Leksione elektorale nga Britania

13/04/2010 at 20:49 Leave a comment

Në datën 6 Maj, në Mbretërinë e Bashkuar zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, nga ku do të zgjidhen 650 deputetë. Ngjarja zë vendin kryesor në median britanike, por jo në publikun vendas. E veçanta qëndron tek mënyra se si po trajtohet kjo fushatë, si nga media, ashtu edhe nga politika.

Data e zgjedhjeve u shpall më 6 Prill (pra një muaj para zgjedhjeve) dhe me miratimin e Mbretëreshës, Parlamenti u shpërnda në 12 Prill. Deri në dy legjislaturat e fundit, Britania e Madhe ka pasur dy parti kryesore që i linin vendin njëra-tjetrës në pushtet; Partia Laburiste dhe ajo Konservatore. Qysh prej zgjedhjeve të vitit 2001, në skenë e me reputacion në ngjitje është edhe Partia Liberal-Demokrate, që i ka shtuar radhët e elektoratit me ish-mbështetës të zhgënjyer nga dy partitë e mëdha dhe politikat e tyre.

Në këto zgjedhje, Laburistët e udhëhequr nga kryeministri me popullaritet në ulje Gordon Brown, do të kërkojnë të përforcojnë mbështetjen gjithmonë e më të paktë nga elektorati i tyre që prej vitit 1997. Megjithatë, pas tre legjislaturash në pushtet dhe me një sërë pakënaqësish në radhët e britanikëve për politikat laburiste, Brown parashikohet të mos gdhihet më kryeministër në datën 7 Maj.

Nga ana tjetër, Konservatorët mezi presin të kthehen në pushtetin e munguar prej 13 vjetësh. Lideri i tyre Davin Camoron ka pasur lëkundjet e tij të besimit në fitoren konservatore, megjithatë, duket të jetë favoriti kryesor për të shkuar në selinë qeverisëse në numrin 10 të Downing Street. Për të rritur shanset dhe vendet në parlament, fushata më e madhe e Z. Cameron do të përqendrohet në Anglinë e Mesme, sepse pikërisht aty, partia konservatore ka pasur humbjet më të mëdha në elektorat që prej vitit 1992, me votues që mbështesin me rotacion partitë kundërshtare.

Kurse liberal demokratët e kryesuar nga Nick Clegg kërkojnë jo vetëm të rrisin numrin e deputetëve, por të bëhen faktori balancues në një parlament pa shumicë absolute, ku liberal-demokratët do të ftoheshin të formonin qeverinë. Nëse do ndodhë kështu, do të jetë hera e dytë për Mbretërinë e Bashkuar, pas zgjedhjeve të vitit 1974, ku Laburistët fituan 301 vende ndaj 297 të konservatorëve, pra vetëm katër deputetë më shumë. Në këtë legjislaturë, shumica absolute do të bëhej nga 326 deputetë, dhe sipas sondazheve britanike, me vota këtë e arrin partia konservatore, kurse sistemi zgjedhor favorizon partinë laburiste. Clegg, ashtu si paraardhësit, Menzies Campbell dhe Charless Cenedy, deklaron në këtë fillim fushate se nuk do të pranojë asnjë ofertë për qeverisje të përbashkët me asnjërën prej palëve, deri sa ato të shfaqin përkushtim për sistemin proporcional të kërkuar prej tyre.

Interesant është fakti se të tre liderët e partive kryesore, udhëheqin për herë të parë një fushatë elektorale. Në 2005-ën ishin Tony Blair, Micheal Howard dhe Charles Kennedy, sot janë Gordon Brown, David Cameron dhe Nick Clegg. Në 2005-ën theksi i fushatës u vu tek emigracioni, shërbimi shëndetësor dhe u anashkalua me shumë klas lufta në Irak; kurse këtë vit thirrjet elektorale kanë të bëjnë me nevojën për ndryshim, qëndrueshmërinë dhe forcimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe euroskepticizmin.

Në 6 Maj zgjedhjet, në 18 Maj mblidhet seanca e parë e parlamentit të ri. Ky është ritmi dhe parashikimi i pakundërshtueshëm britanik.

  Sondazhet 

Mediat dhe kompanitë britanike të sondazheve tregohen shumë të kujdesshme në parashikimet e tyre, sepse sistemi anglez dhe mënyrat e ndryshme se si garohet në Angli, në Skoci dhe në Wells, e vështirëson shkallën e saktësisë së sondazheve. Prandaj edhe marzhi i gabimit është më i madh këtë vit krahasuar me katër vjet më parë.

Votuesit e lëkundur janë ata që merren më shumë në konsideratë në bërjen e sondazheve. Sipas tabelës së mëposhtme, që konservatorët të fitojnë një shumicë absolute, duhet që të përfitojnë votat e 6.9% të votuesve, që sot rezultojnë të lëkundur. 

Lëkundja Kombëtare Rezultati i mundshëm
Mbi 1.6 për Laburistët Rritje e shumicës Laburiste në Parlament
Deri në 1.6% për Konservatorët Rënie e shumicës Laburiste
1.6% – 4.3% për Konservatorët Koalicion i drejtuar nga Laburistët
4.3% – 6.9% për Konservatorët Koalicion i drejtuar nga Konservatorët
Më shumë  6.9% për Konservatorët Parlament me shumicë Konservatore

 Me një diferencë deri në 20 deputetë, partitë mund t’i mbijetojnë qeverisjes së vetme; por me më pak diferencë se kaq, të dyja partitë e mëdha janë të gatshme të krijojnë koalicion.(edhe pse liberal-demokratët thonë Jo)

 C’thonë sondazhet? Që prej fund-vitit 2005, me zgjedhjen e David Cameron në krye të konservatorëve, partia  e tij filloi të kryesojë për herë të parë në 10 vjet sondazhet zgjedhore. Që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2006, ku laburistët pësuan humbje të hidhur, sondazhet kanë parë një parti konservatore në rritje dhe udhëheqje të vazhdueshme në sondazhe. Mbështetja më e madhe për konservatorët është shënuar në skandalin e shpenzimeve të disa deputetëve laburistë, ndaj të cilëve, reagimi pothuajse shpërfillës i kryeministrit Gordon Brown, nuk la shije të mirë në publik. Megjithatë, qëkurse David Cameron ka filluar të heshtë për politikat larg-europiane dhe nuk e vë theksin tek natyra anglo-file e partisë së tij, konservatorët duket sikur kanë humbur disi terren. Kjo është lehtësisht e shpjegueshme po të shohësh se e njëjta përqindje uljeje në mbështetjen konservatore reflektohet në shkallën e ngjitjes në skenë të partisë UK Independent Party, që megjithatë, nuk ka popullaritet masiv për shkak të  politikave të saj eusroskeptike.

  Debatet televizive

Britanikët shquhen për seriozitetin me të cilin i ndërmarrin hapat dhe rëndësinë që i japin debatit politik pa përfshirë asnjëherë emocionet. Por, këtë radhë imuniteti i tyre ndaj publicitetit elektoral dështoi, dhe për herë të parë, në televizionet britanike, do të ketë debate të drejtpërdrejta televizive mes tre udhëheqësve të partive kryesore. Debati i parë do të përqendrohet në çështjet e brendshme dhe zhvillohet në verilindje të Anglisë; i dyti do të përqendrohet në çështjet globale dhe zhvillohet në jug-perëndim, dhe i treti zhvillohet në Middland për çështjet ekonomike.

Kjo është mënyrë e re e bërjes së fushatës në Britani, ku reklamat elektorale në mediat me mbulim kombëtar janë të ndaluara me ligj. (reklama zgjedhore lejohen vetëm ato me minutash të shkurtër të kanale të caktuara kabllore që janë me pagesë).

Teksa debatet televizive, datat, temat, ekranet e madje edhe drejtuesit e debateve janë përcaktuar e shpallur publikisht që në 21 Dhjetor 2009 (Përkatësisht kanalet BBC, ITV dhe Sky News me David Dimbley, Alastair Stewart dhe Adam Boulton), së fundmi u vendos që një debat televiziv ta bëjnë sërish edhe tre “zëdhënësit” ekonomikë të tre partive të mëdha.

Një tjetër risi që sjellin këto zgjedhje qëndron në numrin e parlamentarëve që mund të zgjidhen për herë të parë; ata përbëjnë me shumë se gjysmën e kandidatëve dhe pritet të sjellin ndryshime të dukshme në politikën angleze.

 Në zgjedhjet e vitit 2005, laburistët fituan me 35.3% karshi 32.3% të konservatorëve. Liberal Demokratët morën gjithashtu numrin më të lartë të deputetëve që kishin pasur ndonjëherë në parlament.

Të tria partitë kanë programet e tyre të shpallura (manifesto të disponueshme për të gjithë publikun). Lufta tashmë bëhet për ndryshimin e premtuar  nga konservatorët dhe thirrjen e bërë nga laburistët për qëndrueshmëri të reformave të nisura prej tyre, nga ky arsimi, shëndetësia dhe shërbimi social zënë vendet kryesore.

Por konservatorët nuk heqin dorë. Ata iu kujtojnë zgjedhësve se vendi i tyre shquhet për vlerat dhe interesat vetjake, e jo për aleancat e fuqishme nëpër botë, që po lidhin laburistët.

 Sido që të shkojnë, zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar japin një sinjal të admirueshëm për të pasionuarit pas studimeve politike, rasteve zgjedhore apo marrëdhënieve të medias me politikën, politikës me publikun dhe medias me publiku duke pasur në qendër politikën.

 Nuk ka spote, nuk ka emisione televizive 24 orë për zgjedhjet, nuk ka sharje dhe zënka personale, por ka axhendë të mirë-përcaktuar në njerëz, orare dhe tema. Flitet konkretisht për ekonominë, taksat, pensionet, sigurimet shoqërore, punësimin, shkollat publike, sistemin shëndetësor, politikën e brendshme, atë të jashtme, mbështetjen për Euron, refuzimin për të. Flitet për gjëra reale dhe flitet me fjalë të kuptueshme.

Në grupin e stërmadh të vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve, janë përfshirë edhe disa politikanë Ruandezë. Nëse ka politikanë të ftuar shqiptarë, do ishte mirë të merrnin edhe gjithë politikanët e tjerë që njohin e që nuk njohin, e të shkojnë të mësojnë në Angli se çdo të thotë proces, ditë zgjedhjesh, shpallje rezultati dhe pranim i tij.

Bashkë me ta duhet të shkojë edhe e gjithë shpura e gazetarëve dhe drejtueseve që pretendojnë se janë zotër të fushatave elektorale.  

Në s’kanë si të shkojnë në Londër, një klikim në BBC e bën punën gjithashtu shumë mirë.

Ka zgjedhje në Angli, dhe publiku është shumë indiferent. Prandaj çështjet për të cilat zien atje politika janë reale, se përndryshe, votuesit as me postë nuk do i votojnë.

Jemi larg çdo ane të këtyre zgjedhjeve, por të paktën, ndjekjen e tyre përmes internetit apo satelitit kemi nevojë ta bëjmë me gjithë vëmendjen që mund të na ketë ngelur në ndonjë skutë.

A do të ketë Anglia qeverisje me koalicion?

Zgjedhjet në 6 Maj, kurioziteti ynë shuhet në datën 7. Prandaj duhen ndjekur me vëmendje leksionet që jepen falas nga Mbretëria e Bashkuar në këtë fushatë unike!

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Pa viza, por edhe pa të drejta Cilësia, çmimi i pyetësorit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: