Realiteti i terrtë Gramozar

21/01/2010 at 20:40 5 comments

Reali, Gramozi, dritat, gjeneratori, shkarkimi i drejtorit të stadiumit, ndërrimi i emrit të stadiumit, Taci, Baze, euro, shumë euro, errësira, prapë Gramozi, prapë Reali. Shumë ngjarje për sportin në një ditë vetme. Dhe për më tepër, i shkreti sport ishte vetëm shkak.

2 milionë e gjysëm euro për Realin e Madridit. Në fakt gjynah, se edhe në ligën spanjole s’po u ecën shumë këtë vit. Bravo i qoftë Tacit, e nxorri skuadrën e Perez-it nga plogështia (financiare).

Po ngjarja është vërtet unike. Ngado që ta kapësh, s’të lë as pa gaz, as pa lot.

Lum Gramozi. Të paktën tifozët e Realit tani e dinë që në një cep të globit, diçka që quhet Gramoz është skuadër futbolli. Ku? Diku!

Po më shumë lum Erseka. Pas suksesit të televizionit të saj në një shfaqje televizive, Erseka fiton tani famë edhe me futbollin. Ku bie Erseka? Sa larg është nga Korca? A bën ftohtë në Ersekë? Pse nuk shkojmë në Ersekë fundjavën tjetër? Apo e lëmë kur të dalë pranvera?

Gramozi i Ersekës! Ç’do të kishte bërë klubi me 2 milionë e gjysëm euro? Në fakt, as për të bërë stadiumin s’mjaftojnë, kështu që, më mirë që i mori Reali. Të pinë një kafe për qejf cunat.

Po goli? Edhe udhëhoqën për disa minuta të mira ndaj Realit. S’ishte problemi tek barazimi. Inatin e vërtetë, ersekasit dhe më gjerë e patën me ikjen e dritave. Si ore ikën ato të flamosura pa pikë turpi?

Cili turp është më i madh? Që ikën dritat, apo që u paguan 2.5 milionë euro për t’u bërë qesharakë në sy të botës, duke filluar nga vetë Reali?

Ndeshja ishte parashikuar të luhej që në Dhejtor, dhe atëherë organizatorët nuk e dinin as që do binte shumë shi, as që do shkrinte e gjithë bora, as që veriu i Shqipërisë do të kthehej në liqen, e as që qeveria do të jepte fleta lavdërimi vetvetes për kapërcimin me shumë sukses të përmbytjeve në veri.

Por, ja që gjendja është pak e nderë dhe talljet politike e futbollistike bëhen të hidhura  për t’u kapërdirë.

A ka vend që të luhet një ndeshje kaq qesharake në situatën dramatike që deri para pak ditësh ishte “prag katastrofe”? A mund të tolerohet shpallja hapur e derdhjes së një shume aq marramendëse parash për karshillëk, kur në zonat e përmbytura në veri, njerëzve iu shpërndajnë bukë me mjete lundruese?

Nuk ka vend të kritikosh apo paragjykosh iniciativat personale të një të pasuri post-modern, por kur vend-jetimi i tij qëllon të jetë më zi se post-kolonialët që goditen nga tërmetet, veprimet të nxisin të reagosh, qoftë edhe duke bërë një shkrim.

Situata nuk ishte e njëjtë kur Milani erdhi në Shqipëri. Jo vetëm për mënyrën e servirjes dhe kundërshtarin  e përzgjedhur, por edhe vetë Shqipëria notonte në politike atëherë, por jo në ujë.

Ikja e dritave irritoi shumë tifozët dhe organizatorët, po më shumë se të gjithë irritoi median dhe politikën. Sikur ndeshja të kishte rëndësi kyçe për fatet e kombit, mediat nxituan të flasin për fajtorë, të shkarkuar e tradhtarë që turpëruan kombin.

Politikanët dolën me dekoratat e tyre të zakonshme për shtyp dhe  akuzuan shumë të nxehur e të fyer pa-aftësinë e qeverisë për të mbajtur dritat ndezur. Kjo e paska fikur përfundimisht imazhin e Shqipërisë, dhe ka errësuar fare shanset e liberalizmit të vizave dhe integrimit në BE.

Vetëm për Haitin akoma nuk kanë dalë zëdhënëset, që  të na thonë se zhvendosja e epiqendrës së Berishës në veri ndërkohë që Rama bën sikur fle në qendër, shkaktoi mijërat e viktimave në Port Prince.

Po që të kthehemi tek “Qemal Stafa”, (që me sa duket, shumë shpejt do të quhet “Panajot Pano”), dritat se ku u zhdukën për nja 90 minuta. Jo në ato të ndeshjes, se golat në ndriçim e transparencë të plotë u bënë. Por thjesht pushimi midis pjesëve u bë pak më i gjatë se zakonisht. Mundet që FIFA ta fusë këtë në rregulloren e re për futbollin.

Po kush qe ai edepsëz që fiku dritat? Mund të ketë qenë edhe ndonjë tifoz madrilen, që për të vërtetuar se yjet e Realit shkëlqejnë më shumë nga ç’mund ta imagjinojë Eseka dhe më gjerë, fiku dritat.

Pretendimet e medieve të huaja dhe serioze si “Indian Times” dhe “Zulu Tribune” për ndërprerje energjie në pjesën më të madhe të kryeqytetit shqiptar në kohën e ndeshjes, nuk qëndrojnë. Për konfirmim informacioni, ato mund të kontrollojnë shumë kollaj me Google Earth e të shohin se Fierza vërtet e ka ulur nivelin, po ama dritë prodhon sa për stadiumin, Ministrinë  e Energjetikës e Indinë bashkë.

Reali fitoi kupën e Tacit. Edhe Shqipëria fitoi ca nga pikët e humbura në imazhin e saj qesharak. Por triumfuesi i kësaj ndodhie, për mua ngelet Gramozi.

2.5 milionë euro për ta vënë Ersekën në hartë! Kjo po, që është për t’u përshëndetur.

Disa tifozë kanë hartuar një listë ekipesh dhe ndeshjesh që do të dëshironin të shihnin në Tiranë, mes të cilave; Rrushbull – Brazil, Zhamë-Barcelona, Obot-Bajern i Mynihut dhe Vau i Dejës – Argjentinë. Kërkesa është nisur me faks drejt mundësuesve të takimeve të tilla.

Pritet që përgjigjja të mbërrijë në të njëjtën kohë me tharjen e zonave të përmbytura në Shkodër dhe vendosjen e emrit të ri të stadiumit kombëtar.

Forca Shqipëria!

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Kur mbytesh pa plan Kërkohet një fajtor

5 Comments Add your own

  • 1. edrus  |  22/01/2010 at 12:37

    Shpresoj që të (mos) dalë ndonjë miliardier që të financojë Mamurras-Juventus… do vdisja fare🙂

  • 2. edliragjoni  |  22/01/2010 at 14:25

    I nderuar deshirues,
    Faleminderit per kerkesen.
    Po e shqyrtojme me konsiderate te vecante.

    Ju lutem vini re qe ne rast te renies dakord ( edhe dy-tre milione euro dhe zgjidhet ky muhabet), ndeshja nuk do te luhet ne Vicenca. Megjithate, kompania organizuese merr persiper heqjen e shpenzimeve te udhetimit per tifozet e Mamurrasit qe deshirojne ta ndjekin ndeshjen ne “Selam Stermasi”

  • 3. aaa  |  22/01/2010 at 18:55

    O Eda, po e sollet Juven ne Tirane qe te loze me Mamurrasin, do te jap me shume se taci🙂

  • 4. maksi  |  23/01/2010 at 11:12

    Me dymilion e gjysem euro shkelqesia e tij taci mund ta bente Kolonjen te njihej ne harte edhe ndryshe … besoj se nuk eshte aq idiot sa te mos e dije se me ato euro mund te rregullonte komplet infrastrukturen e kolonjes, mos linte fshat pa rruge e shkolle dhe erseken bashke… apo mbase eshte si puna e evgjitit qe kur gjen kos lyen c’te munde.
    Megjithate duhet te ambientohemi me realitetin shqipetar… sa per namin qe lame per fikjen e dritave thuhet se fajet i ka nje mi i cili hengri kabllin si pasoje e ngrohjes globale dhe vendosjes se planeteve ne nje forme te cuditshme qe i shkaktuan zbatica ne mide miut, te cilit i erdhi uria dhe gjeja e pare qe gjeti ishte kablli …: )

  • 5. J.  |  23/01/2010 at 14:47

    Më pëlqen jashtë mase shumë kur shkruan me zemër.
    🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2010
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: