Pa viza, por edhe pa të drejta

09/04/2010 at 13:44 Leave a comment

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Moratinos paska thënë në Sarajevë se në Qershor, Bashkimi Europian do të shpallë liberalizmin e vizave për Bosnjën. Kurse Shqipërinë nuk e ka zënë në gojë. Dhe prej mediave pranë opozitës, ky është cilësuar si tregues që Shqipëria nuk do ta marrë këtë sinjal në Qershor.

Ka disa arsye që e bëjnë të paqëndrueshëm frikën dhe skepticizmin e hamendësuar nga mediat në fjalë.

Së pari, në Qershor, në Sarajevë do të zhvillohet konferenca e përbashkët BE- Ballkan, që do të shqyrtojë vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve (sepse që prej Samitit të Zagrebit 10 vite më parë dhe atij të Selanikut në vitin 2003, ku Ballkanit Perëndimor iu premtua e ardhmja europiane, gjërat kanë ndryshuar shumë politikisht dhe ekonomikisht).Pra, tashmë BE e sheh të nevojshme të vendosë të tjera objektiva dhe afate për popullsinë 25 milionëshe të gadishullit që nuk është më problematik sa 10 vite më parë.

Bosnja Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që ngelen jashtë liberalizimit të vizave Dhjetorin e kaluar. Ama edhe pse secili vend ka udhëzues individual dhe vendimi merret duke e shqyrtuar veçmas  secilin shtet, në konferencën e Qershorit nuk pritet që europianët të bëjnë një aneksim të hapur të popullsisë shqiptare, duke hequr vizat edhe për Bosnjen, e ta lërë murin e Schenginit ngritur në Europë vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën.

Liberalizimi i vizave është një vendim politik, sigurisht i marrë mbi bazën e plotësimit të kushteve teknike (pasaportë biometrike, kontroll rigoroz kufitar, rendi publik dhe siguria, bashkëpunimi juridik për çështje kriminale, bashkëpunim në përforcimin e ligjit, marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të garantuara), dhe Shqipëria po monitorohet hap pas hapi në përpjekjet për t’i përmbushur mjaftushëm këto kritere.

Së dyti, duke qenë se vendimi është politik dhe vjen nga dokumenta e strategji të hartuara nga vetë BE, Shqipëria e Bosnja nuk kanë fare ç’të bëjnë, përveçse të krijojnë kushtet që udhëzuesi të gjejë zbatim, sepse ashtu si në Selanik në 2003-in, edhe në Sarajevë në Qershorin që vjen, muzikën e integrimit do të luajë Bashkimi Europian. Pra, aneksime që nxisin revoltime dhe diskriminime, nuk mund të ketë.

Së treti, liberalizimi i vizave vjen më një sërë kushtesh që do ta bëjnë shumë jetë-shkurtër aventurën e udhëtimeve për shqiptarët. Një qytetar shqiptar me pasaportë biometrike, duhet të ketë edhe një shumë të mirë parash në bankë e një dokument që e vërteton këtë; duhet të ketë një destinacion të saktë që duhet ta deklarojë në momentin që kërkon të shkelë në zonën e lëvizjes së lirë, duhet të vërtetojë kohën e rikthimit në vend dhe të mos qëndrojë më shumë se tre muaj radhazi në vendet e BE-së.  

Përveç kësaj, qytetari do të quhet thjesht “vizitor” dhe nuk do të ketë të drejtë as të kërkojë punë, as ndihma sociale, as shkollim, as mjekim në vendet e zonës Schengen me paratë publike. Për raste qëndrimi më të gjata se tre muaj dhe për qëllime të tjera përveç atyre të vizitës së thjeshtë,  qytetarët duhet të kërkojnë viza afatgjatë.

Pra, liberalizmi i vizave nuk do të thotë “hapje mundësish për të gjetur një punë të mirë-paguar në BE”. Jo! Thjesht do të thotë që nëse oficeri i kontrollit të kufirit bindet që je person i besueshëm, dhe të lejon të hysh në zonën Schengen, atëherë mund t’i shpenzoni ato qindra apo mijëra euro duke vizituar të afërmit një, dy apo tre herë, e më pas, punë të afërmit andej, e punë familjarët këndej, që të mblidhen paratë për vizita të tjera.

Pra, liberalzimi i vizave nuk është biletë falas për në Europë, as nuk është kartë punësimi për në vendet e BE-së.

Dhe c’është më shqetësuese në gjithë këtë proces, është mangësia me të cilin media po e përcjell, dhe manipulimi me të cilin politika po e shet gjithë procesin.

Shqiptarët kanë krijuar pritshmëri të larta nga heqja e vizave, sepse zhurma e madhe politike e bërë për to, i ka bërë të besojnë se lëvizja e lirë do të shoqërohet me benefitet që u thanë më sipër.

Por, kur qytetarët të përplasen me skepticizmin e oficerëve kufitarë, me pamundësinë për t’u ndjerë pjesë e vendeve që do të vizitojnë dhe me shpenzimet e larta që do të kenë mbi kurriz të afërmit, zhgënjimi do të jetë shumë i madh.

Heqja e vizave do të thotë thjesht që shqiptarëve do t’iu lejohet të kalojnë në bashkësinë e vitrinave prej xhami, pas të cilave është shkruar qartë “Mos prek”. Pra, me heqjen e vizave qytetarëve do iu jepet mundësia të kullosin sytë në “dyqanet” e Europës, por nuk do të kenë as të drejtën, as mundësinë të jenë pjesë e jetës apo shërbimeve të saj.

Liberalizimi i vizave ka marrë kaq shumë ngjyrime politike, saqë media vërtet beson dhe e përcjell si të tillë; ose arritje të maxhorancës, ose dështim të saj.

Në fakt heqja e vizave për shqiptarët është pjesë e një procesi të përbashkët, ku ne kemi ngelur disi më pas për shkak të ngadalësisë së përhershme dhe mungesës së seriozitet në plotësimin e kushteve që janë vendosur në udhëzues. Ama sërish, vendimi për heqjen e vizave ka shumë gjasa të shpallet në Qershor dhe të hyjë në fuqi përpara fundit të vitit.

Pikërisht në ditën e heqjes së vizave, do të fillojë edhe c’mitizimi i liberalizmit të tyre.

Përballja me kushtet e egra që e shoqërojnë lëvizjen e lire do të krijojë zhgënjim të madh. Klasa politike do të ketë një kartë më pak për luftërat e saj boshe. Edhe media do ketë një gënjeshtër më pak në skupet e saj. Ama procesin dhe gjendjen e pas-vizave, vështirë se do ta trajtojë kush. Po, sepse e vërteta është pak më e hidhur nga c’mund të  përballohet, dhe për momentin, as media, as politika, po as BE-ja vetë, nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe të flasin për anët jo fort të bukura që mbart me vete heqja e vizave, edhe pse ato përbëjnë një pjesë të mirë të procesit në tërësi.

Por sa për të zhvlerësuar spekulimet, politikat e BE-së as nuk vendosen brenda ditës, as nuk influencohen nga shkrimet apo deklaratat individuale.

Prandaj në konferencën e përbashkët BE-Ballkan në Sarajevë, ka shumë gjasa që të merret edhe vendimi i shumëpritur për liberalizmin e pa-shpjeguar të vizave edhe për Shqipërinë.

Entry filed under: BE, Koment, Media, Politikë. Tags: .

Rikthimi i merituar i librit Leksione elektorale nga Britania

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: