Larg duart nga Kushtetuesja

30/04/2010 at 13:06 1 comment

Gjykata Kushtetuese do të ketë shumë shpejt gjashtë anëtarë të rinj. Është çështje që nuk diskutohet mjaftueshëm, kuptohet pak nga publiku, e komentohet akoma më pak nga media. Që Gjykatës Kushtetuese duhet t’i ndërrohen anëtarët çdo tre vjet dhe të zëvendësohen ata që kanë plotësuar mandatin 9 vjeçar, (apo 12 sipas dispozitës kushtetuese dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese), kjo dihet mirë sepse është  përcaktuar në nenin 125, 2, të Republikës së Shqipërisë (Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion).

Shumë mirë, kjo është e qartë dhe e pakundërshtueshme. Po çfarë nuk kuptohet në këtë ngut për të zëvendësuar gjashtë anëtarë njëherësh, është neglizhimi për pikën 3 të po këtij neni të Kushtetutës, pra vetëm një radhë poshtë tij, ku thuhet: “Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën sipas procedurës së caktuar me ligj” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 125.3).

Pra, përtëritja e Gjykatës Kushtetuese nuk u përtërika thjesht çdo tre vjet, por e mirë-përcaktuar në Kushtetutë është vendosur edhe masa numerike e kësaj përtëritje; 1/3. Një e treta e 9 anëtarëve të kësaj gjykate është 3. Atëherë si ka mundësi të zëvendësohen gjashtë anëtarë njëherësh. Kushtetuta thotë 1/3 e politika kërkon 2/3 e saj? Po politika mund të dojë edhe shumë gjëra të tjera që Kushtetua s’ka hapësirë t’i lejojë. Atëherë përse të synohen hapa të tillë që e cenojnë ligjin themeltar pikërisht për organin që garanton zbatueshmërinë e saj?

Është e lehtë ta kuptosh po të kesh parasysh autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 131 të Kushtetutës, ka të drejtë të vendosë për pajtueshmërinë e ligjit, marrëveshjeve ndërkombëtare, akteve normative të organeve qendrore dhe vendore, mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, etj, pra përputhjen e gjithë të mësipërmeve  me Kushtetutën.

Interesi politik është i qartë. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese, me autoritetin e saj të padiskutueshëm bën interpretimin përfundimtar të ligjit themeltar, politika do të kishte dëshirë të kishte aksionet e saj brenda radhëve të Gjykatës. Por kjo do të ishte fatale për tërë sistemin e drejtësisë dhe besimin në të.

Gjykata Kushtetuese vërtet nuk prodhon dispozita të reja kushtetuese  apo norma ligjore, por ama shfuqizon ose lë në fuqi marrëveshje ndërkombëtare, legjitimitetin e ushtrimit të kompetencave nga persona dhe organe me detyra të rëndësishme publike, marrëveshje të kompetencës midis pushteteve, ligje dhe akte normative të organeve qendrore e vendore etj. Dhe lëvizje të tilla, së fundmi Gjykata ka bërë mjaftueshëm dhe fuqishëm. Vendimet e saj kanë dëmtuar rëndë imazhin ligjvënës të maxhorancës dhe sigurisht mes palëve situata nuk mund të jetë rozë. Ama publikisht, Gjykata Kushtetuese ka fituar dukshëm terren dhe reputacion pozitiv.

Po le të kthehemi tek zëvendësimi i gjashtë anëtarëve njëherësh. Në Shqipëri vazhdon të jetë e diskutueshme mënyra e caktimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, megjithëse edhe kjo është e mirë-përcaktuar në ligj.(Neni 125.1 i Kushtetutës dhe Neni  7 i Ligjit Organik të Gjykatës Kushtetuese). Por, politika ka të tjera interesa e ligjeve herë iu referohet, herë i anashkalon, ose interpreton sipas dëshirës. Në këtë rast nuk ka shumë vend për interpretim, sepse cilindo nen e ligj të kapësh, ripërtëritja e anëtarëve në një të tretën përcaktohet. As më shumë, as më pak se aq.

Vërtet sipas dy neneve të mësipërm “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”, por precedenti i Qershorit 2008, ku mazhoranca në Kuvend rrëzoi të pesë dekretet e Presidentit Topi (atëherë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë), me pretendimin se kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë me të, rrezikon të përsëritet. Pra, ky mund të interpretohet edhe si një lloj presioni  nga politika që kreu i shtetit, para se të zgjedhë kandidaturat, duhet të “konsultohet” me Kuvendin, i cili jep pëlqimin e tij edhe me votë. Dhe kështu i bie që ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të mos e bëjë presidenti, por Kuvendi. Ja edhe shkelja numër dy e Kushtetutës atëherë. Sepse Kuvendi synon të “vjedhë” kompetencat e Presidentit të parashikuara në ligjin themeltar.

Maxhoranca thotë se i ka votat e mjaftueshme për t’i rrëzuar kandidaturat e presidentit, nëse atyre nuk iu pëlqejnë. Po a mund të jenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese objekt pëlqimi apo mos-pëlqimi nga maxhoranca? Ligjërisht jo. As nga Kuvendi. Por çfarë mund të ndodhë në këtë rast është një impenjim më aktiv i opozitës dhe një rol më i qartë i saj në ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Opozita është shumë e zënë me kutitë dhe me protestat, por shanset për impakt publik (nëse ajo e kërkon), janë më të mëdha nëse  juristët e saj do të mbanin një qëndrim publik për situatën e ngatërruar të emërimit të anëtarëve të rinj (madje jo vetëm të Gjykatës Kushtetuese)

71 votat e nevojshme për të dhënë pëlqimin rreth emërimeve apo për t’i rrëzuar ato nëse nuk i pëlqejnë maxhorancës, mund të interpretohen lehtë si presion mbi presidentin për të dekretuar emërime që i interesojnë shumicës, e jo forcimit të shtetit të së drejtës. Është reagim i pritshëm nga maxhoranca që ajo të kërkojë gjashtë zëvendësime njëherësh dhe ta bëjë presidentin të mendohet mirë për emrat që do të dekretojë, sepse maxhoranca do “frymë të re” brenda kushtetueses, që ajo të mos shfuqizojë më shpesh dhe pa asnjë mëdyshje nismat ligjore të qeverisë, të miratuara vetëm nga votat e mazhorancës parlamentare. Po ama është një reagim i pritshëm edhe prej opozitës, që ajo të mbajë një qëndrim për çështje të tilla madhore.

Nuk është kënaqësi e veçantë të shohësh se si Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligje, marrëveshje, e dispozita ligjore njëra pas tjetrës. Është mirë për reputacionin e saj dhe të sistemit, por është gjithashtu tregues i mos-funksonimit normal të ligj-vënësit. E së bashku me maxhorancën, vëmendje ndaj vendimeve të Kushtetueses duhet të mbajë edhe opozita. Prandaj pjesëmarrja e saj aktive është thelbësore në këtë pikë, qoftë në komisionin përkatës për shqyrtimin paraprak të kandidaturave, qoftë në seancat plenare për dhënien e pëlqimit për to.

Që theksi të jetë edhe një herë i qartë duhet përsëritur se ripërtëritja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje e zakonshme. Prandaj nuk mund të anashkalohet kaq lehtë zëvendësimi i 2/3 së anëtarëve, teksa Kushtetuta parashikon vetëm një të tretën e ripërtëritjes në të njëjtën kohë.

Ndërhyrjet për këtë gjykatë duhet të jenë shumë më të menduara dhe çështja është delikate sepse së pari, bëhet fjalë për atë që Neni 124 i Kushtetutës e quan “Organi me i rëndësishëm i shtetit” dhe që garanton qëndrueshmërinë dhe bazueshmërinë e tij në Kushtetutë.

Së dyti, hartuesit e Kushtetutës dhe miratuesit e saj (pra populli) ka vendosur që “Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj”. (Neni 125, 3). Pra jo 2/3, por 1/3.

Se treti, përveç rregullimit qe i është bërë direkt me Kushtetutë kësaj situate, ajo është rregulluar edhe sipas ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese (Ligji Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”). Neni 7 i këtij ligji konfirmon pra atë që thotë Kushtetuta në nenin 125, 3 të saj.

Së katërti, bie në sy që edhe pse Kushtetuta i ka lënë si detyrë që ky ligj të caktojë hollësisht procedurën dhe rotacionin në një të tretën e saj, përsëri ligji në fjalë nuk e ka rregulluar këtë çështje, prandaj edhe ndodhemi në situatën e sotme.

Megjithatë disa dispozita për përtëritjen ekzistojnë. P.sh. sipas nenit 8, pikat 3 dhe 4, të  ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese,”Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon nga data e betimit dhe mbaron në datën e njëjtë të atij muaji, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij”.

Sa i përket mbarimit të mandatit, neni 9 i po këtij ligji thotë: “Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;b) nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj;c) mbush moshën 70 vjeç;ç) jep dorëheqjen;d) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

Në rastin konkret të dëshirës për të bërë zëvendësimin e 2/3 të anëtarëve, asnjëra nga pikat e mësipërme nuk është prezent”.

Mirëpo nga ana tjetër, neni 82, pika 3 thotë: “Përtëritja e Gjykatës Kushtetuese pas vitit 2001 do të bëhet sipas mbarimit të mandatit të secilit gjyqtar”.

Dhe sipas kësaj logjike juridike, në prill dhe maj 2010 kemi mbarimin e gjashtë mandateve njëherazi. ( Abdiu,  Puto, Zaganjori, Plloci, Sadushi, Thanza).

Nga ana tjetër, i njëjti ligj, ashtu si edhe Kushtetuta, parashikojnë përtëritjen e një së tretës të përbërjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese një herë në tre vjet.

Atëherë cila prej dispozitave do të ketë përparësi?

Për hir të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe ndalimit të ndërhyrjeve politike në sistemin gjyqësor, sigurisht që idealja do të ishte të zëvendësoheshin 3 gjyqtarë, e jo 6 (ashtu siç e parashikon edhe vetë Kushtetuta).

Por respektimin e saj, edhe këtë radhe e kanë në dorë ata që janë caktuar të jenë garant të zbatimit të Kushtetutës.

Konstitucionalistët do të luanin gjithashtu rol thelbësor në shpjegimin e çështjes dhe media duhet të jetë përcjellëse e këtij debati jo të çfarëdoshëm.

E në fund, shpresojmë që presidenti të mos jetë i detyruar të dekretojë kandidatura (as në emër, as në numër) që do të cenonin reputacionin e  Gjykatës Kushtetuese, thjesht sepse vendimet e saj nuk i shkojnë për shtat politikës.

Entry filed under: Analize. Tags: .

Publikut, televizionin që i takon Vizë Ramës dhe Berishës

1 Comment Add your own

  • 1. edliragjoni  |  23/04/2012 at 17:49

    Fiks dy vjet me pare, dhe gjendja ne Gjykaten Kushtetuese, eshte e njejte. Jo me 6 emrat, por me lojen qe behet me te,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2010
M T W T F S S
« Mar   May »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: