Greqia, përçarësja e Eurozonës

24/03/2010 at 10:40 Leave a comment

“Nëse Greqia do të ketë nevojë për ndihmë nga shtetet e Eurozonës, ne nuk do ta lëmë në baltë. Unë do të preferoja një zgjidhje ku Fondi Monetar Ndërkombëtar të mos ishte i përfshirë, sepse më pëlqen që çështjet e Eurozonës t’i shoh të zgjidhura nga vetë ajo. Ama po lindi nevoja për një ndërhyrje të kombinuar të BE-së me FMN-në për të zgjidhur krizën greke, nuk do të isha kundër kësaj alternative” – ka qenë kjo kundërpërgjigja që Jean-Claude Juncker, drejtuesi aktual i mbledhjes së ministrave të financës së vendeve të BE-së, i ka dhënë kancelares gjermane nga foltorja e parlamentit europian.

Përcarja për mbështetjen ose jo me një paketë lehtësuese për vendin fqinj, ka disa javë që është e dukshme. Por ajo u kristalizua më tepër gjatë fundjavës, kur kancelaria gjermane Merkel sugjeroi prerë që Greqia t’i drejtohej FMN-së për borxhe, e jo BE-së për grante që të mbulojë gabimet e saj financiare.

Në përpjekjen e tij për të bindur europianët që të tregohen shpirtmirë në këtë periudhë nevoje për Greqinë, Juncker ne fakt kërkoi rikthimin e investitorëve evropiane në vendin helen, si edhe më shumë presion nga eurozona që të bindë tregjet financiare të reagojnë “arsyeshëm” ndaj Greqisë.

Kriza greke ka tërhequr tashmë vëmendjen politike dhe ekonomike të botës, edhe përtej BE-së. Kryeministri grek Papandreu u kthye duarbosh nga SHBA-ja. Analistët e atjeshëm të ekonomisë reaguan me shumë pesimizëm në të përditshmet e mëdha amerikane, duke parashikuar se kriza greke do të pasohet në shumë të tjera në Europë, nën efektin e frikshëm “domino”.

Europianët lëshojnë alarmin se pothuajse në të njëjtën vështirësi ndodhen e janë në prag të shpërthimit edhe Portugalia, Italia, Irlanda dhe Spanja. Këmbënguljet e Berluskonit për ta ndihmuar Greqinë, kundrejt qëndrimin kategorik të Merkerlit për mbështetje nga BE, ku vendi i saj është kontribuuesi më i madh financiar, të bën të dyshosh se vërtet kriza i rri pas dere edhe Italisë, e mbase është shteteve të tjerë më sipër.

Po ç’e solli këtë thellim krize në Greqi?  Analistët e ekonomië arsyetojnë se shkaku kryesor është një i vetëm – shpenzimet. Ashtu si edhe në para-krizën amerikane të vitit të kaluar, shpenzimet dhe bonuset kapërcyen çdo limit në Greqi. Ajo mbështeti një politikë deficiti në shpenzime për të mbuluar mbidozat financiare në programet e saj sociale. Si në çdo vend tjetër që e kishte kaluar më parë këtë eksperiencë, edhe në Greqi ky fenomen u fry artificialisht dhe nuk pushonte së thithuri para edhe kur ekonomia mezi po mbahej në këmbë. Për të mbuluar mbi-shpenzimet dhe bonuset e panumërta, qeveria greke shtoi borxhin e jashtëm, interesat e të cilit rriteshin me thellimin e krizës.

E frika e BE-së nuk është thjesht tek Greqia. Por, duke qenë se ajo e ndan ekonominë edhe me 26 vende të tjera, europianët kanë filluar t’i kushtojnë më tepër vëmendje. Arsyeja është e thjeshtë; europianët duan të parandalojnë përhapjen e krizës në vende të tjera, apo rrëzimin e tyre të pa-evitueshëm, nëse Greqia lejohet të rrëzohet e para. Dhe ky nuk është një shqetësim që lindi sot.

Qysh prej krijimit, një prej shqetësimeve të BE-së ka qenë pikërisht rreziku që sjell me vete dhe përhap me shpejtësi kriza financiare edhe e një vendi të vetëm të zonës së përbashkët. Në fakt, BE ka të miratuar një Pakt për Rritjen dhe Stabilitetin Financiar, që përcakton qartë nivelin tavan të borxhit që i lejohet një shteti të eruozonës të marrë. Dhe kjo shifër është 60% e prodhimit të brendshëm bruto. Ndërkaq, shpenzimet deficit nuk duhet të kalojnë 3% të GDP-së. Ky pakt është shumë i vështirë për t’u respektuar nga vendet anëtare, e deri tani, Portugalia, Spanja dhe Irlanda janë dhunuese të njërit kufizim ose tjetrit, kurse Greqia po shkel me të dyja këmbët të gjitha parimet e këtij pakti, të nënshkruar edhe nga ajo vetë disa vjet më parë.

BE ka monedhën që ndodhet në vend të dytë në botë përsa i përket rezervave monetare dhe do të jetë interesante të dëgjojmë se si do ta argumentojë Merkel kundërshtimin e saj për të mbështetur një vend anëtar. Analistët financiarë besojnë se BE do të ndërhyjë para se të jetë shumë vonë dhe këto dy ditë, në Bruksel zhvillohet takimi i veçantë për të diskutuar mbi çështjen e Greqisë.

“Unë jam i sigurt se po t’i japim edhe një shans, qeveria greke do të dijë si të sillet me financimet publike” – tha dje Juncker në mbrojtjen e idesë së tij para parlamentit europian. Por, Angela Merkelit i dëgjohet më shumë fjala, dhe ajo akoma beson se Greqia e ka tepruar me shpenzimet (mbi të gjitha për administratën e saj publike); si rrjedhim, helenët duhet ta gjejnë vetë një zgjidhje për problemin që i kanë shkaktuar vetes.

Sido që të shkojë samiti i të enjtes dhe të premtes për Greqinë, një gjë është e sigurt: Fqinj ynë i ka punët pisk. E ka tepruar sa s’ka ku të vejë më me shpenzimet e pakontrolluara të administratës, dhe tani rrezikon të ngelet me gisht në gojë, sepse BE nuk pranon të paguajë për qejfet e nëpunësve grekë.

Ndërkaq, problemi është shumë më i thellë. Përpos ndikimit të drejtpërdrejtë që kriza greke ka te qindra mijëra familjet shqiptare që jetojnë e punojnë në Greqi, gjendja e saj po lëkund edhe imazhin e një eurozone të fortë e solide.

Pas sugjerimeve për të shitur ishujt apo për të toleruar për emrin e Maqedonisë fqinje, si alternativa për të marrë  në konsideratë thirrjen për ndihmë, sjellja e BE-së nndaj kësaj gjendje është vërtet për t’u studiuar.

Pas të premtes, do të shohim nëse Eurozona do të triumfojë mbi vendimet politike apo preferenciale të Brukselit. Për momentin, kriza e Greqisë i ka prekur të gjithë; të paktën mendërisht, në kohën dhe mendimet e europianëve për t’i dhënë drejtim asaj.

Çfarë fshihet pas krizës? Mbase samiti i kësaj jave dhe vendimet e marra aty, do të hedhin më shumë dritë mbi Greqinë e zhytur në terrin financiar.

Entry filed under: Analize, BE. Tags: .

Shembullorë në papërgjegjshmëri Protesta, për çfarë dhe për kë?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2010
M T W T F S S
« Feb   Apr »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: