Votues, por edhe konsumatorë.

20/04/2010 at 19:21 Leave a comment

Fatura  që OSSH më kërkoi të paguaj për muajin Mars ishte 13.260 lekë. Kjo ishte mbi 40% më e lartë se muajt paraardhës, dhe dyfishi i faturës që kam paguar për Marsin e vitit 2009.

Shumë gjëra nuk përputhen në perceptimin tim si qytetare që ndodh ta monitorojë energjinë e harxhuar, dhe OSSH-së, që faturën as nuk ma sjell fare në shtëpi, por duhet të shkoj vetë të interesohem në postë.

Çudia e faturës shfryn nga të gjitha anët. Pikësëpari, si muaj më i ngrohtë se periudha Dhjetor – Shkurt, Marsi nuk më detyroi të përdorja energjinë për ngrohje me të njëjtën frekuencë dhe gjatësi kohore si në muajt para-ardhës.

Së dyti, konsumi energjetik përmblidhet vetën në orët e pakta të mbrëmjes, teksa sahati ngelet pushim që nga momenti i gjumit, e deri në orët e vona të pasdites së nesërme, kur energjisë i kthehen konsumatorët.

Pra, për katër orë përdorim energjie në 24 orë, pa e shfrytëzuar atë për ngrohje, fatura sipas OSSH-së kap shifrën 100 Euro.

Si të vërtetohet se cila nga palët ka të drejtë, OSSH me faturën, apo konsumatori me deklaratën? As që denjon kush të kthejë përgjigje, e madje as të dëgjojë. Konsumatori në Shqipëri është kavje dhe rrjepësit e tij janë njerëzit, kompanitë, bizneset më me fat në këto anë. Jo vetën që kontrolli dhe mbikëqyrja e tyre është e vërtetë që do vijë vetëm me apokalipsin, po madje konsumatori edhe kërcënohet nëse guxon të vërë pikëpyetje mbi intensitetin e rrjepjes që i bëhet pa mëshirë.

Një deputet solli shembullin personal para pak ditësh teksa me një kamera pas vetes, filmoi se 1000 lekë në një super-market ushqimor në Tiranë vlenin  vetëm për disa gjëra pa asnjë peshë (po të mos i plotësoje me paketë të plotë ushqimore).

Bëri mirë. Por si ai, qytetarët e kanë shembullin real dhe të përditshëm. Nëse fatura shkon tek 10 mijë lekë të reja, mund të mbushësh një kosh të vogël me ushqime.

Po shkoi 20 mijë, mund të mbushësh gjysmën e një karroce. Kurse po e do karrocën plot, duhet të shpenzosh mbi këtë shifër.

Si, mbi 20 mijë lekë për një karrocë me ushqime?! Kush provon blerjen javore në super-marketet e hapura në muzetë tregtare të Tiranës, me siguri që çuditet nga shifra.  Ama kështu është. Dhe sa për kujtesë, 20 mijë lekë është rroga mujore për të sapodiplomuarit, më shumë se rrogë mujore për shitëset e butikëve e shumë më tepër se pensioni apo paga minimale e përcaktuar me ligj.  

Po nga ana tjetër, 20 mijë lekë kushton rëndom një fustan në dyqanet mikroskopike të Tiranës. Kurse me këtë shumë, në dyqanet e veshjeve që ndodhen në muzetë tregtare me emra modernë, as që të pranon njeri që të hysh.

Konsumatori shqiptar është i përdhunuar nga ana monetare dhe kjo shqetëson vetëm ata. Madje në mënyrë sporadike. Efektet akoma nuk duken publikisht dhe nuk dihet se ç’tregues mund të jenë më tepër të nevojshëm për të heshtur para kësaj gjendjeje mjerane. Kur trumbetohet për rritje eksportesh apo rritje ekonomike në tërësi, tallja është me shumë nga ç’mund të përballohet, sepse kjo rritje, edhe në qoftë e vërtetë, nuk shoqërohet me rritje të ardhurash për popullsinë, as me mirëqenien e saj, as me fuqinë blerëse, as me rritjen e konsumit. Përkundrazi. Ka tregues të kundërt në pjesën më të madhe të këtij zinxhiri.

Me të njëjtën sasi parash, sot shqiptarët blejnë me pak produkte, paguajnë me pak shërbime, dhe e konsumojnë shumë më shpejt pagën apo pensionin se një vit më parë.

Kriza ekonomike nuk ka brirë. As nuk vjen me altoparlant. Treguesit e saj këta janë.

Sigurisht që “elita” shqiptare që pretendon t’i përkasë shtresës së mesme e lart (mbi ç’kritere mund të përcaktohet kjo në Shqipëri?!), do reagonin me ironi dhe skeptikë ndaj këtij shqetësimi. Qeveria, politika dhe mbështetësit e saj nuk kanë nevojë për 20 mijë lekë që të kuptojnë se çmimet janë shtrenjtuar sikur të jetonim në Trafalgar Square në Londër. Madje edhe atje ka mundësi shpenzimi për të gjithë. Kurse në Tiranë, çmimet dhe faturat vendosen sipas dëshirës dhe humorit të gjithsecilit.

Po përse jo? Ç’është konsumatori për këtë vend? Është votues. Është ndjekës ligjëratash pa krye e pa fund nga politika. Është mjeran i sulmuar 24 orë nga manipulimet e saj. Është fatkeq në proces mpirje truri me boshësira që i injektohen me forcë nga të gjitha anët; media, politika, aktualiteti, shoqëria.

Është viktimë, viktimë që nuk e lënë ta shohë vuajtjen e tij dhe të përpiqet ta largojë atë.

Jo! S’e lë njeri konsumatorin e shkretë ta shohë veten si viktimë të abuzimit më çmimet dhe mungesën e kontrollit mbi to. S’e lënë se ia marrin mendjen me votat, me vizat, me kongreset, me sherret, me krizat politike. Me ekonomiket jo, larg qoftë. Fjalë e huaj.

Opozita po bën sikur po e ngre zërin për këtë ngërç ekonomik. Po ç’e do, e ka ngjyrosur fort politikisht. S’i lë dot kutitë mënjanë, sikur brenda tyre të gjendej zgjidhja magjike për të kapërcyer abuzimin e lartë me lekun dhe prurjen e vakët të tij në familjet shqiptare.

Opozita kërkon protesta për votat e vjedhura. Po për vjedhjen e përditshme dhe të egër që i bëhet parasë, jetës, qetësisë dhe të tashmes së tyre, përse nuk kërkon protesta?

Është e kotë të pretendosh se shqiptarët do të organizohen vetë për protesta të çfarëdo lloji. Ai damar është prerë. Po a nuk do të kishte më shumë shanse opozita të protestonte për një kauzë që prek 3 milionë shqiptarë, me mirë sesa për një tjetër që prek vetëm 750 mijë votues?

Mbase duhet bërë sapo të afrojnë zgjedhjet lokale. Por vërtet është çasti që turet e shpifura të dialogëve të kenë tjetër fokus, se përveç faturës së energjisë elektrike, shqiptarët po i lodh edhe shpenzimi i energjisë njerëzore duke dëgjuar për 20 vjet njerëz të etur për pushtet.

A iu intereson më shqiptarëve se kush u takua me kë, ku dhe ç’deklarata bënë për politikën? Jo dhe aq.

Çështja është që politika duhet ta kuptojë se tashmë, më shumë sesa sharjet për njërën palë apo për tjetrën, votat e shqiptarëve mund t’i sigurojnë me një ndryshim në fokusin politik, duke e vënë votuesin në qendër si përfitues ekonomik, si konsumator, si përfitues social, arsimor, etj.

Po a është gati politika për këtë? Në 30 Prill dhe 1 Maj do kemi nderin e madh të vërtetojmë se jo. Dhe dua shumë të jem e gabuar në këtë bindje kokëfortë!

Entry filed under: Politikë, Sociale. Tags: .

Cilësia, çmimi i pyetësorit Eksperimentet sheshit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: