Kriza – Komedi me shumë akte

19/02/2010 at 13:49 1 comment

“O krizën, o integrimin” – kështu lexohet mesazhi i gjuhës së ashpërsuar të ndërkombëtarëve në Tiranë. Ose më saktë, kështu përkthehet gjysmën e ditës, se gjysmën tjetër, ndërkombëtarët ndërrojnë krah. “Ne nuk japim asnjë ultimatum. Palët le ta ofrojnë vetë zgjidhjen” – thotë delegacioni i BE-së.

Kurse Asambleja e KE-së thotë: “ Ne vijmë të hënën e do bëjmë disa takime. Të martën në mëngjes, e duam draftin e pikave ku do bini dakord të jetë gati. Pastaj do bëjmë një konferencë për shtyp, edhe do kthehemi sërish në Strasburg”.

Loja është pak e lodhshme. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KE-së do vijë në Shqipëri të sigurohet se rezoluta e miratuar prej saj do të vihet në zbatim; pra, që maxhoranca do të lejojë ngritjen e një komisioni parlamentar që do të mundësojë hyrjen e opozitës në parlament”.

D.m.th. as mish, as peshk. Për kaq jemi të zotët vetë, e nuk kemi nevojë për guida se si të rrahim ujë në hava. Ama është shumë e trishtueshme të vëzhgosh se të gjitha palët po e shfrytëzojnë shumë ulët krizën. Rama kërkon çimentosjen e tij në krye të opozitës dhe akoma ëndërron me sy hapur kryeministrizmin pa luftuar vetë për të. Berisha shijon perandorinë e krijuar dhe nuk lodhet fare lëvizë nga kolltuku i ngrohtë i pashallëkut modern. Presidenti Topi e gjen veten në qendër të vëmendjes dhe po shfrytëzon çdo mundësi për ta përdorur këtë shans sa më mirë të jetë e mundur në ndihmë të imazhit të tij (pozitiv pa qenë nevoja për shtesa të tjera).

Ndërkombëtarët më në fund gjetën rastin e artë të tregojnë se janë shumë të rëndësishëm dhe se pa praninë e tyre, Shqipëria nuk bën dot asnjë hap përpara.

Kamerat televizive u këputën në zigzagun bulevardesk PS – Kryeministri – Presidencë. Një ambasador vjen, tjetri ikën. Aparatet nuk rreshtin së bëri foto, e as protagonistët nuk largohen pa u siguruar që 20 mikrofona drejtohen në gojët e tyre, sikur prej aty të dalë formula magjike që do e transformojë Shqipërinë në parajsë politike. Të gjithë e duan protagonizmin dhe po bëjnë çmos ta shijojnë deri në fund atë. Jo se shqiptarët janë pas në kuptimin e fuqisë që ka diplomacia, por kjo e fundit e bërë nga ndërkombëtarët që sillen ekraneve më shumë se Berisha vetë, i bën ata ta humbasin edhe atë pak besueshmëri dhe peshë që kujtojnë se mbartin.

Edhe ndërkombëtarët nuk harrojnë të qeshin para kamerave. Njëlloj si Berisha e Rama kur u takuan për të gjetur ku ishte vrima e ku çelësi që hapte dyert e zgjidhjes së krizës.  Askush nuk duket i menduar, as i përkushtuar, as i dhënë natë e ditë pas mendimeve për të gjetur ku është rrënja, e si ta këpusim bimën e keqe që prej saj. Jo. Të gjithë janë duke shijuar protagonizmin.

Risia e vetme që ka sjellë deri tani fillimi i negociatave është shtimi i këtyre protagonistëve që zënë ekranin në 10 minutat e para të lajmeve. Eksluziviteti ka ikur nga Rama e Berisha, që konkurrohen tashmë denjësisht në minutash nga Lohan e Montobio. Topi vjen pak më pas, por edhe ai i ka rritur ndjeshëm minutat televizive. Vetëm shanset për të zgjedhur krizën nuk janë shtuar.

E teksa pritet që të hënën të vijnë në Tiranë të deleguarit e Këshillit të Europës, më vjen ndër mend këmbëngulja e një diplomateje të re në karrierë. Kur e emëruan fillimisht në Kosovë, mendoi ta braktise fare rrugën e sapunisur. Por, një vit më pas, nuk donte të qëndronte më shumë se dy netë në vendin e saj perëndimor, duke ngrënë darka të thjeshta familjare. “Dua të jetoj në Kosovë. Atje fjala ime është flori dhe unë jam yll televiziv. Le të zgjasin problemet atje. Unë për vetë po jetoj si në ëndërr, me një rëndësi që këtu nuk kanë për të ma dhënë kurrë”.

E kur kjo mendësi reflektohet në daljet e shpeshta, kontradiktore e shterpë të ndërkombëtarëve në Tiranë, të duket se shqetësimi për vendosjen e dialogut, funksionimin e institucioneve demokratike dhe zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, nuk janë tjetër veçse qiqra në hell.

Mesazhet vijnë si për “rivendosjen e legjitimitetit” (nënkupto, hetimin e zgjedhjeve), ashtu edhe për “funksionimin e institucioneve demokratike”(pra, kthimin e opozitës në parlament).
Të dielën na vijnë miqtë nga Europa, nën titullin fisnik “Komiteti i presidenteve të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës”, së bashku me dy raportuesit për Shqipërinë. Sipas njoftimit zyrtar të KE-së, ata do të mbështesin procesin e zgjidhjes së situatës politike aktuale dhe do të asistojnë presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit për rivendosjen e dialogut politik.

Të hënën pasdite dhe në mbrëmje do të kemi fatin e madh t’i shohim të gjithë në të gjitha edicionet e lajmeve duke takuar presidentin, kryeministrin, kryeparlamentaren, kryeopozitarin, kryeambasadorët, e kështu me radhë. Pra, shfaqja do të jetë intensive. Të martën, do kemi edhe një konferencë për shtyp ku presidentët e komitetit do i thonë palëve nëpërmjet kamerave që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për t’i dhënë fund situatës aktuale, me qëllim që vendi të vijojë me reformat integruese.

Kaq! Pas ikjes së tyre, Berisha do pretendojë se komiteti mbështeti qeverinë e kutitë nuk hapen. Dhe Rama do tundë gishtin e do thërrasë “A nuk iu thashë? Edhe ata janë dakord për hapjen e kutive”.

Vizita e delegacionit të Këshillit të Europës ka shumë gjasa të mos jetë e fundit. Por në këtë rast, Shqipëria kalon në monitorim të Komitetit të Ministrave të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Grupi raportues për Demokracinë propozon në kësi rastesh që në varësi të situatës në vend, vendimet për Shqipërinë, të ndërmerren në Strasburg. E kur çështja është kështu, Brukseli vetëm kënaqet që ka një telash më pak për të shqyrtuar, sepse Bashkimi Europian, në kundërshtim nga Këshilli i Europës, nuk është kazan ku mund të vlohen të gjithë.

E në rast se kutitë do vazhdojnë të zënë më shumë vend në fjalorin e përditshëm sesa papunësia, arsimi, shëndetësia, pronat, drejtësia apo integrimi, komedia e krizës ka gjasa të na dhurojë edhe më shumë akte, e akoma më tepër protagonistë.

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Shqipëritë e gënjeshtërta politike Shqiptarët pa viza, – po deshi Rama

1 Comment Add your own

  • 1. edrus  |  21/02/2010 at 08:11

    “E në rast se kutitë do vazhdojnë të zënë më shumë vend në fjalorin e përditshëm sesa papunësia, arsimi, shëndetësia, pronat, drejtësia apo integrimi, komedia e krizës ka gjasa të na dhurojë edhe më shumë akte,…”, ndërsa unë do thoja që kjo komedi, më shumë se në dramë, do të kishte të gjitha premesat për t’u kthyer në një tragjedi… ku fatin e keq, si gjithmonë, do ta hiqte mbi kurriz vetë populli.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: