8 Marsi i tjetersuar

08/03/2010 at 10:10 Leave a comment

(E rivendos kete shkrim per te mos perseritur veten ne 8 Mars)

Nuk është festa e nënës. Është dita ndërkombëtare e femrave. Nuk është as dita për të bërë xhiron e përhershme nga liqeni, për të blerë çorape, sapun dhe lule, apo për të ngrënë një drekë jashtë me stafin apo me gratë e lagjes. Jo! Është dita për të treguar, kërkuar dhe synuar diçka në emër të grave. Për të kërkuar një zë më tepër në qeveri, disa përfaqësuese më shumë në parlament, respekt më të madh për aftësitë në punë, pagesë të barabartë për punë të njëjtë.

Është dita për të dëgjuar organizatat e grave të publikojnë më shumë se çdo ditë tjetër të vitit përpjekjet dhe thirrjet e tyre për të ndërgjegjësuar vetë femrat se dhuna në familje nuk është punë e shtëpisë. Ajo nuk duhet toleruar. Femra nuk është objekt ku burri i shtëpisë mund të shfryjë inatin e ditës. As nuk është objekt ku eprorët apo kolegët mund të shfryjnë perversitetet e moshës apo të hierarkisë. 8 Marsi është dita për të thënë “femrat janë qenie njerëzore në marrëdhënie të shkëlqyera më dinjitetin”.

Disa të dhëna thonë se në 8 Mars të vitit 1857 punëtoret femra të një fabrike tekstili në New York  dolën në protestë në kërkim të të drejtave të tyre në punë, ulje të orarit, rritje të pagës dhe të drejtën për të votuar. Të tjera të dhëna thonë së në 8 Mars 1911 në Kopenhagen u kërkua për herë të parë që kjo ditë të bëhej simbol i të drejtës së grave për të kërkuar të drejta të barabarta para ligjit, etj, etj, etj.

E vërtetat është që çdo 8 Mars, që prej atëherë femrat në gjithë botën gjejnë arsye të reja për të kërkuar të drejta që duket sikur zmadhohen me kalimin e  Marseve. Po le të kërkojnë femrat e botës leje më të gjatë pas lindjeve, pagesë më të lartë gjatë mungesës për arsye shëndetësore, orare të reja për kopshtet dhe çerdhet, tolerancë më të madhe në gjykimet morale, pjesëmarrje më të gjerë në vendimmarrje…Femrat shqiptare do të vazhdojnë akoma të kërkojnë rolin model që gëzon dhe promovon të drejtat që nuk jua sqaruan një herë deri në fund.

Statusi dhe të drejtat e grave janë përmirësuar dukshëm që nga Mars i 1857-ës; megjithatë, shumica e grave sot në botë, në përfundim të jetës do të thoshin se pjesën më të madhe të kohës së tyre e shpenzojnë duke u përpjekur të përmbushin rolin e tyre si grua, në vend që të kërkojnë më shumë për të arritur qëllimet që duket se janë vendosur vetëm për burrat.

Ligjet dhe konventat e shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut flasin për një sërë të drejtash që gratë duhet të gëzojnë dhe t’i kenë të garantuara nga një shtet. Neni 1 i Konventës për Eliminimin e Diskriminimit ndaj femrave (Konventa e Grave) e përcakton diskriminimin ndaj femrave si “çdo lloj veçimi, përjashtimi apo kufizimi bërë mbi një person mbi bazën e gjinisë, që ka për qëllim të dëmtojë ose mohojë njohjen apo gëzimin e të njëjtave të drejta për gratë, të martuara ose jo, bazuar në barazinë me burrat, të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore politike, ekonomike, sociale, kulturore, civile apo çfarëdo të drejte tjetër”. 

Nën këtë model jo-diskriminimi, të drejtat e grave janë të dhunuara në çdo moment që atyre ju mohohen të njëjtat të drejta që ju jepen edhe burrave. Madje për këtë pikë, Konventa e të drejtave Civile dhe Politike, në nenin 3 të saj i detyron shtetet firmosëse që “ të sigurojnë barazinë e të drejtave midis femrave dhe meshkujve për të shijuar të gjitha të drejtat civile dhe politike që përfshihen në atë konventë”.

Nga ana e saj, Konventa e Grave (CEDAW) detyron shtetin të sigurojë të drejta të barabarta gjinore para ligjit në nenin 15 të saj; të marrë masa për eliminimin e diskriminimit gjinor përsa i përket jetës publike apo politike (Neni 7 i kësaj Konvente); të drejtën për arsim (neni 10); të drejtën për punësim (neni 11); për shërbime shëndetësore (neni 12; për jetën ekonomike dhe sociale (neni 13); si edhe për marrëdhëniet në martesë apo në familje (neni 16 i të njëjtës Konventë).

Pra, ligjet ndërkombëtare e detyrojnë edhe Shqipërinë ta hedhë bukur vallen e të drejtave të grave. Por, këto të drejta duhen patjetër të publikohen, të zbatohen dhe të bëhen të njohura në çdo skutë ku gratë ende nuk e dinë se burri nuk ka asnjë të drejtë të ngrejë dorën se “femra e meritoka” një gjë të tillë.  Abuzimi seksual, dhuna fizike, mendore, psikologjike, në familje, martesë apo në vendin e punës, janë të ndaluara me ligj. Ashtu siç janë edhe përdhunimi, trafikimi dhe prostituimi i detyruar.

Detyrimet e shtetit për të parandaluar dhe dënuar me ligj akte të tilla janë të parashikuara përveçse në legjislaturën vendase, edhe në nenin 4 të CEDAW-s, ku i kërkohet shtetit që përveç këtyre të mos lejojë madje as traditën apo zakonet vendase të nënshtrimit dhe dhunimit të femrës.

Një vajzë e vogël 10 vjeçare mund të ketë po aq ëndrra dhe synime sa edhe një djalë i moshës së vet, por shumicën e atyre ëndrrave ajo mund ta ketë të pamundur t’i realizojë, për shkak të barrierave perceptuese që janë ngritur mbi rolin e femrës në çdo shoqëri. Me gjithë përpjekjet për të ndryshuar të paktën në legjislaturë apo në media imazhin e barazisë dhe të mos-diskriminimit, femrat nuk do të jenë kurrë të barabarta me burrat deri në momentin që  ato do të jenë po aq të pranuara dhe prezent sa edhe meshkujt në pozita kyçe shkencore, manaxhuese, politike, udhëheqjeje, vendimmarrjeje, drejtuese apo edhe gjykuese.

Gratë e sotme në të gjithë botën vazhdojnë megjithatë të jetojnë nën ligje të vendosura përgjithësisht nga meshkujt, përderisa ata vazhdojnë të kenë shumicën absolute të ligjvënies kudo në botë. Të drejtat e njeriut sigurojnë dinjitet, barazi dhe siguri jete për çdo person, pavarësisht gjinisë, racës, kombësisë, fesë apo grupit social.  Të mohosh të drejtat e një personi që si gjini i ka rënë për pjesë të jetë femër, do të thotë ta poshtërosh atë karshi të drejtave të barabarta që duhet të gëzonte me jo-gjininë e saj. Dhe ky dhunim të drejtash shpesh çon në humbjen e besimit tek vetja, izolimin e plotë të botës së saj, depresion dhe zhvlerësim tërësor të kuptimit të jetës së një femre. Plot 170 vende e kanë ratifikuar Konventën e Grave (CEDAW), në mënyrë që t’i thonë “STOP” fenomeneve të mësipërme. Të drejtat e grave janë veçanërisht komplekse; dhe më shumë sesa mbrojtur, ato duhen promovuar.

Në shumë raste është vënë re se konventa e grave nuk është aq  e përdorur në trajnimet dhe kurset juridike sa edhe konventat e tjera. Që do të thotë, promovimi i të drejtave të grave nuk është një çështje fort e parapëlqyer në profesionet ligjore. Pavarësisht dëshirës së mirë për të parë më shumë gra në politikë apo vendimmarrje, asnjë ligj kombëtar apo ndërkombëtar nuk detyron asnjë shtet të marrë masa apo të ndëshkohet për mos-marrjen e iniciativave për përfshirjen më të gjerë të grave në jetën aktive politike dhe civile.

Por as emri i konventave për të drejtat civilo-politke, as ai për femrat, e jo më të drejtat që ato parashikojnë, nuk kanë për të shkuar në 8 Mars në ekranet apo jetët e grave shqiptare nesër, kur në 8 Mars, gjithë lumturi e plot lule në duar, ato do të shkojnë nga liqeni ose tek komshia, kurse promovuestet e të drejtave të grave do të festojnë me kolegët lokaleve të shtrenjta të shekullit të 21-të në Tiranë.

Entry filed under: Human Rights. Tags: .

Doktorë prej letre Gratë jashtë bulevardit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2010
M T W T F S S
« Feb   Apr »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: