Eksperimentet sheshit

25/04/2010 at 07:56 Leave a comment

“Kufizimi i qarkullimit  në sheshin Skënderbej ishte një eksperiment. Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve dhe të të gjitha institucioneve që ta lëmë pas këtë shesh që dëshmon të  kaluarën dhe përfaqëson ambicien tonë për të ardhmen” –  ja kështu tha kryetari i bashkisë, pa ia bërë syri tërr hiç se po e thoshte me gojën e vet dhe me dhjetëra mikrofona përpara. Eksperiment. Po sigurisht, se ky vend eksperimentesh është.

Orët e para të mëngjesit të së mërkurës, sheshi Skëndërbej paralizoi qarkullimin me automjete. Nga të gjitha hyrjet për në shesh, rruga e Durrësit, rruga e Kavajës, Bulevardi kryesor, rruga “Luigj Gurakuqi”, Rruga e Dibrës dhe nga Bulevardi Zogu I, frymë-shkëmbimi i automjeteve ishte totalisht i paralizuar. Shumica e drejtueseve të makinave flisnin në telefon dhe kishin pamje të nervozuar. Të gjithë mundoheshin të lajmëronin vonesë në shkuarjen në punë. “Pas një ore e 15 minutash nga sheshi “Rilindja” në hyrje të Bulevardit kryesor, e humba durimin. Nuk kam shkuar kurrë në jetën time as me 15 minuta vonesë në një takim, jo më me një orë e 15 minuta. E humba takimin dhe nuk isha në gjendje as të kërkoja ndonjë parkim e të ulesha për të pirë një kafe të fortë” – thotë me pamje të prishur në fytyrë një koleg zviceran. Në fakt është mishërimi i shprehjes “sahat zviceran” dhe ashtu funksionin përherë për përpikmërinë. Por, në Tiranën e eksperimenteve, jo sahati zviceran, po asnjë lloj sahati në botë nuk mund të masë çmendurinë kohore dhe eksperimentale që paralizoi gjithë kryeqytetin.

Njëlloj sikur kirurgu që ka hapur barkun e një pacienti për të operuar zorrët, të thotë “Prit të bëjmë një provë të shohim ç’u ndodh zorrëve po bllokova pak aortën”.

Mjeku sigurisht që e di ç’mund të ndodhë. Atëherë, a ka nevojë të bëjë eksperimente të tilla?

Po mjeku ynë i vërtetë, nga salla e kryeministrisë lëshoi urdhrin e radhës “Ministri i transporteve të ulet me kryetarin e bashkisë e të gjejnë zgjidhje, se nuk ka dalje kjo situatë”. Shumë mirë, po kështu gjendet zgjidhja? Me deklaratat para kamerave jemi kënaqur. Tani kryeministri bën mirë të hyjë pak më i përgatitur në mbledhjet e qeverisë. Me siguri stafi i përgatit rendin e ditës për çdo mbledhje. Atëherë, me një studim të vogël paraprak të axhendës, të ulet, ( ai ose stafi), të formulojë shkresën zyrtare dhe në mbledhje t’ia paraqesë ministrit përkatës, së bashku me interpretimin mediatik: “Ja ku është kërkesa ime zyrtare që ti zotëri të ndërmarrësh hap institucional për të biseduar dhe gjetur zgjidhje me pushtetin lokal”.

Jo, po kjo s’është më shfaqje pastaj.

Shfaqja bëhet atje, në sheshin e eksperimenteve. “Kuvajti do dyfishojë fondet. Më premtuan mua që do japin 10 milionë euro për sheshin. Prandaj të shohim si ta zgjidhim, se s’do i lëmë qytetarët ngecur në kaos” – ja kështu tha Berisha. I njëjti që dy javë me parë dha një ide akoma më të shkëlqyer: ”Ta shndërrojmë sheshin në pazar me suvenire e me prodhime vendi. Kështu, turistët do shijojnë zemrën e vërtetë të Shqipërisë”. Po, po. Do vijnë turistët të blejë pula dhe vezë në sheshin Skënderbej. Edhe lakra e domate. Edhe mish të freskët e organik.

Eksperimente pra, eksperimente. Njëra palë me fjalë, tjetra me vepra, dhe anasjelltas, sipas humorit të të dyve.

Sheshi Skenderbej sjell në vëmendje debatin e dikurshëm për Zogun e Zi. Maratonë deklaratash e eksperimentesh edhe atëherë. Pasojat i vuajtën qytetarët. Por këtë radhë, eksperimenti është zhvendosur në qendër. Dhe sheshin Skënderbej është e vështirë ta shmangësh, përderisa alternativat që të çojnë nga njëri kah i Tiranës në tjetrin, rrallë ekzistojnë.

Pra, eksperiment pa pasur alternativa.

Do ishte ideale dhe mezi pres ditën kur edhe media do vendosë të bëjë një eksperiment: 24 orë pa asnjë surrat politik në ekran. Asnjë! Lajme të fokusuara tek qytetarët dhe me zërat e tyre.

Po cila media ta bëjë? Se mos ka ndonjë organizim të tyre. As ombrellë, as ombrellë-mbajtës. Që media të ndërmarrë një aksion të përbashkët duke “cenuar” statusin mediatik të politikës, duhet që  vendimin ta japin pronarët. Pronarët vetë i marrin vendimet vetëm me pëlqimin e politikanëve. Kështu që 24 orëshi eksperimental pa Ramën, Berishën dhe ushtritë e tyre eksperimentuese, ngelet thjesht një ëndërr e bukur.

Prandaj, eksperimentet do vazhdojnë të jenë vetëm të një-anshme, nga lart- poshtë.

Po në 30 Prill dhe 1 Maj, çfarë eksperimenti do të bëhet? Do ishte e frikshme edhe të hamendësohej se prova mund të përfshijë paralizimin e qarkullimit, këtë radhë pasdite e nga mbështetësit e të dy palëve, e jo nga makinat që në mëngjes çonin të njëjtët njerëz në punë. Në punën e tyre, që jo gjithmonë ka lidhje me politikën.

Eksperimentet! U bënë vërtet shumë!

Entry filed under: Shqiptarizëm, Uncategorized. Tags: .

Votues, por edhe konsumatorë. Publikut, televizionin që i takon

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: