Census fetar?! Jo, faleminderit!

12/02/2010 at 09:36 Leave a comment

Jo them për pyetjet që kanë të bëjnë me përkatësinë time fetare dhe etnike. Se para 10 vitesh kisha tjetër fe. Se miliona shqiptarë nuk kanë pasur fe hiç për 50 vjet. Jo, sepse sot etnia blihet me para dhe pensione. Dhe jo, sepse Kushtetuta më garanton të drejtën për të mos e shprehur besimin tim. Saktë, shkurt dhe qartë e thotë, në nenin Neni 24, pika 3: “Askush nuk mund të detyrohet që të bëjë publike bindjet ose besimin e tij”. Kështu që më mirë po i bindem Kushtetutës, sesa pyetësorëve me porosi.

Po ç’është kjo zhurmë e madhe për regjistrimin e popullsisë? Dikur, censusi u shpik nga romakët për t’i ndihmuar ata që të mbanin nën kontroll numrin e meshkujve të përshtatshëm për t’u dërguar ushtarë. Kurse sot, pretendohet se regjistrimi i popullsisë u bëka për të përmirësuar politikat sociale, ekonomike, kombëtare, rajonale e ndërkombëtare. Shumë mirë, po feja dhe etnia kujt i hyjnë në punë?

Regjistrimet e popullsisë të bëra në Shqipëri janë ato të viteve 1918, 1923, 1945, 1950, 1955, 1960, 1969, 1979 dhe1989. Censusi i parë është procesuar në Shkodër, ai i vitit 1923 në Austri (me porosinë e mbretit Zog), dhe i fundit, në vitin  1989, është bërë kur Shqipëria ishte akoma nën regjimin komunist. Etnia s’kishte rëndësi atëherë, kurse feja ishte jashtë logjikës komuniste.

Po a është i rrezikshësm censusi? Po të marrësh për bazë avantazhet e tij, sigurisht që nuk është i rrezikshëm. Përkundrazi, mund të ndihmojë qeverinë për të qenë më e saktë në planet dhe ndërhyrjet e saj (financiare ose jo); e mban atë më të organizuar, jep një tablo më të qartë të situatës së popullsisë në vend, jep detaje për njerëzit që jetojnë brenda territorit të një vendit, etj.

Ama në anën tjetër, disavanatazhet më të mëdha kanë të bëjnë me mungesën e dëshirës së njerëzve për të paraqitur të dhënat e tyre personale, gjë që mbështetet edhe nga ligji ynë themelor.  Censusi gjithashtu kërkon shumë kohë dhe shpenzime për t’u bërë. Por, edhe nëse këto janë të sponsorizuara, sërish të dhënat e mbledhura janë të kufizuara dhe nuk të lejojnë të bësh analiza të thella. Madje mund të qëllojë që të dhënat e censusit, bazuar në pyetjet e hartuara brenda tij, të keqpërdoren me paramendim. Si? Në ndarjen administrative për zgjedhje për shembull. Ose në hartim politikash që nuk janë aq shumë sociale sa ç’pretendohet.

Po të shohim ç’ndodh në rajon apo në vendet e ngjashme, vihet re se censusi në baza etnike, gjuhësore dhe fetare gjithashtu është i kundërshtuar. Në Turqi për shembull, censusi nuk e përmban informacionin për përkatësitë etinike apo besimin fetar, (për shkak edhe të Kushtetutës Turke, që përcakton qartë se të gjithë qytetarët e Republikës së Turqisë janë Turq në kombësi (nationality), pavarësisht besimit fetar apo etnisë ku bëjnë pjesë).

Po Kushtetuta Shqiptare? Qartë fare shprehet edhe ajo. Siç u tha më sipër, Neni 24.3 thotë: ”Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet që të bëjë publike bindjet ose besimin e tij”. Kurse Neni 3 përforcon këtë ide, duke thënë: “Shteti ka për detyrë të respektojë dhe të mbrojë identitetin kombëtar”. Censusi duket sikur i vë ca shkopinj nën rrota këtij neni, por nismëtarët e regjistrimit mbi baza që e lëkundin identitetin kombëtar, mund të kundërshtojnë lehtë duke pretenduar lexim ndryshe të Kushtetutës.

Po le të shohim më tej. Në Bosnjë (që së bashku me Shqipërinë është jashtë zonës së lëvizjes së lirë, dhe bashkë me Turqinë klasifikohet në të njëjtin thes fetar), parlamenti sërish e rrëzoi draftin ligjor për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Miratimi i ligjit kërkohet me ngulm nga BE-ja, por u rrëzua pikërisht sepse përmban pyetje që kanë lidhje me etninë, fenë dhe gjuhën.

Serbët e Bosnjës (31% e popullsisë), janë pro, kurse myslimanët e saj (40%), pretendojnë se regjistrimi me baza etnie do të cimentosë rezultatet e luftës dhe spastrimin etnik në vend. Nga ana tjetër, kroatët e Bosnjës janë gjithashtu kundër, me pretendimin për të përforcuar pozitat e tyre kushtetuese përpara se t’i nënshtrohen ndonjë censusi.

(Kurse Kushtetuta jonë është shprehur qartë dhe nuk kemi ç’të presim, as ç’të shpikim. “Askush nuk mund të detyrohet të bëjë publike bindjet ose besimin e tij”.)

Kundërshtimi kroat justifikohet me shqetësimin se censusi me baza etnike dhe fetare konfirmon situatën e pasluftës në Bosnje dhe trazirat e vazhdueshme në këtë shtet delikat.  Regjistrimi i fundit i popullsisë në këtë vend u ndoq vetëm pak muaj më pas nga lufta e 100 mijë viktimave dhe 2.2 milionë të shpërngulurve. Atëherë, përse të përsëriten të dhënat mbi etninë dhe fenë?

Deri më sot, asnjëra nga 27 vendet e Bashkimit Europian nuk ka bërë regjistrim të popullsisë së tyre duke marrë për bazë fenë, gjuhën, apo kombësinë, por thjesht janë bërë mbi elementët që parashikon censusi (ekonomike, banesa, gjeografike, etj).

Ama Bashkimi Europian iu kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përfundojnë regjistrimin e popullsisë deri në vitin 2011, sepse “në këtë mënyrë, BE-ja do të ketë një bankë të saktë të dhënash mbi të cilat të bazojë politikat e mëtejshme për këtë rajon”.

Boshnjakët nuk e besojnë këtë. As shqiptarët jo.

Por BE vazhdon të këmbëngulë. Vetëm dy javë më parë, komisioneri i zgjerimit për BE-në theksoi nevojën që ky regjistrim të përfundojë patjetër. “Moskryerja e këtij censusi do të ishte në dëm të Bosnje-Hercegovinës, nën këndvështrimin e perspektivës Europiane,-thotë Oli Rehn, – Do të vështirësonte gjithashtu zgjidhjen e problemeve socio-ekonomike, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta”.

Rehn shton se Bashkimi Europian nuk ka kërkuar në fakt që në census të përfshihen edhe pyetje për përkatësinë fetare apo etnike. Atëherë nga lind ky debat? Po pikërisht kjo është gjëegjëza. Zyrtarisht, BE thotë që ky tip regjistrimi nuk kërkohet. Pyetësisht, në Shqipëri pretendohet se kjo është pikë e pashmangshme e pyetësorit.

Rajoni? Maqedonia e ka bërë censusin e fundit në vitin 2002, Kroacia në  2005-ën dhe Serbia në vitin 2002. Maqedonia lëshoi pe në bërjen e tij për shkak të marrëveshjes së Ohrit dhe paketës së dhuratave evropiane (në pikëpyetje sot); kurse Serbia dhe Kroacia janë të gatshme të ribëjnë censuset e veta e të ndihmojnë edhe fqinjët, nëse kanë vështirësi.

Në rastin e Shqipërisë, regjistrimi me baza etnike e fetare do ishte i pasaktë, i pavërtetë, jo i plotë dhe abuzues. Pse? Sepse edhe qëllimi i bërjes së tij nuk është transparent. Në kushtet e një konglomerati social e ekonomik, prodhimi i karameleve për abuzuesit dhe keq intrepretuesit e censuseve, do ishte një gabim që kushton shtrenjtë.

Entry filed under: Analize. Tags: .

Populli të hajë kuti Shqipëritë e gënjeshtërta politike

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: