Rikthimi i merituar i librit

06/04/2010 at 21:42 Leave a comment

Përrallat e Andersenit, Krenaria  e Jane Austin, Xha Gorioi i Balzakut, Dekameroni i Boccaccios, I huaji i Kamysë , Don Kishoti i Servantesit, po edhe Komedia Hyjnore e Dantes dhe Zonja Bovari e Flaubert-it vazhdojnë të jenë në 100 librat më të mirë në botë sipas gazetës prestigjioze angleze, The Guardian. Jo më të shiturit.  Se më të shiturit janë Harry Potter, Kush e sundon botën, Skandalet politike, romanet e Danielle Steel e Nicholas Sparks.

Arsyeja pse më lumturoi nxjerrja e kësaj liste ka të bëjë thjesht me librin; dhe më kënaqësinë që është e dyta herë brenda javës që ai gjendet në qendër të vëmendjes edhe në median shqiptare. Nuk ka rëndësi nëse pëlqehen më shumë klasikët apo mbrohen më tepër profesionalët; e rëndësishme është që libri të kthehet në qendër të vëmendjes.

Industria e librit ka njohur një shpërthim të madh botimi dhe shitjes qëkurse kanë vdekur klasikët. Sot është e vështirë të të bjerë në dorë një libër i shkruar me vërtetësinë e Heminguejt, kthjelltësinë e Remarkut apo madhështinë e secilit prej klasikëve. Ama e rëndësishme është që librit po i kthehet lavdia e humbur. Të paktën shpresoj të jetë kështu.

Tek skanoja librat e lexuar, të pëlqyer e të detyruar gjatë fëmijërisë dhe viteve të arsimit, duke ndjekur një emision që i dedikohej me po kaq pasion librit, ndjeva si rrallëherë nevojën për të t’u përfshirë aktivisht edhe si shikuese, pa tentuar fare të ndërroj kanal.

Nga “Fluturimi me balona”, Tom Sojeri e Hakelberri Fini apo Gjigandi i Madh i Mirë, kujtova edhe Don Kishotin me shqipen e Nolit, katër vëllimet e Tolstoit të Luftës e të Paqes,  Majakovskin, fletët e verdha e të njomura-thara disa herë të Stendalit (e Kuqja dhe e zeza fshehur e gjendur prej te gjithëve në lagje që donin ta lexonin). Po m’u kujtua edhe Tartufi, Borgjezi fisnik apo Evgjeni Grande’ja që shoqëronin përsiatjet tona për të mësuar frëngjisht.

Pasditja jonë nuk kishte facebook. As telenovela amerikano-latine. Nuk kishte as Danielle Steel në atë kohë, për fatin tonë të mirë.

Sot klasikët janë zëvendësuar me “Përse kombet shkojnë në luftë, Anarkia që po troket, Përplasja e qytetërimeve, Bota është e sheshtë, Mediatizimi i Politikës, e Ardhmja e Lirisë, Nevoja për një politikë të jashtme, e me radhë. Pra, tregu është mbytur nga përditshmëria politike. Globalizmi ka të bërë të vetën. Që nga Appudarai e deri tek Eriksen, akademikë e politikanë, ekonomistë  e financierë, për globalizmin shkruajnë.

Në Amerikë tregu ka vite që është pushtuar në një pjesë të madhe nga librat që të ndihmojnë të njohësh veten, të menaxhosh kohën, të kapërcesh stresin, të duash komunitetin, e të tjera tematika të ngjashme, që i drejtohen një lexuesi të caktuar, masiv në numër, por jo shumë përzgjedhës në tematikë.

Pra, libri sot ka tjetër natyrë. Si çdo industri tjetër, edhe ajo e botimeve është kthyer në biznes dhe sot boton kushdo, për çfarëdo dhe kurdo që ka dëshirë. Cilësia dhe tematika janë padyshim ndryshe nga koha e klasikëve, por edhe kohët nuk janë të njëjta.

Megjithatë, edhe me bazën profesionale të jenë, vetëm të shkruar qartë e me një objektiv që në nisje, librat sërish ngelen një pasuri për t’u admiruar.

Forca e zakonit më bën të blej çdo prurje të re në fushën ku punoj aktualisht, e madje edhe raportet mbi 300 faqe për inerci i lexoj si libër. Por bashkë me tematikën, edhe gjuha e shkrimit ka ndryshuar.

Përveçse është e vështirë që sot një anglez të shkruajë në anglishten e Shekspirit apo Jane Austinit, është gjithashtu e vështirë që autorët e sotëm të përdorin numër të zgjeruar fjalësh sa c’përdornin para-ardhësit. Sot gjuha si e tillë është shumë më teknike dhe e orientuar drejt fjalorit të përditshëm teknik krahasuar me disa vite më parë.

Nuk po marr fare mundimin të bëj analogjinë e librave shqip, sepse vija e fillimit të letërsisë dhe boshllëqet brenda saj janë aq të trishta, sa ta heqin fare dëshirën t’i marrësh në konsideratë (me përjashtimet që kuptohen). Por edhe në rangun e përkthimeve, shqipja ka vuajtur gjithaq, veçanërisht në 15 vitet e fundit. (përkthime me gabime logjike dhe mungesë redaktimi gjuhësor e letrar në një numër  të madh botimesh). Megjithatë, së fundmi edhe shtëpitë botuese kanë filluar të reflektojnë. Përkthimet tashmë bëhen nga profesionistë dhe ka një kujdes dukshëm në rritje për redaktimin.

Ndryshimet u vunë re edhe në panairin e librit. Në krahasim me një vit më parë, në 2009-ën nuk kishte më libra me kopertinë shkëlqyese,  e as deformime në tituj (madje edhe shmangie, që të tërhiqnin blerësin). Kishte më shumë klasikë të risjellë në mënyrë profesionale e madje edhe botime prestigjioze të kohëve të fundit.

Shkurt, edhe shtëpitë botuese tashmë po kërkojnë lexuesin, jo thjesht blerësin.  Libri nuk është më artikull, por vlerë.

Prandaj u ndjeva shkëlqyeshëm tek shikoja emisionin për librin dhe tek lexoja sërish artikuj me të në qendër. Mes ritmit të çmendur e gënjeshtar të politikës e përditshmërisë së vraptë, libri ngelet përherë një shpëtimtar që nuk di të refuzojë.

E pavarësisht se lista e 100 librave më të mirë ka në masë të madhe letërsi klasike, çdo libër i shkruar qartë, rrjedhshëm dhe pasur, ia vlen të lexosh.

Entry filed under: Koment. Tags: .

Qeveria punon. Po si? Pa viza, por edhe pa të drejta

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: