Haiti, larg Tiranës

14/01/2010 at 16:01 6 comments

Numri i viktimave varion nga 100 mijë në 150 mijë njerëz. Të prekurit nga tërmeti, të pastrehët, të plagosurit dhe të dëmtuarit mendohet të jenë rreth 3 milionë. Janë njerëz. Dhe fatkeqësia që iu ra mbi kokë ndodhi në Haiti.

Ç’është Haiti? Vend është. Shtet ishullor në Karaibe. 80 km larg Kubës. 150 larg Amerikës. Sipërfaqen e ka ca kilometra më të vogël se Shqipëria, pra 27.500 km². Popullsinë e ka pothuajse trefish, me 8.4 milionë banorë në ishullin e ndarë në dy shtete; Haiti i varfër, dhe Republika e pasur Domenikane.

Tërmeti ra të martën në mbrëmje në kryeqytetin e vendi. Magnituda 7 e shkallës Rihter. Epiqendra, 6 km nën tokë, pikërisht poshtë kryeqytetit të vendit, Port Prince.

Vendi është në kaos të plotë. Në çdo faqe interneti dhe në çdo edicion lajmesh kudo në botë, shikon pamje të pabesueshme shkatërrimi, dhimbjeje, trupash të vdekur nëpër rrugë, copëza jetësh nën masive betoni e ndërtesash të rrëzuara përdhe.

100 mijë viktima. Të paktën 100 mijë. Kështu tha zyrtarisht kryeministri i vendit kur më në fund, linjat satelitore dhe transmetuesit televizivë mbërritën në kryeqytetin e shkatërruar.

Si të gjitha kryeqytetet e botës, Port Prince ishte i mbipopulluar. Rreth dy milionë njerëz banonin në të natën e tërmetit, e një milionë të tjerë në rrethina. Prandaj është prekur keq pothuajse një e treta e popullsisë.

Haiti është vend i varfër. Dëshpërimisht i varfër. Në indeksin e OKB-së për zhvillimin njerëzor renditet në vendet më të varfra në botë. Në hemisferën perëndimore është pa asnjë dyshim më i varfri.

Dhe tërmeti ra pikërisht atje; në kryeqytetin e 7 universiteteve dhe shkollave që mbahen në këmbë nga fondacionet. Në vendin që mezi mbijeton me eksportin e kafes dhe të mangos. Në republikën e shkretë haitiane, që ka 200 vjet nën luftë e rebelime.

Eshtë vendi i parë i kolonizuar në botë që e ka fituar pavarësinë falë një kryengritje skllevërish. Ndodhi në 1802-in. Për të përzënë shfrytëzuesit francezë, u humbën plot 100 mije jetë haitianësh. Për disa vjet rebelim. Po kaq jetë i mori tërmeti për një ditë të vetme në Haiti, vendin ku që prej shpalljes së pavarësisë, kanë ndodhur 32 grushte shteti.

Fatkeqësitë janë ulur këmbëkryq në vendin ku me largimin e kolonizatorëve, gjuha e tyre u bë ajo zyrtare. Frëngjishtja lind me çdo haitian edhe pas 200 vjetësh pavarësi. Dhe i shoqëron në të gjitha përpjekjet e tyre të dëshpëruara për t’u zhvendosur në Kanadanë frëngjisht-folëse në Quebec, apo në ëndrrat e tyre të ndaluara për t’u edukuar në Francë.

Tërmeti ra në kryeqytet. Mes të vdekurve është edhe kreu i misionit të OKB-së në Haiti, edhe kardinali katolik i vendit, edhe kryetari i parlamentit, edhe kreu i misionit “mjekët pa kufi”. Tërmeti nuk ka përzgjedhur. Ra, dhe vuri nën rrënoja këdo që gjeti brenda. Të paktën 100 mijë viktima.

Ngjarja është tragjike. Nuk ka mjet informativ në botë që të mos e ketë në ballë të lajmeve. Vërshime mesazhesh dhe ndihmash qoftë edhe nëpërmjet sms-ve po përcillen në gjithë botë.

Kurse në Shqipëri, tragjedia e tërmetit në Haiti mezi e kapi një 50 sekondësh tek “lajmet nga bota”, apo një 10 radhësh në faqet periferike të gazetave.  Në faqet shqiptare në Internet, lajmi mezi shihet, ose nuk jepet fare.

Kemi shqetësimin tonë me Shkodrën dhe përmbysjen. Vërtet. Por më shumë se aq, kemi hallin e deklaratave politike edhe për ujin, e për politikanët pa të cilat, jeta jonë s’paska kuptim.

Po a mund të injorohet kaq hapur tragjedia e tërmetit dhe 100 mijë viktimat? Të jenë budallenj gazetarët e gjithë botës që e kanë lajm të parë? Të jenë shushatur njerëzit anëembanë globit që të paktën për disa minuta në ditë, mendojnë apo reflektojnë për tragjedinë e Haitit, apo edhe bëjnë ndonjë përpjekje solidarizimi, qoftë edhe më një sms?

Po çfarë duhet të ndodhë që të na bëjë përshtypje këtu në Shqipëri? Po sikur tërmetet e rëna dy herë fund-vitin e kaluar në Tiranë ta kishin magnitudën e tërmetit në Haiti? Arsyeja kryesore e përmasës së tragjedisë ishte struktura e paqëndrueshme e ndërtimeve në kryeqytetin Port Princ, si edhe mënyra se si ndërtesat janë vendosur bri njëra-tjetrës që në themel, apo në mungesë të plotë përputhshmërie të lartësisë me mundësinë e përballimit që ka themeli.

Sa ndryshe është Tirana nga Port Princi? Sa më fatlume qenka Shqipëria në krahasim me Haitin? Po humanizmi, ku të na ketë ngelur?

Pas dështimit mediatik për të pasqyruar me humanizmin që i takonte rrëzimin e  avionit Air France Qershorin e kaluar mbi Paqësor, ku bota fliste për 250 viktima, e televizionet shqiptare bënin luftë me mullinjtë e politikës e fushatës, rasti tragjik i tërmetit në Haiti vjen akoma më tronditës. Si mund të neglizhohet kaq hapur humanizmi? Dhe pse shqiptarët i binden kaq lehtë mungesës së tij, njëlloj si në media?

www.networkforgood.org/help-haiti-quake-relief është adresa ku janë listuar të gjitha organizatat që mbledhin dhe shpërndajnë donacione për të prekurit nga tragjedia në vendin më të varfër të hemisferës perëndimore.

Kurse HAITI është emri i vendit ku ndodhi tragjedia. Nuk ka fare nevojë të kërkosh në google. Çdo faqe interneti e ka në krye të saj, të parin lajm.

Vetëm në faqet shqip jo.

Shyqyr që ndodhet larg Haiti. Të paktën gjeografikisht!

Entry filed under: Media, Sociale. Tags: .

Politika nuk mban më ujë Kur mbytesh pa plan

6 Comments Add your own

  • 1. J.  |  15/01/2010 at 02:42

    O Eda, ndërroje foton😦.

  • 2. ana  |  16/01/2010 at 20:50

    Shume e trishte….

  • 3. edrus  |  17/01/2010 at 09:08

    J, perversiteti i mëndjeve të sëmura shqiptare (i parë mjaft qartë në ndjekjejen e zellshme dhe diskutimet apasionante të Big Brother-it) mund të ngacmohet në këtë rast vetëm nëpërmjet fotografive të tilla.
    Ka makabritet në realitetin që përfaqson ajo foto, por është vërtet simbol i katastrofës që pësoi ai vënd fatkeq dhe ajo popullsi e mjarë.

    Përsa i përket indiferencës mediatike shqiptare, duket qartë që në Shqipëri bashkë me pelenat kanë hedhur edhe foshnjën… çdo ndjenjë solidariteti apo dhimbjeje ndaj të përvuajturve, e shoqërojnë automatikisht si mentalitet komunist dhe si të tillë as që duhet të prekë ndjeshmërinë e “njeriut të ri” kapitalist😦

  • 4. edliragjoni  |  17/01/2010 at 17:13

    J.
    Nuk nderrohet fotoja. Te tjerat jane po njelloj….ashtu sic ishte termeti.
    Te mjeret ata…..
    ….dhe te mjeret ne ketej ne Shqiperi, qe nuk na kane ngelur me sy, as ndjesi… : ( Politika dhe media na kane c’njerezuar…!

  • 5. Robin  |  18/01/2010 at 17:56

    Bravo Eda!

  • 6. Antigoni  |  19/01/2010 at 22:23

    Nuk i ndjek mediat shqiptare..po me kete pershkrim qe ke bere, jam shume e lumtur qe jam jashte dhe mund te informohem per shume ngjarje qe mesa lexova ketu, injorohen komplet…
    Babait tim nuk ia heq dot njeri racionin e lajmeve shqip te cdo kanali…sepse tanime i eshte bere vetem zakon te degjoje te gjitha budallalleqet qe thuhen aty, ama per lajmet e verteta, shikon kanalet e huaja.
    Une shpresoj qe te rinjte te nderrojne mjet informimi…te lexojne e te degjojne shtypin e huaj apo interneint…dhe te vizitojne sa me shum kete blog ..Sei bravissima!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2010
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: