Kërkohet një fajtor

26/01/2010 at 20:46 1 comment

Për fikjen e dritave në “Qemal Stafa” u gjetën fajtorët, madje dy, jo një; drejtori i stadiumit, që sot është ish, dhe miu që hëngri kabllot. Ka madje edhe ndonjë të dyshuar që po merret në pyetje. Shumë mirë. Bravo shteti e bravo drejtësia që vepron me shpejtësi skëterrë.

Shumë mirë. Po përse selektiv reagimi? Apo fajtorët janë me pikatore?

Që në 27 Dhjetor e deri më sot, pas mijëra metra kub ujë të lëshuara me vrull e me nxitim nga kaskadat e hidrocentraleve, pas mijëra shtëpive të zhytura në ujë e banorëve të evakuuar nën  kërcënimin tragjik të katastrofës, pas daljes së lumenjve e liqeneve nga shtretërit, duke rrëmbyer ç’gjetën përpara, e pas shumë shfaqjesh televizive e politike për gjendjen e mjerë, e dini sa fajtor ka përpara drejtësisë? Asnjë! As minj të paktën. Jo. Përmbytjet në Shkodër nuk kanë përgjegjës. Jo pse po druhet kush të ngrejë padi ndaj Zotit, por e vërteta është se e gjitha u interpretua si një provë që maxhoranca diti ta përballojë më suksesin më të madh.

Jo vetëm fajtor që nuk ka, por përfaqësuesit e qeverisë guxojnë të tallen deri në atë farë feje sa të deklarojnë se “qeveria arriti standarde të reja me menaxhimin e mrekullueshëm të krizës së përmbytjeve”.

Kujt i drejtohen këta tallës publikë? Epo spektatorëve që ngelën pa drita në “Qemal Stafa” jo. Atyre kurrsesi, se për ta u gjet e u kryqëzua fajtori. Ama në një kthim të vogël pas në kohë, kur në dimrin e 2006-2007-ës Shqipëria rrinte nga 16-20 orë në ditë pa drita, as që u kujtua kush të gjente apo “kryqëzonte” ligjërisht ndonjë fajtor. Përkundrazi. Në rastet e pakta që u përmend energjia, ministri i atëhershëm tha: “Hë se jeni mësuar me luks duke pasur 24 orë drita, edhe tani iu duket çudi që ka pak orë kufizime”. Atëherë as fajtor nuk pati, as protesta jo. As media nuk kishte ndonjë shqetësim të madh për mungesën e dritave. Me zgjedhjet lokale në prag, media ishte shumë  e zënë me betejën Rama-Olldashi për Tiranën, dhe publiku në vend të dritave, iu verbuan sytë me posterat më të mëdhenj rrugorë për fushatën elektorale, me një masë të madhe burrash që qeshnin në poza grash.

Drita hiç. Përgjegjës asnjë.

Rasti i Shkodrës është shumë më ekstrem. Nuk mund kurrsesi të jetë reale dhe e moralshme një politikë që nuk pranon dështimet e përgjegjësitë. Sigurisht përmbytjet kishin nevojë për zgjidhje të menjëhershme dhe dalja nga situata, dhe një shkarkim apo dorëheqje politike nuk do ta ofronte këtë zgjidhje. Ama përgjegjësia duhej treguar.

Më vijnë ndër mend vetëm dy dorëheqje në vitet e fundit në politikën shqiptare. I pari Ben Blushi kur grupi parlamentar që ai drejtonte nuk ishte kompakt në votimin për presidenti; dhe i dyti Ilir Rusmaili, kur hoqi dorë nga Ministria e Drejtësisë për t’u vënë në shërbim të hetimeve në momentin që një familjar i tij u akuzua për shkelje.

Të tjera raste s’ka. Pavarësisht kauzave dhe arsyeve të tyre, sot, si Ben Blushi, ashtu edhe Ilir Rusmaili, vazhdojnë karrierën politike, mundësisht me akoma më shumë integritet dhe personalitet se më parë.

Dorëheqja është gjest që kërkon kurajo të përballesh më përgjegjësinë. Sigurisht nuk mund ta kenë të gjithë. Por në një rast si ai përmbytjeve në Shkodër, në të njëjtën ditë me Priftin ( e me Hoxhën), duhet të kishte dhënë dorëheqje edhe kryeministri vetë.

Ja nuk ka këllqe politika shqiptare të bëjë trimëri të tilla, po si mund të ketë fytyrë të tallet me fatkeqësinë ende pa u mbyllur ajo? Ç’do të thotë “ Arritëm standarde të reja në përballimin e situatës emergjentë”? Cilat janë veprimet teknike që u ndërmorën për ta normalizuar përmbytjen? Përveç ç’bëri nëna natyrë, qeveria mëmë një vrimë të madhe në ujë bëri.

E kur nuk arrti as të kontrollojë, as të normalizojë situatën se ujin, përveç natyrës, s’kishte qeveri ta ndalte në gjendjen që janë hidrocentralet dhe sistemi i tërë hidrik.

Nëse përmbytjet e Shkodrës do kenë fatin e madh të shpërthimit të Gërdecit e të kasaphanës së ’97-ës e të ngelen pa fajtorë (shyqyr që kemi një për “Qemal Stafën”), atëherë të paktën deputetët e nderuar dhe zëdhënëset e mahnitshme të mos e marrin guximin të tallen me qytetarët. Jo vetëm ata të së djathtës. Edhe kur të vijnë të majtët në pushtet, njëlloj si edhe atëherë kur ishin, hidrocentralet në mëshirë të fatit do i lenë. Natyra duhet t’i zgjidhë vetë punët e saj, se s’do merren të djathtët e të majtët me punët e Zotit.

Fatkeqësia më e madhe në gjithë këtë histori të trishtë, është manipulimi i pacipë që i bëhet publikut.  Me çizme, në ujë, në të ftohtë, në mes të acarit e përmbytjes që po lë pas shenja, infeksion e baltë burimi për sëmundje, qytetarët deklarohen të lumtur nga puna e qeverisë kur i shikon në njërin ekran, e të lënë në mëshirë të fatit nga e njëjta qeveri, kur i sheh në ekranin tjetër.

Trishtimi tjetër është konsumimi i shpejtë i kësaj fatkeqësie nga media dhe politika, që nxituan ta zëvendësojnë Shkodrën, Obotin, Dritën , Fierzën e Bunën me dhunën në stadiume e me emërimet e gabuara për në Këshillin e Europës.

A u zhduk përmbytja në Shkodër? Jo. Jo, jo. Uji po ikën, por kthehet prapë kur t’i teket. Dhe menaxhimi i vetë-lavdërueshëm i qeverisë, nuk mjafton për t’i  bërë ballë furisë së tij.

Përse nuk ka asnjë fajtor për përmbytjen? Përse nuk ka asnjë të akuzuar të paktën, pa le të vendosë gjykata nëse bëhet fjalë edhe për faj. Dhe le të jetë ajo që e provon edhe pafajësinë, e jo deklaratat mbështetëse të politikanëve që për pak sollën katastrofën.

Në Shqipëri së fundmi kërkohet një i akuzuar (me mundësi të mira për t’u promovuar në “fajtor”); të ketë lidhje direkte me menaxhimin e situatës hidrike; të ketë qenë në detyrë në periudhën Dhjetor-Janar;  të ketë aftësi të mira dëgjuese kur t’i komunikohen akuzat; të ketë edhe shokë të mirë me vete, se “bashkimi për gjëmën”(pra fajtori nuk është një i vetëm).

Dhe mjaft më me shfaqje neveritëse vetëvlerësimi për kapërcim situatash. Shkodra është ende e lagur!

Entry filed under: Shqiptarizëm. Tags: .

Realiteti i terrtë Gramozar Unë bërtet, ti flas, Europa me ne, ju jo.

1 Comment Add your own

  • 1. VIZIV  |  27/01/2010 at 15:30

    Nese une te lexoj drejt, Ju kerkoni te nxirren pergjegjesite.

    Po a ke pare ndonjerin nga keta partiaket e zelleshem te rendin si zagare neper fushata per te kapur nje pozicion Drejtori ne ministri dhe ta kete bere kete me deshiren per te marre mbi vete pergjegjesite qe te ofron ai pozicion? Une jo.

    Nese i LEXOJNE mire ato pergjegjesite e pozicionit qe synojne, qe ne rangun me te ulet ne administraten publike, gjer tek drejtoret dhe vete i madhi Kryeminister, kam pershtypjen qe shume pak nga keta BURRA te vendit do te kishin guximin t’i merrnin ato pergjegjesi persiper.

    ” Shkodra eshte e lagur por SHQIPTARET JANE TERESISHT TE KALBUR”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2010
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: