PS në kuvend? Elektronikisht, jo!

26/02/2010 at 14:54 Leave a comment

Duke qenë se jetojmë në moshën e internetit dhe kryeministri është përherë i ngazëlluar kur flet për e-government, hyra në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, duke pritur të lexoj atje gëzimin e madh qeveritar për rikthimin e shansit që demokracia të funksionojë në Shqipëri. S’kisha si të vija në dyshim se hyrja e opozitës në parlament do të ishte një lajm i gëzuar për qeverinë time, po aq sa është për të gjithë ata që i gënjen mendja se politika është ajo që shohim në ekran.

Dhe del faqja e parë e sitit zyrtar të qeverisë shqiptare: www.këshilliministrave.al

Në menynë kryesore “Lajmet e ditës”, është ky eveniment: “Kryeministri Berisha takon Presidentin e kompanisë së njohur spanjolle në fushën energjisë “Iberdrola”. Datosur 25 shkurt 2010.

Më poshtë ka lajme për pyetësorin, për shtyrjen e afatit të qëndrimit forcave të armatosura në Çad, për kanalizimiet Pogradec II, për planifikimin e territorit, (ku ka një “Dispozitë kalimtare” që thotë  “Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkitë e kategorisë së parë depozitojnë për shqyrtim planet zhvillimore rregulluese, kur planet nuk i janë nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit nga KRRTRSH”)….

Më tej ka lajme për miratimin e projektligjit për barnat, për shtesën prej 15 milionë lëkësh për shpenzime operative për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Ministrinë e Bujqësisë, e me radhë.

Media tek-tuk na lajmëroi vetëm për “Kalimin në pronësi, pa shpërblim, të një pronësie misionit të bamirësisë “Motrat  e nënë Terezës”. Kaq. Data 25 asnjë lajm për opozitën. As data 24 jo.

Kalova edhe një herë diskutimet e lexova se “Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës, të bëjnë sa më parë reitingun e universiteteve”. Rejtingun pra, rejtingun. “Vlerësimin” e kishin vënë në kllapa ca më poshtë. I referohen renditjes bazuar në vlerësim.

Hyrja e opozitës në parlament si ka mundësi që s’përmendet në asnjë cep?!

Marrëveshje e huasë me BERZH, takime me japonezë, takime me spanjollë, opozitë, opozitë. Jo. Hiç. Asgjëkund!

Kuvendi! Faqja zyrtare e tij duhet të ketë patjetër ndonjë lajm të ekuilibruar e qëndrim zyrtar. Qeveria mbase s’ka ndonjë dëshirë të theksuar të botojë lajme të këtij lloji, por Kuvendi i Shqipërisë patjetër.  

www.parlament.al  Faqja kryesore: “24 shkurt 2010. Konferenca e Kryetarëve miraton Kalendarin tre-javor dhe programin e punës së Kuvendit. Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli  sot në orën 11:00 Konferenca e Kryetarëve diskutoi dhe, në unanimitet, miratoi Kalendarin Tre-javor dhe Programin e Punës së Kuvendit  deri më 26 prill 2010“

Kaq edhe këtu. S’ka mundësi? Ku është opozita? Ja shohim pak më poshtë po në faqen kryesore: “22 Shkurt, 2010,  Kryetarja e Kuvendit, pret Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës”

S’ka mundësi. Të rejat e tjera janë më të vjetra se kjo. Ama me shpresën se hyrja e PS-së në të ashtuquajturin “tempull të demokracisë” duhet të jetë patjetër lajm në faqen zyrtare të parlamentit shqiptar, klikoj mbi “Seancat Plenare”. Aty do e kenë vënë ndonjë fjali solemne nga kënaqësia që parlamenti do jetë një tempull i plotë, e jo gjysmak demokracie. Hiç! Aty lajmi i fundit daton 11.02.2010 dhe flet për vizitën e Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, shqyrtimin e një sërë projektligjeve për ratifikim marrëveshjesh për hua, financime, statute, për miratim të ligjit për autoritetin e aviacionit civil,( 72 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim); po, po, dhe për një interpelancë të ministres së integrimit. Kaq. (Ama kjo e fundit më intrigoi dhe lexova 20 faqet e proces-verbalit të mbajtur. Teatër i këndshëm shumë. “Siç e dimë ne, siç e dini ju, Shqipëria ka dorëzuar aplikimin, asaj i është dorëzuar pyetësori. Ne po e plotësojmë. Kur do e dorëzojmë? A jemi gati të marrim fonde nga BE që t’i menaxhojmë në vetë? Faleminderit zonja kryetare. Faleminderit zonja deputete. Urdhëroni zonja ministre. Faleminderit. Kemi 411 nëpunës civilë që kanë qenë pjesëmarrës në trajnimet intensive të administratës publike. U identifikuan 800. Sot kemi 1200 nëpunës të angazhuar në këtë proces. 52 përkthyes dhe shumë dokumentacion. Parimi kryesor: cilësia përpara shpejtësisë. Qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një proces ngushtësisht kalendarik, por si një proces në të cilin ne kemi vendosur që ta meritojmë këtë anëtarësim dhe, sigurisht, duke vendosur cilësinë në plan të parë.(Hë?!…!)  Faleminderit! Faleminderit, zonja Bregu! Faleminderit edhe juve. Duartrokitje. Seanca mbyllet. Të gjithë shkojnë në shtëpi të qeshur e të lumtur. Mirupafshim të enjten e ardhshme!)

Nuk është shaka jo. Kuvendi i Shqipërisë bën përshesh, media merret me deklarata e kundërdeklarata që rrëzohen brenda ditës.

Po mirë, po Partia Socialiste vetë ç’ka botuar në faqen zyrtare të internetit, për t’iu përgjigjur zyrtarisht zhgënjimit të të majtëve dhe akuzave se hyrja në parlament u bë për rroga, e jo për projekt-ligje? Një lajm në video ka: “PS – Kthehemi në kuvend për të hapur kutitë. Nuk shkojmë në parlament për të dalë, po as për të ndenjur pa i hapur kutitë. Transparenca zgjidh krizën politike”.

Po s’ka mundësi kaq shkurt. Njerëzit kanë gjashtë muaj që zihen e grihen mes njëri-tjetrit për kutitë, fiks siç i mësoi partia, tani ajo del me fjali lodra.

Sa për të shuar kuriozitetin se si informohet zyrtarisht publiku i moshës së internetit, bëra edhe një vizitë në faqen zyrtare të Partisë Demokratike. Patjetër zëdhënësja do ketë dalë më stendën e saj. Gabim sërish. Sa bluroset faqja, del “Shqipëria po ndryshon. Gazeta e fushatës”. Më poshtë, “Fjala e kryetarit  në mbledhjen e grupit parlamentar”, e të tjera gjëra të ngjashme. Ç’bëhet në kampin opozitar nuk thuhet aty. Faqe serioze bluja, nuk merret me punët e të tjerëve (përveç rasteve kur iu sugjeron më shumë dashuri, ose kur ua nxjerr për hundësh atë). Më tej ishte e kotë. Vëllezërit-opozitarë ish-miq sot-armiq të LSI-së janë akoma tek “Deklarata për shtyp në lidhje me zbulimin e eshtrave në periferi të Tiranës”.

Ka plot argumente kundërshtues për vëzhgimin tim. Qeveria nuk merret me punët e PS-së. As PD-ja jo. As LSI-ja jo. Ama Parlamenti merret që ç’ke me të. Po edhe të tjerat nuk mund të anashkalojnë një çështje për të cilën në media kanë bërë garë protagonizmi për muaj me radhë.

Faqet e internetit nuk mirëmbahen, nuk përditësohen, nuk janë burimi i parë i informacionit? Atëherë përse duhet të besojmë tek përrallat e e-government dhe tek mosha e internetit? Kur faqet kryesore zyrtare nuk publikojnë lajmin më të rëndësishëm të gjashtë muajve të fundit, ç’mund të presim për seriozitetin e institucioneve që pasqyrohen në këto faqe zyrtare të cunguara e të prapambetura?

Jo shumë! Loja vazhdon.

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Shqiptarët pa viza, – po deshi Rama 24 orë pa Ramën e Berishën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2010
M T W T F S S
« Jan   Mar »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728

%d bloggers like this: