Populli të hajë kuti

05/02/2010 at 23:43 Leave a comment

Presidenti do thërrasë palët për dialog. Shyqyr! Mësuesi bën apelin, pasi sekretareshë Spanja e drejtoreshë Europa thonë që nuk kanë ndër mend të na lënë të bëhemi si problematikja Greqi, e pandreqshmja Maqedoni apo vështirësi-sjellësja Serbi.

Palët pra po bien dakord të ulen ballë për ballë, dirigjuar nga një drejtues dhe vëzhguar nga shumë të tjerë. Njëlloj si në 1997-ën.

Po atëherë ishim vetëm 7 vjet pas daljes nga komunizmi, me shumë dëshirë për para dhe pushtet, por me më pak pretendues fronesh; në prag të një lufte civile, po pas dere na doli një spastrim etnik. Gjithçka ishte shumë më e paqartë dhe Vranicki nuk kishte ku të shkonte pa bërë rolin e arbitrit.

Po sot? 13 vjet pas çmendurisë piramidale e 20 vjet pas rrëzimit komunist, prapë me PD-në e Berishës e prapë me PS-në e pak duarve, përse paskemi nevojë për arbitër? Dhe përse arbitri ynë paska nevojë për komision mbiqkyrës?

Ballkani është rajon i vështirë. I thonë edhe vatër vullkani (që funksionin duke i vënë flakën nga brenda), po kjo vjen për shkak të shumëllojshmërisë së etnive, feve, kulturave e racave që jetojnë bashkë në shumicën e vendeve të tij. Prandaj nuk gjen rehat as Maqedonia, as Bosnja. Po Shqipëria? Ç’hall ka Shqipëria në vitin 2010? Cili është ky problem madhor që kërkoka ndërhyrjen e “miqve ndërkombëtarë” për zgjidhje? Kush janë armiqtë që nuk bien dot dakord dhe për çfarë?

Armiqtë janë pushtet-dashësit dhe arsyeja e mos-uljes së hundës është pushteti. Mbikëqyrësit e arbitrit nuk e kanë ndarë mendjen nëse ju pëlqen mishi apo peshku, dhe biseda, bashkë më zënkat, rezolutat, interpretimet, thirrjet, sharjet dhe shfaqjet e paçmueshme politike, bëhen të gjitha në kurriz të njerëzve.

Nuk ka sondazh të provojë nëse 700 mijë shqiptarët që kanë votuar për PS-në  në 28 Qershor 2009 kanë prioritet absolut hapjen e kutive, se përndryshe do humbasin vendin e punës, nuk do marrin rrogën në fund të muajit, nuk do dalin dot jashtë Shqipërisë, apo nuk do shesin dot preshin e mezi-rritur në këtë dimër të acartë.

As nuk pyeten dot 700 mijë e një votuesit e të djathtës, për të vërtetuar se as jeta e tyre nuk mund të vazhdojë normale nëse lideri i tyre shpirtëror vendos që kutitë të hapen. A mbaron toka së rrotulluari po u hapën ato? Apo do ndalë pikërisht po nuk u hapën?

Tallja me votuesit është e hidhur. Këta njerëz të përgjegjshëm shumë më tepër se politikanët, e hodhën një herë votën e tyre në kutitë e flamosura, dhe deshën që bashkë me të, të mbyllnin edhe kalvarin e gjatë të dështimeve zgjedhore.

Por politika i kishte bërë hesapet ndryshe. Rama kishte llogaritur në të gjitha variantet vetëm 71 deputetë e sipër. Të gjitha llogaritë ashtu i dilnin. Berisha mendoi të shqyrtojë me shumë se një mundësi, dhe mblodhi çdo thërrime të djathtë që i doli përpara. I ngjeshi mirë, edhe krijoi një top votash që i dhanë nja ca deputetë më shumë se Ramës. Mori edhe Metën, dhe krijoi Qeverinë.

Rama u kujtua se në vend që të ndalej, toka vazhdoi të rrotullohej djathtas. I futi një të dalë në konferencë shtypi, edhe bashkë me tufën e vet, shpiku çështjen e kutive.

Ujku mjegull do; dhe në përpjekjen për të fshehur dështimet me tunelin, firot e pallogaritshme nga fushatat, krizën e madhe sociale që shoqëron ndryshimet në administratë, ngërçin e egër ekonomik, përmbytjet e paftuara e të papërballueshme në Shkodër, shpërthimin e krimit në vend, rritjen e papunësisë, daljen nga kontrolli të situatës në shëndetësi e arsimin e lartë, gafat me pronat, rreziqet me korrupsionin njerëzor, familjar e nepotik, dështimet ligjore me marrëveshjet dhe rrëzimet e iniciativave të kurdisura me kujdes,  maxhoranca e sotme duhet t’i jetë shumë mirënjohëse opozitës për luftën që po bën me mullinjtë e erës. Po pra po, se pikërisht te kutitë ka ngecur zhvillimi i Shqipërisë. Shqiptarët nuk kanë lekë në bankë apo në portofol në fund të muajit, pikërisht sepse nuk janë hapur kutitë. Të gjithë të papunët, aty e kanë ngërçin. Sa të hapen kutitë, do vijnë edhe emërimet. Edhe vizat; ditën që do hapen kutitë, do hiqen edhe ato. Edhe tuneli, po atë ditë do rregullohet.

Gjithë të mirat do zbresin mbi tokën e shqipes ditën që do hapen kutitë.

A ka moral e gjithë situata politike, shpenzimi i energjive dhe shkatërrimi i imazhit, vetëm e vetëm se llogaritë për 71 deputetë nuk dolën fiks?

Sigurisht që jo. Po atëherë? Hiç. Do presim që presidenti të ulet mes Patozit e Braces. Do presim që Spanja t’i thotë Strasburgut e pastaj edhe Brukselit që shqiptarët nuk janë gati për në Europë. Pastaj do presim që Berisha të akuzojë Ramën për fajtor e Rama Berishën për gangrenë që pengon zhvillimin, e në fund, Berisha do jetë sërish në pushtet, e Rama në pritje për ta marrë atë.

Po populli?

Do i jepet sërish e drejta e votës. Se populli me votë e me kuti jeton.

Rroftë politika!

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Fjalën e ka Kushtetuta Census fetar?! Jo, faleminderit!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: