veri të vendit. Më keq se kaq, pa pikën e përgjegjësisë publike mediat vazhdojnë të pasqyrojnë aktivitetin ditor të politikanëve në zonat e përmbysura, më shumë sesa të kërkojnë apo shtyjnë për gjetjen e një zgjidhjeje (jo vetëm afatshkurtër).

Edhe vetë brenda tyre, kolegët mediatike kanë filluar të vënë në lojë devotshmërinë abuzuese për të raportuar të futur në ujë sa për shfaqje publike, apo për të treguar zellin ndaj punës. Por, vërtetësinë e prag-katastrofës, akoma nuk po e përballon kush hapur.

Ministri i Energjetikës është bërë politikani i muajit, teksa vetëm në 10 ditë ka dalë në ekran shpesh sa për 10 vjet. Por ndonjë fije përgjegjësie në fjalët e tij, akoma nuk është dëgjuar.

Po ashtu edhe nga përfaqësuesit e tjerë të qeverisë; nga ata që iu ra guri të jenë pjesë e komitetit ndërministror të emergjencës. Kurse pjesa që ka shpëtuar nga ngarkimi zyrtar i përgjegjësisë, se ku është fshehur këtë fillim viti, akoma nuk dihet.

E gjithë situata e përmbytjeve në Shkodër dhe  rrethinat e saj është kthyer në ngjarjen e ditës, por fatkeqësisht, pa i shpëtuar politizimit apo përdorimit të saj mediatik që nga dita e parë.

Sigurisht ka filmime të guximshme, raportime të qarta, kronika rrëqethëse, përkushtim gazetaresk. Por këto janë sporadike si raste, dhe në shumicën e herëve, janë të mbytura nga politika redaksionale që mbizotëron në kanalet televizive kombëtare në Shqipëri.

Është qesharake dhe tallje e hapur me publikun që të shohësh dy edicione kokë më kokë në 19.30, ku njëri thotë: “Po mbytet Shkodra” e tjetri “Ulet niveli i Fierzës. Përmirësohet gjendja në veri”.

Kë të besojmë? Sigurisht, duhet bërë kontrolli me kanalet e tjera televizive, por ka besnikë të televizioneve kombëtare, ashtu siç edhe ka detyrim të këtyre televizioneve vetë që të përcjellin informacion të saktë, të plotë dhe të pa deformuar.

Në situata si ajo e tanishmja me përmbytjet në vend, është shaka shumë e tepërt të luash me parimet e gazetarisë, e të bësh interpretim të fakteve, kur kamera shpesh nuk ka nevojë fare për gazetar. Gazetarët dhe pyetjet redaksionale duhet të thellohen tek ekspertiza, për të sqaruar c’e solli ujin deri në Shkodër, e si do të parandalohet kjo në muajt në vijim?

Edhe për këtë sqarim janë bërë përpjekje, por aq sporadike, konfuze dhe të politizuara, sa është e vështirë të besosh se c’thuhet në media.

Disa gazeta, edhe thënien e një njeriu të vetëm e kishin interpretuar sipas interesit partiak. Njëra thotë “Portat punojnë”, tjetra thotë “Portat janë ndryshkur”. Të  dyja i referohen të njëjtit burim informacioni, dhe një deklarate të bërë nga i njëjti zyrtar.

Përmbytja nuk ka nevojë për politizim. As për mediatizim. As për diskutim.

Nuk mund të peshohen aftësitë raportuese, analitike apo mediatike me prova të tilla. Ato vendim-marrëse po, peshohen dhe përcaktohen qe c’ke me të. Dhe roli i medias në këtë rast duhet të ishte pikërisht ky: të nxisë politikën të marrë vendime dhe të veprojë çdo minutë me ngjarjen; pikësëpari për normalizimin e saj, e më tej,me hartimin dhe zbatimin e ndërhyrjes në pikat e nevojshme, që Drini, Buna, Fierza e Komani të mos këndojnë më të gjithë bashkë në kor.

Sigurisht që politika do vazhdojë të hedhë shashkat e akuzave edhe me këtë fatkeqësi, sepse situata është shumë kritike dhe marrja seriozisht e saj në sy të publikut, e fundos fare politikën tonë të salloneve e te konferencave të shtypit. Ama pak integritet media në këtë rast duhet ta tregojë.

Të gjithë bashkë, solidarë për njerëzit në zonat e përmbytura, dhe denoncues të papërgjegjshmërisë politike.

Asnjë lajm tjetër nuk duhet të japë asnjë media në shenjë rebelimi për mungesën e përgjegjësive politike. Por fatkeqësisht, të gjitha varen nga ajo. Jo nga uji që Drini herë e sjell në Fierzë, e herë tenton ta çojë në Ohër.

Po përse u politizua kaq shumë edhe përmbytja? A mban më ujë politika?

Vendi drejtohet akoma nga të njëjtët njerëz që kanë përjetuar nga brenda 1991-in, 1997-ën, 1998-ën, 15 marsin e 2007-ës, e sërish, të gjithë aty janë, më të suksesshëm se asnjëherë.

Do të dalë edhe përmbytja pa fajtorë e pa asnjë masë për të ardhmen? Me shumë gjasa po.

Ndryshimi i vetëm nga fatkeqësitë e mëparshme, është së këtë radhe, media është më e pranishme dhe se kurrë më parë. Prej kamerave të saj, kemi parë pothuajse çdo pikë të derdhur mbi Shkodër. Por gjithmonë i kemi parë shoqëruar me tekste politikë, ose me figura “politike”, që në vend që të pranojnë përgjegjësi, vazhdojnë të fajësojnë hijet kundërshtare.

Rozafa kërkoi një sakrificë për të ndenjur në këmbë. Përmbytja kërkon vetëm një gjest përgjegjësie. Po të ndodhte, bashkë me ujin, do largoheshin edhe shumë ngërçe të tjera, që vendit ia mban peng politika që nuk di të tërhiqet, e ndihmuar nga media, që është mëkuesja e saj.

Entry filed under: Koment, Media, Politikë. Tags: .

Përmbytja e përmbajtur Haiti, larg Tiranës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
January 2010
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: