Unë bërtet, ti flas, Europa me ne, ju jo.

01/02/2010 at 15:58 Leave a comment

Duket kakofoni fjalësh? Apo gabim shtypi? Në faqen e parë të një të përditshmeje? Jo, nuk mund të jetë. Shkrimi kalon në disa barriera redaktimi dhe autorja nuk është keq me shqipen. Thjesht, titulli reflekton kakofoninë interpretuese të ngjarjeve në Këshillin e Europës, Asamblesë së saj Parlamentare dhe Shqipërisë.

Për sqarim fillestar, nuk bëhet fjalë për Bashkimin Europian, ku me interpretimet si i mësipërmi ne kemi gjasa të hyjmë brenda 24 orëve; por për Këshillin e Europës, pjesë e të cilit, Shqipëria është që në vitin 1995.

Emërimet dhe çemërimet e delegacionit shqiptar u bënë teatër i lezetshëm provincializmi në Strasburg. Letra dhe ankesa kanë pasuar, njëra me e shëmtuar se tjetra në përfshirjen emocionale, individuale dhe ngushtësinë e interesit që i ka përcjellë.

Ç’ndodh andej, është qesharake ta mësosh nga  raportimet e bëra brenda Asamblesë. Ç’ndodh këndej me raportimet që bën politika, është akoma më qesharake dhe e dhimbshme bashkë.

Akuzat e tipit “Shqipëria është mollë e pabërë, prandaj nuk duhet pranuar në KE”, apo

“Kjo është një përfaqësi komuniste me pasardhës të nomenklaturës”,  ishin shprehje që më shumë se zbavitja fillestare, i kanë lënë pa gojë anëtarët e Asamblesë Parlamentare në KE.

Në përmbledhjen e faqes zyrtare të javës së kaluar, thuhej se Asambleja kishte vështirësi në të kuptuarit e problematikës që mbart me vete përfaqësia shqiptare. Bashkë me të, edhe Armenia pati dërguar në Strasburg një përfaqësi të ngritur në mënyrë manipuluese nga parlamenti. Kështu që për momentin, me apo pa të drejtë vote, u vendos që dy vendet të mos merreshin shumë seriozisht prej Asamblesë. “Delegacioni i Shqipërisë nuk përputhet me vlerat Europiane” thoshte përmbledhja e së enjtes në faqen zyrtare. Po, po, ama në Shqipëri palët u grinë duke akuzuar njëra tjetrën për sabotazh kombëtar në njërin krah, e për puplëzim trush në krahun tjetër.

Letrat “anonime” vazhdonin, duke e bërë shfaqjen akoma më qesharake.

“Ne kemi mbështetjen e plotë të Këshillit të Evropës, dhe do ta çojmë bojkotin deri në fund, deri sa të hapen kutitë, ashtu sic edhe e parashikon rezoluta”- thoshte zëri i indinjuar i një përfaqësuesi të majtë, megjithëse rezoluta as nuk i zë fare në gojë kutitë.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare, Jean-Claude Mignon, në një video të vendosur në faqen e KE-së shprehet pak më troc sesa rezoluta: “Sot duhet që partitë politike në Shqipëri të sillen si organizma të përgjegjshme e ta drejtojnë më mirë vendin; ta rindërtojnë atë e të dëshmojnë se nuk ka krizë të rëndë politike, por thjesht probleme kontestimi. Maxhoranca dhe opozita duhet të jenë brenda në parlament e të sillen me maturi për të bërë punën që populli shqiptar u ka kërkuar të bëjnë.  Unë jam pro mendimit që Komisioni i Monitorimit të ndjekë nga afër  situatën për të parë nëse Shqipëria i respekton angazhimet e kontraktuara prej saj në ditën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Politika e “karriges bosh” nuk është e mirë dhe besoj se për shkak të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, opozita duhet të kuptojë se  duhet të respektohen rregullat. Ka parregullsi, por më thoni, kush është ai vend që nuk ka parregullsi zgjedhore?  Unë jam francez dhe kam parë se  ka pasur raste në disa zona në zgjedhjet lokale apo kombëtare në Francë që mund të jenë anuluar zgjedhjet nga Këshilli i Shtetit, pasi konsiderohet që në rrethana të ndryshme, ka patur parregullsi. Por kjo nuk ka qenë arsye për të hedhur poshtë tërësinë e zgjedhjeve në vend. Këtë Shqipëria sot duhet ta kuptojë qartë dhe mirë”.

Shqip, shkurt e saktë, ky paragraf përmblidhet: “Futuni të gjithë në parlament, se latë nam”.

Në gjuhën e majtë, përkthehet: “ Në Francë, ku një demokraci e konsoliduar mbretëron prej shekujsh, shteti gjen kurajën t’i anulojë zgjedhjet edhe kur ka gabime në zona fare të vogla. Ky shembull i dhënë nga zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare, është një sinjal i qartë mbështetjeje, që opozita të mos e ndalë bojkotin e saj triumfues në emër të demokracisë”.

Djathtistët dhe zëdhënësit e tyre mediatikë e interpretojnë ndryshe: “ Këshilli i Europës i jep shuplakën e radhës opozitës shqiptare. Me thirrjet e qarta për të hyrë në kuvendin legjitim të zgjedhur me votën e lirë të popullit në zgjedhjet më të mira e më të ndershme që ka njohur Europa në 50 vitet e fundit, përvec rezolutës së miratuar, edhe vetë zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare i kërkoi opozitës të hyjë në kuvend. Ai lavdëroi punën e mrekullueshme të bërë nga qeveria e Zotit Berisha dhe fajësoi opozitën për tradhti kombëtare e fajtore të ngecjes së procesit të integrimit”.

Ja kështu janë të gjitha lajmet. Kështu të gjitha interpretimet. Dhe shqiptarët e kanë të vështirë të marrin vesh ç’ndodh vërtet.

Gjetja interesante është se me Këshillin e Europës, ka më shumë opium mediatik, për t’u shkëputur pak nga Shkodra. U kthye edhe bora prapë. Me ato metrat kub borë që trefishoheshin kur kthehen në ujë, rrezik të përfundojë Drini në Strasburg kur të fillojë shkrirja.

Politika tallet me veten, kurse Europa ka durim shembullor në pritjen për ardhjen e truve në vend për politikë-bërësit dhe emëruesit e tyre.

Edhe kjo mund të interpretohet sipas dëshirës në shqip. Politika është profesionistja e bastardimit të saj.

Europa me ne, edhe me ne, edhe me ne….vetëm me popullin e shkretë jo!

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Kërkohet një fajtor Fjalën e ka Kushtetuta

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: