Shembullorë në papërgjegjshmëri

17/03/2010 at 23:10 Leave a comment

“Duhet ta shtrydhësh limonin brenda letrës, e pastaj ta hedhësh mbi peshk”- kamarieri ndërhyri pa marrë leje, për të shpjeguar praninë e një cope të madhe letre alumini, brenda të cilës ishte mbështjellë një fetëz limoni që mezi dukej. Pa u ndalur hiç mbi aftësitë kulinare, një përzierje e pamatë e çdo lloj kuzhine brenda një pjate të vetme, pjesa më interesante në restorantin me pesë yje (të vëna vetë), ishte shërbimi.

Para se të jepet porosia, kamerierët nxitojnë të tregojnë se e meritojnë vendin e punës, sepse flasin rrjedhshëm anglisht (pavarësisht se ngecin në shërbim). “Yes, yes. Take your time. I am here”. Po për 10 minutat në vazhdim, askush nuk duket i gatshëm për shërbimin në sallë.

Një ditë më parë, duheshin 20 minuta për të sjellë një pije të ftohtë. (Po, po. Kishte dalë dielli të dielën); kurse ushqimi vonohej edhe më shumë. Patjetër. “Dita e verës. Kemi shumë punë. S’iu mundim dot të gjithëve” – justifikohej kërcënueshëm kamerieri.

Jashtë zonës së fortifikuar të hotelit me pesë yje, shërbimet që në Tiranë konkurrohen egër, (dhe pa e vrarë mendjen nga i dashuri shtet), jashtë Tiranës janë në luftë për mbijetesë, duke pritur me ankth që të shohin t’iu hapet dera. “Për vendasit 300 lekë krehja. Për të ardhurit 500”. Nga dallohen vendasit?! Vetëm femrat e lagjes konsiderohen të tilla.

Në supermarket shitësi rrit artificialisht shërbimin e një produkti, që në etiketë është shkruar shumë qartë si më i ulët në një letër vrasëse të verdhë. “Pse çmimi më i lartë nga ky që keni shënuar në etiketë?” – pyet klientia para meje. “Po hë, se ti e përballon. Je nga Tirana. Ju andej keni para’. Shpenzoi ato të shkreta lekë, se për qejf ke ardhur këtë fundjavë. Pastaj, s’kam pasur punë fare sot”.

Kultura e çmimeve të qëndrueshme dhe fitimi afatgjatë, zero. Sot. E duam fitimin sot. Tani. Menjëherë.  

“Emrin. Mbiemrin. Pagesën. Mos e merr çantën me vete. Rri këtu sa të kthehem unë” – “Mirësjellja” e dukshme vjen nga një prej infermiereve, që shërben edhe si recepsioniste në një klinikë private. Kam ardhur këtu, sepse në spitalet publike nuk gjen asnjëherë as mjekë, jo më recepsioniste. Këtu gjeta dikë që e bënte me detyrim këtë rol, por që dukej hapur se kishte inat të gjithë botën për shkak të kësaj detyre të padëshiruar.

Mjeku kishte ton të ngjashëm. “ Mbështetu. Rri. Lëviz. Mos lëviz. Ik”. Asnjë pyetje për shqetësimin e kaluar apo historikun mjekësor.

Në një institucion shtetëror, roja që rri edhe në tryezën që shërben si recepsion, nuk e hap fare derën. Kërcënohet me sy e me fjalë pse i është prishur qetësia. Merr në telefon zyrtarin që nuk përgjigjet dhe ta mbyll derën në fytyrë. Para se të iki, i hedh një sy kafes që është ngjitur me institucionin. Zyrtari është aty. Tek kapërcej derën e rojës, ai i buzëqesh zyrtarit me një shprehje servile dhe jo-domethënëse, sikur të mos kishte bërë asgjë të pasjellshme vetëm pak minuta më parë.

Eksperiencat ngjajnë si pika uji e përsërisin pa mbarim njëra-tjetrën. Në aeroport, në bankë, nëpër zyra, institucione, hotele, bare, restorante, spitale,  madje edhe dentistët. Të gjithë të presin me këmbët e para dhe kanë një sjellje fare të pahijshme ndaj klientit.

Të gjithë këta ndërmjetës ose ofrues shërbimesh, ndodhen çdo ditë edhe në rolin e përfituesit. Në këto ratë, mund të ngrenë zërin më shumë se të tjerët, për t’u ankuar për cilësinë e ofrimit apo ndërmjetësimit. Sido që të jetë rasti, shërbimet në Shqipëri janë një makth i vërtetë në aspektin etik dhe atë të sjelljes.

Ama edhe klientët vetë nuk mbeten pas. Të gjithë duan të shërbehen të parët. Respektimi i radhës nuk ekziston fare në kokën  dhe sjelljen e klientëve. “Më jep një paketë mua” – thërret që burrë i shëndoshë, që zgjat krahët sipër kokave të tre klientëve që janë përpara tij tek arka e një marketi.

“Shtyu pak më tutje. Nuk e shikon që s’jam veshur për të më shkelur ti” – dëgjohen zënkat nëpër autobuze. “Do e sjellësh atë kafen, se u plakëm këtu ne” – është refren që dëgjohet refren nëpër kafene.

Pra, edhe si ofrues, edhe si përfitues shërbimi, jemi mrekullisht të padurueshëm.

Po përveç prirjes për të nxjerrë me domosdo dhjamë nga pleshti duke mbajtur çmime shumë të larta për të kompensuar klientelën masive, (që në Shqipëri nuk ekziston në asnjë shërbim, përveç telefonisë), sjellja më acaruese e ofrimit të shërbimeve qëndron tek mungesa totale e përgjegjësisë. “ Fletëpalosjen? Po. Për dy ditë e  ke gati. C’ke ti, e kam parasysh vetë. S’është hera e parë që merrem me to”. Pas dhjetëra dy-ditëshesh, fletëpalosja vjen me germa që mezi lexohen, me foto të paqarta, e hollë si fletë cigareje (pavarësisht se është paguar për tjetër lloj letre), me logo të deformuar, me adresë gabim, me shkrim në disa lloje formash e me ngjyra që nuk kanë lidhje me ato të kërkuarat.

Erdha. Dëgjohemi. E ke gati nga java. Mos e diskuto. U tha, u bë. Janë të gjitha shprehje që i kemi në majë të gjuhës e në cipë të veshit.

Ama shpesh ndeshemi jo vetëm më politikën acaruese e pasive, por edhe me një përditshmëri të mbushur me njerëz, sjellje, marrëdhënie e mungesë përgjegjshmërie po aq të shembullt sa në politikë.

Shqipëria, Shqipëria. Do bëhet. Do bëhet një ditë.

Entry filed under: Shqiptarizëm. Tags: .

Kualifikim në vend të diplomës Greqia, përçarësja e Eurozonës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2010
M T W T F S S
« Feb   Apr »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: