Gratë jashtë bulevardit

10/03/2010 at 21:04 1 comment

 

 

2 për qind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri ekstreme (nën 4 mijë lekë të ardhura mujore); 19  për qind e familjeve në zonat rurale dhe informale jetojnë me ndihmë ekonomike; në 37 për qind të këtyre familjeve, punon vetëm një anëtar i familjes për të ushqyer gjithë të tjerët. Jo vetëm kaq. Në mbi gjysmën e familjeve shqiptare, buxhetin e kontrollon burri. Është po ai, ose familja e tij që vendos madje edhe nëse gruaja duhet të punojë dhe nëse po, si do të shpenzohen paratë e saj.

Këto nuk janë shifra që vijnë nga Afrika. As nuk janë bërë në vitin 1992. Jo. Janë përfundime të nxjerra nga një studim i mirëfilltë i bërë nga një grup njerëzish të përkushtuar për të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha, për promovimin e të drejtave të grave në Shqipëri. Studimi është bërë nga një ekip i përbashkët shqiptaro-anglez dhe rezultatet u publikuan me rastin e ditës ndërkombëtarë të gruas. Në fokus vërtet ishte gruaja që jeton jashtë bulevardit, por sipas statistikave të INSTAT, ato përbëjnë edhe shumicën e popullsisë.
Dhe në Tiranën e politikës, bulevardit, bareve luksoze, spektakleve e luftës për pushtet, nuk ka si të vihet re se jashtë saj, përtej sallave hijerënda ku u organizuan aktivitetet për gratë në 8 Mars, mbi 50 për qind e femrave shqiptare akoma nuk janë në gjendje të zgjedhin vetë edhe njeriun me të cilin do të kalojnë jetën, e jo më të kuptojnë pjesëmarrjen në politikë dhe votimin jo familjar.
Po. Mbi 50 për qind e të anketuarave thanë se janë martuar me mblesëri. E pavarësisht marzhit të gabimit që mund të ketë studimi, sërish është e trishtë të mendosh se në disa zona të caktuara, për fatin e femrës, akoma vendos tjetërkush.
Anketimi sjell fakte interesante edhe për mënyrën se si gratë e konsiderojnë njëra-tjetrën në rastet kur statusi i tyre ndryshon, si perceptohen gratë që nuk kanë fëmijë (shumica mendojnë se përveç se fatkeqe, ato janë edhe të pavlefshme për shoqërinë); dhe perceptimi më negativ ishte për gratë e divorcuara.
Nuk ishte nevoja të vinte ky studim për të treguar se në Shqipëri, gratë që janë viktimë e dhunës në familje, zgjedhin të vuajnë në heshtje më mirë sesa të ankohen apo të ndahen nga bashkëshorti. Divorci akoma ngelet tabu dhe shihet si “ç’nderim”, edhe nëse ai bëhet i domosdoshëm në rastet e keqtrajtimeve ekstreme të gruas apo të fëmijëve.
Në ditën e 8 Marsit mund të ishte folur pikërisht për këto vështirësi. Dhe televizionet kombëtare mund të kishin bërë kronika apo reportazhe edukative, në vend të raportimeve për blerje lulesh e komplete bizhuterish për 8 Mars. Një vëzhgim i thjeshtë me kamera i një nëne që i drejtohet qendrës shëndetësore, i një vajze që del nga qendra e rehabilitimit apo anti-trafikut, e një shitëseje në tregun e perimeve që në orët e para të mëngjesit, e studenteve femra që mbushin auditorët e zyrave drejtuese, që janë të gjitha të zëna nga meshkujt; e grave që akoma punojnë fshatrave për të mbajtur familjen në këmbë; e vajzave që ngelen pa punë në përfundim të studimeve të tyre, të detyruara të qëndrojnë sërish në varësinë ekonomike të familjes; apo edhe të rejave që mbushin kafenetë e bllokut në çdo orë të ditës. Të gjitha ekstremet mund të gjendeshin lehtë në 8 Mars, mu përtej luleve e bizhuterive që pamë në ekran.
Mikrofoni mund të ishte drejtuar për të pyetur “Ku shkoni nëse keni një problem ligjor”? Sepse mbi 50 për qind e grave shqiptare sot nuk iu drejtohen autoriteteve, ose sepse nuk kanë besim tek ato, ose sepse kanë frikë nga personat e familjes. Atëherë, për çfarë duhen lulet?

Gati 20 për qind e femrave në Shqipëri nuk flasin kurrë për problemet e tyre, sepse nuk ka kush i dëgjon. As media nuk është e interesuar për këtë, duket qartë. Edhe ato që flasin, pjesën më të madhe të bisedës e fokusojnë tek vështirësitë ekonomike. Dhuna jo. Barazia gjinore nuk bën pjesë në konceptet e tyre. Kurse vështirësitë sociale as që kuptohen se ç’mund të jenë e përse u dashka që ato të pretendojnë ndryshe.
Studimi thotë se vetëm 2 për qind e grave në Shqipëri flasin për librat, e brenda kësaj përqindjeje, akoma më pak dinë të artikulohen e të kenë mendim të pavarur për librin. Nuk po flasim për studentet, për politikanet apo personazhet që janë, ose vetëquhen intelektuale. Bëhet fjalë për shumicën e popullsisë femërore në Shqipëri, e që nuk jeton brenda unazës së vogël të Tiranës. Po. Jeta e tyre trazohet nga thashethemet, nga niveli i ulët i jetesës, nga problemet ekonomike, nga pasojat e martesës në moshë të vogël. E për këto, nuk ka as Parlament, as media, as OJF që flet. Nuk flasin sepse të gjitha këto probleme janë të lidhura ngushtësisht me papunësinë dhe varësinë e plotë ekonomike të këtyre grave e vajzave. Dhe askush nuk është në gjendje apo i gatshëm të ndryshojë diçka për to.

Prandaj 8 Marsi fokusohet tek lulet; sepse realitetin e grave jashtë bulevardit, as e do, as e pranon kush.

Përfundimi më i trishtë në atë studim qëndron pas pyetjes: “Çfarë do të ndryshonit në jetën tuaj”? Nga gratë jashtë bulevardit, 85 për qind nuk janë përgjigjur. 85 për qind nuk dinë ç’duan të ndryshojnë, ose kanë frikë ta shprehin, sepse nuk dinë nëse ndryshimi që duan është i thënshëm, i mundshëm apo i kuptimtë.
Pra, gratë janë konfuze, të paqarta dhe të painformuara.
Atëherë, për çfarë duhen lulet? Duhen mbase për gratë e suksesshme, për ato që kanë arritur t’i bëjnë ballë sfidave të shoqërisë maskiliste, që janë aktive në jetën publike e politike, që tregojnë se janë qenie njerëzore që vlejnë e që punojnë fort. Por kjo është vetëm një përqindje e ulët e femrave në Shqipëri.
Shumica jeton në zonat e përfshira në studimin e përmendur. Dhe për 8 Marsin, presin iniciativa që mund t’i vënë ato në qendër, mbi të gjitha, duke i përfshirë aktivisht në punë dhe në shoqëri.
Po të kishte mundësi punësimi dhe angazhimi për këto gra, 85 për qind e tyre, të paktën do të dinin ç’kërkojnë të ndryshojnë në jetë. Po me siguri, nuk do kërkojnë thjesht që në 8 Mars t’iu blejnë nga një karafil apo t’i nxjerrin në televizor.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

8 Marsi i tjetersuar Kualifikim në vend të diplomës

1 Comment Add your own

  • 1. edrus  |  13/03/2010 at 20:00

    Po të kishte mundësi punësimi dhe angazhimi për këto gra, 85 për qind e tyre, të paktën do të dinin ç’kërkojnë të ndryshojnë në jetë
    Do kërkonin kushte më të mira pune?!

    Është vërtet e dhimbshme të dëgjosh statistika të tilla.
    Faji pjesërisht i ngelet gruas (qëftë për mazokizmin me të cilin duron dhunimet, qoftë për mosreagimin ndaj situatës në të cilën konsiderohet si një lloj specie e nënzhvilluar).
    Ky regres i gruas shqiptare i ngelet në dorë vetëm Injorancës (falë edhe shkatërrimit sistematik të sistemit edukativ e shkollor).

    Kjo është një temë ku, gjithkush, prej nesh që shkruan nga një kompiuter, mund të flasë i indinjuar… por, “ne” mund të flasim pa probleme edhe për anën tjetër të medaljes… Në Angli, për herë të parë (megjithse fenomeni mendohet të jetë shumë më i përhapur), një burrë denoncoi gruan për keqtrajtimin që i bënte në shtëpi🙂

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2010
M T W T F S S
« Feb   Apr »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: