Shqipëritë e gënjeshtërta politike

16/02/2010 at 23:01 Leave a comment

 Qeveria e sotme ka 223 drejtorë. Në shkurt do shkarkohen nga puna 1400 mësues. Vendi ka 34 Universitete private (asnjë kërkimor-shkencor, për be). Tirana bën 90 vjet kryeqytet e nga një fshat me pak shtëpi, është shndërruar në një geto me shumë lagje, masa betoni e koka vezake që jetojnë brenda tyre. Berisha u takua me Topin. Edhe me Ramën. Herë të gjithë bashkë, herë secili grup më vete. Përherë pa harruar të buzëqeshin për kamerat. “Kutitë nuk kanë për t’u hapur”- thotë Erla, por Edvin Kristaq Rama e njeh fjalën “kuti” vetëm si togfjalësh me foljen “hap”.

Në 21 shkurt do vijnë 10 të dërguarit e Këshillit të Europës të monitorojnë procesin e negociatave. Kryeministri belg viziton Tiranën, e jo shumë rastësisht. Në 1 Korrik, vendi i tij merr presidencës e radhës për Bashkimin Europian. Shqipëria ka tani dhe një tjetër ditë të shënuar; 20 Shkurtin, ditën e përkujtimit të viktimave të regjimit komunist (datë e përcaktuar nga ata që mendojnë se kështu është më mirë, pra ligjvënësit, jo përfaqësuesit e viktimave apo familjarëve të tyre).  

Deri në datën 15 shkurt, ka pasur 15 vrasje në Shqipëri për këtë vit. Gjithçka ecën me ritme të shpejta. Aq të shpejta madje, sa edhe emërimin e Ylli Pangos si drejtorin numër 224 të kësaj qeverie, nuk e vuri re kush për pothuajse dy javë. As mishërimi i moralit dhe flamurmbajtësi i tij, kryeministri dora vetë, nuk duhet ta ketë vënë re shkresën që ka firmosur për emërimin e tij. Patjetër do i ketë shpëtuar emri, se ky është po ai yll që Berisha e shoi për katër minuta vetëm një vit më parë.

Ka dalë i pafajshëm? Po, po. Sigurisht që i pafajshëm, se fajtorë nuk kemi as për mijëra të vrarët e 1997-ës e për 26 të shpërthyerit në Gërdec, jo më të pretendojmë në këtë vend se qenka fajtor një profesor, ministër, që s’bëri asgjë përveçse tregoi burrërinë. Sigurisht, sigurisht.

Drejtorë, ministra, ambasadorë e funksionarë të tillë vazhdojmë të kemi, sepse janë premtuar 160 mijë vende pune. Ku tjetër të emërohen, përveçse nëpër drejtori?

Po mësuesit? Shkarkohen të kuqtë, për t’u ngarkuar roztë dhe blutë. Se shkarkimi për shkak të mungesës së arsimit përkatës është bërë me kohë e me vite.

Mbyllen shkolla fillore publike, e shtohen universitet private. Është e mrekullueshme fare Shqipëria. E pakrahasueshme. Pangot riciklohen. Mësuesit jo dhe aq kollaj. As administrata jo. Administrata që sot është bërë kopje e shëmtuar e asaj të viteve 2004-2005, ku gjithkush mund të zinte një vend pune e madje po të donte, edhe të hapte ndonjë ministri shtesë.

Nuk duhet të rrijë më një parti në pushtet për më shumë se katër vjet. Fillon e iu rrëshket Shqipëria nga duart.

Ngjarjet janë vërtet dinamike, por mjeshtrit e politikës nuk të lënë t’i vëzhgosh e analizosh me kujdes, për të kuptuar ç’po ndodh. Duhen shashka e zhurmë kutish, sa të zgjidhen pazaret. Dhe pazaret duhen bërë para se Montobio e Lohan të bindin Ramën e Berishën, e përpara se kryeministri belg të na lajmëroje në presidencën e tij të radhës se ashtu si në NATO, ka dëshirë të na i japë i pari edhe lajmin e liberalizmit të vizave apo marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

Qemal Stafa po shembet. Stadiumi. Jo pse ikën dritat kur priti Gramozin dhe Realin, po thjesht është amortizuar. Dhe rrezikon të shembet. Por interesat e kryetarëve të maxhorancës dhe opozitës jo. Shteti do japë me koncesion stadiumin, por as që bëhet fjalë të mendojë për aneksimin e interesave personale të aksionerëve të Shqipërisë. Këta aksionerë do vazhdojnë patjetër të jenë protagonistë, të veprave, fjalëve dhe mendimeve. Njëlloj si paraprirësi.

Shqipëria po noton në surrealizëm politik. Së fundmi, edhe Organizata e Kombeve te Bashkuara na kërkon informacione të detajuar për pesë vitet e fundit në lidhje me përpjekjet dhe arritjet e institucioneve shqiptare për të ulur numrin e vrasjeve, për të goditur krimin e organizuar, korrupsionin, trafiqet e deri edhe ndikimin që kanë patur tek fenomeni i gjakmarrjes. Po, po. Vazhdon edhe ky fenomen. Por pa kamera.

OKB ka dërguar edhe një intervistues. Philip Alston e quajnë, dhe do raportojë mbi bazën e informacioneve që do mbledhë deri javën tjetër për 29 pyetjet që ka formuluar. Mes tyre është edhe Gërdeci. Po ku ka frikë Tirana e zyrave nga një Gërdec? Administrata sypatrembur, e zgjuar e punëtore pa asnjë ngjyrim politik po plotëson edhe pyetësorin me mijëra pyetje të BE-së, jo më të trembet nga 29 pyetjet e Alston-it të OKB-së.

Ka ngjarje. Ka shumë ngjarje Shqipëria. Por veçantia e tyre më e madhe është se qendra e gravitetit të çdo lajmi në Shqipëri kalon nga kryeministria. Meqë fizikisht e ka mundësinë, edhe kreu i PS-së merr nga një valë lajmore para se ato të privatizohen nga Berisha. Ama të gjitha ngjarjet, lajmet, ndodhitë, personalizohen, eklipsohen, manipulohen e interpretohen sipas interesave vetjakë të dy liderëve me një shpejtësi për t’u pasur zili.

Asgjë nuk ka vlerë në Shqipëri, nëse nuk shoqërohet nga Rama apo Berisha. Madje as ata vetë.

223 drejtorë. 1400 mësues të shkarkuar. Vendi më i varfër në Europë. Kontradiktë shifrash për rritjen ekonomike. Shkarkime, emërime dhe drithërima politike.

Në fund, Pango serish u bë drejtor.

Është mrekullisht e paparashikueshme Shqipëria. T’i flak nga dritarja të gjitha arsyetimet logjike.

Ka krizë. Krizë të madhe Shqipëria. Jo me përmbytjet. As me të shkarkuarit. As me të papunët e të pa-mundurit për të udhëtuar. Këto s’janë gjë. Kemi krizën e kutive. Janë shumë të mërzitur e të shqetësuar Rama dhe Berisha. Nuk arrijnë dot ta vënë buzën në gaz para kamerave.

Këtu nuk qeveris Berisha. Këtu livadhis gjithkush që guxon të pretendojë se i bëhet barrierë brezit të shtatë të tij.

224 drejtorë, dhe 15 viktima për një muaj e gjysëm.

Është fat të jetosh në Shqipëri. O njërin, o tjetrin pozicion, ke shans ta gëzosh se s’bën që në rini.

Entry filed under: Shqiptarizëm, Vezhgim. Tags: .

Census fetar?! Jo, faleminderit! Kriza – Komedi me shumë akte

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: