Qeveria punon. Po si?

02/04/2010 at 14:13 Leave a comment

 Është shumë interesante të klikosh në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Unë e bëj shpesh, sepse vetëm aty e gjej të plotë larminë e çështjeve, diskutimeve dhe vendimeve të marra. Aty, sepse media sjell interpretime dhe lajme dite, që pak kanë të bëjnë me interesin e drejtpërdrejtë që mund të kenë njerëzit ndaj aktivitetit të të zgjedhurve të tyre. (të zgjedhurit e të zgjedhurve). Kurse faqja zyrtare e qeverisë është plot me të vërteta, që brenda tyre kanë xhevahire. 

Raportimi i mbledhjes së fundit bërë në kryeministri tregon për një propozim projekt-ligji për të ratifikuar marrëveshjen e huasë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të financuar projektin për rrugët rajonale dhe ato lokale.

M’u duk ogur i mirë, se pas vrullit elektoral, bashkë me ndërtimin e rrugëve, ra edhe mirëmbajtja  e tyre. Herën e fundit që udhëtova për në Jug, në rrugën Fier-Vlorë makina vetëm që s’kishte gojë të më thoshte “Do të të shtrembëroj edhe unë ty po të lashë në baltë në ndonjë nga këto gropat si kamare që po më detyron të përshkoj”. Asnjë mundësi devijimi nuk ka ajo rrugë. Copë-copë është bërë. Po asnjë kacidhe nuk ka në dispozicion qeveria për ta rregulluar këtë vit. Kështu që udhëtarët e pushuesit duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, me brinjët e me makinat para se të nisen për në Vlorë këtë verë. Ama projektligji qenkej për rrugët rajonale dhe lokale. Fier-Vlorë, hic!

Vendimi numër 2 i qeverisë sime në raportimin e marrë në shqyrtim: Projektligj për ratifikimin e protokollit të pestë shtesë të marrëveshjes “Për forcën shumëkombëshe të paqes në Europën Juglindore”. Në rregull, vetëm pse shtesa numër pesë? Interpretimi i vetëm që më sjell ndër mend ky vendim është planifikimi i keq i marrëveshjes, që nuk ka marrë parasysh zgjatje të tilla. Po për planifikim nuk është se shquhemi si racë, kështu që po mbyllim një sy.

Vendimi numër 3: Kalimi i një sipërfaqeje, pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe vënien e saj në dispozicion të Agjencisë së kthimit e kompensimit të pronave. Pikë. Sipërfaqja është 27.070 metra katrorë, me zë kadastral “shesh” qenka pronë shtetërore dhe kalon në fondin e kompensimit fizik të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, që ta përdorë atë për kompensimin e pronarëve sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Ku është kjo tokë, nuk e dimë. As kush do e marrë. Por thjesht miratimi i këtij vendimi ngacmon serish çështjen shumë delikate të pronës. Një grup investitorësh anglezë po thonin po në këtë ditë vendimi se iu vinte keq që u detyruan të tërhiqen  nga disa iniciativa investimi nëpër Shqipëri për ndërtime kompleksesh (sipas mënyrës së tyre të strukturuar, e jo në garë vertikalisht për kate, gjeografikisht për forma e ylberisht për ngjyra pallatesh). Tërheqja u bë pikërisht për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. As i ri, as i papritur ky lajm. Fatkeqësia qëndron në faktin që mbajtja e çështjes së pronave në hije, në zallamahi e në ç’ligjësi, do t’i mbajë akoma edhe shumë kohë larg investitorët e huaj; do zgjasë kaosin e tjetërsisë, pasurimit në kurriz të tjetrit dhe shfrytëzimit të pasurisë së tij; do të lerë në vend numëro çështjen ndaj së cilës shteti shqiptar ka më shumë padi pezull në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg, dhe do të lumturoja çdo Maliq që ka sot ligjin në dorë, duke e bërë pronar me vendime që merren me vrap, e nuk merren vesh kurrë.

Vendimi katër: Miratim në parim të marrëveshjes ndryshuese të granitit “GEF” me IBRD (Bankën ndërkombëtare për rindërtim dhe zhvillim”, për rishpërndarjen e fondeve për financimin e projektit “Menaxhimi i integruar i ujërave dhe ekosistemeve”. Bukur fort. Rishpërndarje fondesh. Edhe këtu qenka bërë planifikimi gabim. Po si do të rishpërndahen? Me siguri do heqin ndonjë copë të mirë fondi nga shpenzimet për stafin, ekspertët dhe kostot operacionale për t’ia kaluar mundësimit real të menaxhimit të integruar të ujërave dhe ekosistemeve. Pra, rishpërndarja do përdoret për ndonjë aktivitet që ka për të lënë gjurmë konkrete. Me siguri. Patjetër, se vetëm për konkretizimet iu dhemb koka të gjithëve, deri sa i çojnë kërkesat për rishpërndarje fondesh deri në kryeministri.

Më tej ka vendime për projektet e linjës unazore 110 KV për përmirësimin dhe eficencën në fushën e energjisë dhe linjën 400 KV Shqipëri-Kosovë.

Ka edhe miratimin e përbërjes së komitetit kombëtar të trashëgimisë kulturore shpirtërore, e jo vetëm kaq, por edhe përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të tij. Kjo e dyta madje është edhe më e rëndësishmja, se jetojmë në shekullin e pragmatizmit.

Në po të njëjtën ditë media nuk arriti të qëndrojë indiferente ndaj entuziazmit kryeministror për të rigjallëruar teatrin e humorit dhe të satirës (jo të atij ku zhvillohen mbledhjet e qeverisë. As të asaj ndërtesës me 140 njerëz që gjoja-zihen çdo të enjte).

Lajmi më interesant ishte “urdhri” për të ngritur shpejt e shpejt e të bëhet gati për vitin tjetër Universiteti i Administratës Publike. Mundësisht t’i hapë dyert që në Shtatorin që vjen.

Kurrikulat, programet, kriteret, profesorati, lajmërimet, të gjitha bëhen brenda ditës.

Po cila administratë do studiojë aty? Ajo që ikën, që vjen, që riciklohet? Nuk funksionoi tamam qendra e trajnimit pranë Departamentit të Administratës Publike. Sigurisht, nuk ka se si. Asgjë nuk funksionon në Administratën Publike.

Do e besoja këtë që sapo thashë. Po dorëzimi i pyetësorit, ndërrimet e shpeshta, lajmet në faqen e qeverisë e shumë lëvizje të tjera më bëjnë të besoj se realisht, si qeveria, ashtu edhe administrata, punojnë. Se si, çfarë dhe ç’cilësi, nuk ka kohë apo interes kush që ta dijë. Ama puna bëhet. Dhe efektet apo pasojat e saj do i shohim vetëm disa vjet më pas.

 Deri atëherë, media do raportojë ç’të ofrojë qeveria. Ama veprimtaria e saj jo vetëm mes rreshtave, po edhe hapur fare, e zezë mbi të bardhë, është tërësisht e dukshme në faqen e qeverisë. Kush ka sy, le të lexojë – nënkupton strategjia e saj.

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Rruga për në BE kalon nga Kopenhageni Rikthimi i merituar i librit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: