Protesta, për çfarë dhe për kë?

26/03/2010 at 10:27 Leave a comment

Partia socialiste vazhdon të  “kërcënojë”  se do bëjë namin me protesta nëse kërkesa e saj për hapjen e kutive vazhdon të neglizhohet nga kryeministri i vendit dhe maxhoranca që ai drejton.

Refreni është i përsëritur dhe ka pak gjasa të besohet. Çështjet kryesore që mbart me vete koncepti i “protestave” janë dy: 1) A sjellin ato ndryshim (pra, a janë efektive), e nëse po, për kë? Për organizatorët, apo për masën e protestuesve? Pra, a sjellin protestat ndryshim për të mirën e shumicës? 2) Cili është vendi që zë protesta në një vend që formalisht është shtet i së drejtës dhe jeton në demokraci?

T’i shohim me radhë.

Protestat janë formë e përdorur me shumë sukses nga popullsi e grupe etnike, kulturore apo fetare në vende dhe kohë të ndryshme. Heqja e skllavërisë në Europë dhe Azi erdhi vetëm si rezultat i protestave masive të miliona skllevërve në botë. Miratimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtave civile në Amerikë është bërë vetëm pas organizmit dhe këmbënguljes së protestuesve në masë të papërballueshme për t’u neglizhuar.

Gratë e kanë fituar të drejtën e votës në shumë vende vetëm pas protestave masive. Indianët nuk i ndalën protestat deri sa sundimi britanik mori fund. Afrikano-jugorët arritën të marrin pas vetes edhe miliona protestues të tjerë, deri sa regjimi i aparteidit edhe atje u përmbys. Dy nga personalitet më të shquara të shekullit të kaluar, Martin Luter King dhe Indira Gandhi u bënë të njohur në mbarë botën vetëm për shkak të aktivizimit të tyre të pandalshëm, dhe protestave të njëpasnjëshme në emër të jetës dhe të lirisë.

Ama, siç shihet qartë, këta njerëz dhe protestuesit e tyre janë ngritur në këmbë për të drejta themelore, (jeta dhe liria), që së bashku me të drejtën e pronës, janë tre shtyllat e  të drejtave të njeriut. Gjithë të drejtat e tjera (ekonomike, politike, kulturore, sociale, etj), janë të drejta të një shkalle tjetër. Në emër të tyre mund të protestosh edhe pa i pasur tre të parat, por do ishte luftë me mullinjtë e erës që të kërkosh të drejta politike në një vend ku shteti nuk arrin të bëhet garant i të drejtës së jetës dhe të pronës.

Protestat për pakënaqësitë dhe mospranimet personale të rezultatit që përcaktoi kryeministrin e Shqipërisë, duken si një gur shahu i luajtur shumë keq në një fushë ku ushtarët e të dy palëve kanë të njëjtën ngjyrë.

Dhe këta ushtarë nuk mobilizohen apo drejtohen të dalin në protestë për të drejtën e pronës, për atë private e publike, për vjedhjen, tjetërsimin, shfrytëzimin dhe transformimin e  saj. Jo, se është luftë që e drejtojnë mbretërit e të dy kaheve.

As nuk iu kërkohet ushtarëve të protestojnë për sigurinë e jetës si kalimtarë, që të mos rrëmbehesh apo rrezikohesh në mes të ditës e në qendër të kryeqytetit. As për sigurinë e jetës në rrugë, që vjen nga mungesa e theksuar e sinjalistikës dhe masave mbrojtëse. As për mungesën e lirisë së lëvizjes nuk proteston e as nxitet të protestojë kush, sepse politika ka nevojë ta ketë kartë të vetën çështjen e lëvizjes së lirë dhe protestat nuk janë të mirëpritura në këtë rast.

Më keq akoma, as për të drejtën e sigurimit të jetës në shtëpitë e ngritur me mund, që përmbyten nga mos kujdesia, etja dhe shpërthimi që s’ka digë të pa-mirëmbajtur ta frenojë.  Po qëndrojmë gjithmonë tek tre të drejtat themelore, pa dashur të kalojmë në mungesën e protestave, nxitjes apo mbështetjes për to për shkak të papunësisë, miratimit të ligjeve që prekin mjedisin, që rrezikojnë jetën, që ndotin ajrin që thithin mushkëritë e të gjithëve. As për mungesën e reformave dhe shërbimeve në mjekësi. As për problemet rritjen e çmimeve, abuzimit me fondet, me hapësirat publike, me arsimin, me transportin, me informalitetin. Jo, sepse këto as nuk bëjnë pjesë fare në të drejtat e njeriut, pavarësisht se në legjislacionin jashtë konventave të së drejtës janë të përcaktuara mirë.

Pra, këto protesta që do të çonin në ndryshime sociale, në përmirësim të një apo disa kushteve të jetesës e që mund të gjenerojnë një të mirë të përbashkët, as nuk nxiten, as nuk organizohen nga opozita. ( e cilitdo krah që të jetë ajo).

Kurse protesta në emër të votës po. Shumë mirë do ishte nëse kjo do ishte e vërteta. Por, paralelisht me zhurmën për protesta, opozita po lë në hije gjithë detyrimet e tjera të saj. E drejta e votës nuk u dhunua në 28 Qershor. Shqiptarët u sollën shumë më qytetarë dhe të pjekur sesa politikanët.  Problemet filluan me daljen e rezultateve, dhe aty, domosdoshmërisht tradita shqiptare e një demokracie të papjekur, filloi të ngrejë kokën për të kërkuar me çdo kusht interpretimin e situatës sipas festes partiake.

Opozita kërkon sot protesta në emër të votës, që ka deformuar demokracinë.

Po çfarë është demokracia? Pushteti i popullit do të thotë, dhe është sistem që favorizon vendimmarrjen në bazë të shumicës së votave. Qeverisja në këtë lloj sistemi përcaktohet me zgjedhje mbarëkombëtare. Demokracia në teori kundërshton si autokracinë (fuqia qëndron në duart e një njeriu të vetëm) ashtu edhe dhe aristokracinë (pushteti në duart e një grupi “superior”). Sigurisht kundërshton edhe format e tjera të regjimeve ushtarake apo diktatoriale. Dy të fundit në Shqipëri sot për sot nuk ekzistojnë. Kurse dy të parat, me vetë-emërim, po.

Defekti më i madh i demokracisë është se shumica vendos për pakicën. Në rastin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare në Shqipëri, ndryshimi sasior mes shumicës e pakicës mund të mos jetë i konsiderueshëm, dhe kjo e bën më fatkeqe zgjedhjen e qeverisë aktuale; ama rruga e zgjedhur nga përfaqësuesit e pakicës për të penguar ecurinë nën qeverisësin e zgjedhur nga shumica, e vështirëson jetën e vetë zgjedhësve. Mbi të gjitha sepse në emër të tyre nuk ndërmerret asnjë iniciativë tjetër. Gjithashtu edhe sepse format e zgjedhura nuk gjejnë ndonjë përshtatje me modelin e demokracisë që pretendohet.

Sistemi mundëson vërtet zëvendësimin e pushteteve nga njëri kah politik në tjetrin, por ai nuk mund të japë asnjë garanci se qeveria e partisë apo koalicionit që fiton, do të përbëhet nga njerëz të ndershëm dhe kompetentë, që do të jenë në gjendje t’i shërbejnë interesave të zgjedhësve. Kjo akoma nuk ka ndodhur në Shqipëri. Me shumë gjasa, edhe sikur protestat të sillnin para kohe në pushtet një qeveri tjetër, përfitimet e zgjedhësve do ishin po aq të boshta dhe jo-ekzistente sa c’janë edhe sot.

Demokracia është e supozuar të mundësojë ndërrimin e paqtë dhe të shpejtë të pushteteve. Në të gjitha rastet që ka humbur Partia Demokratike, ky vend ka pasur mallkimin dhe fatkeqësinë të vuajë pasoja çnjerëzore. Së fundmi, edhe në rastet kur po humbet Partia Socialiste, po bëhemi dëshmitarë të një agresiviteti po aq të papërgjegjshëm ndaj mundësisë për të ecur përpara.

Opozita mund të vendosë shumë mirë të vazhdojë lojën e saj të kutive, të votave e të protestave, por sistemi demokratik ku ata po operojnë lejon që parlamenti të kalojë me një shumicë të thjeshtë shumë ligje e rregulla që përcaktojnë ç’është drejt e ç’ështe gabim, çështje që prekin pasurinë dhe varfërinë e shqiptarëve, të punësimit e të lëvizjes. E për to, nuk pritet deri sa t’i mbushet mendja ndonjërit se humbja individuale në zgjedhje nuk është motivi i vetëm për të cilin protestat ekzistojnë.

Në vendet e zhvilluara ku demokracia funksionin më së miri, protestat politike nuk funksionojnë më. Çfarë funksionon në këto vende është respekti për ligjin dhe bindja ndaj tij, vendosja e ligjit mbi qeverisjen, respekti për pronën private dhe etika e biznesit. Këto shtylla mundësojnë mirë-funksionim e sistemit elektoral që ndërron qeveritë me rotacion. E nëse këto shtylla mungojnë, nuk ka as sistem, as protestë që t’i rregullojë gjërat.

Protestat nuk mund të sjellin ndryshime brenda natës në një vend ku ligji dhe të drejtat themelore shkelen hapur. Iniciatorët e protestave janë po aq bashkëfajtorë sa edhe pala tjetër në dhunimin e jetës, lirisë e të pronës, sepse legjislacioni që i mbron/lë zbuluar ato është hartuar dhe miratuar në kohë të ndryshme qeverisëse.

Protestat nuk mund të bëhen në emër të popullit. As qeveria nuk punon në emër të tij. Ky grusht njerëzish që shkëmben replika, akuza, premtime e kërcënime në emër të popullit, as që shqetësohet fare për të, përveçse për votën. Edhe kutitë mbushur me to janë. Vota. Ajo siguron pushtetin e përfaqësuesve, por kurrë të përfaqësuarit e harruar sa hedhin votën.  

Prandaj protestat e përmendura me aq patos nga opozita duken kaq të papërshtatshme në një vend ku parimet bazë të demokracisë dhe të drejtat themelore të njeriut neglizhohen pa asnjë teklif, kurse zhurma për votën që sjell pushtetin personal, është kryefjala e pasfidueshme në këtë vend ku respekti për ligjin, për jetën dhe për pronën, nuk kanë asnjë rëndësi.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Greqia, përçarësja e Eurozonës Rruga për në BE kalon nga Kopenhageni

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2010
M T W T F S S
« Feb   Apr »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: