Britania, në cilin krah?

07/05/2010 at 21:20 5 comments

Konservatorët apo laburistët? Këtë e vendos lideri liberal-demokrat.

Në Britaninë e Madhe sot flitet vetëm për një emër: Nick Clegg. Lideri i Partisë Liberal Demokrate vërtet nuk fitoi dot vendet që të gjithë prisnin në këto zgjedhje parlamentare, ama ai dhe partia e tij, janë përcaktuesit e qeverisë së ardhshme britanike.

Varet tashmë pikërisht nga ky njeri se kush do të jetë kryeministri i ardhëm britanik. Një gjë është e sigurt: nuk mund të jete vetë Clegg. Ama nëse do të vazhdojë të jetë Gordon Brown, apo në krye të qeverisë do vijë David Cameron, këtë e vendos Nick Clegg.

Disi e çuditshme situata në Britani, dhe fare e pazakontë. Pas 36 vjetësh rikthehet parlamenti pa shumicë absolute dhe nevoja për qeverisje në koalicion.

Sistemi maxhoritar anglez bëri që konservatorët të fitojnë 306 vende, por këto janë të pamjaftueshme për pragun e 326 deputetëve që duhet për të pasur në dorë shumicën absolute. Ky sistem la me shumë pak deputetë partinë e Nick Cleggut, që mori madje më pak vende sesa legjislatura e kaluar (57 nga 63 që kishte më parë). Ama në rang kombëtar, nëse votat do ishin përkthyer në mandate me një sistem proporcional, Liberal Demokratët do të kishin sot në Parlament 143 deputetë.

Por ja që nuk është kështu. Liberal Demokratët u penalizuan nga sistemi zgjedhor, dhe kjo është edhe pika kryesore të cilën Nick Clegg do të kërkonte si kusht për qeverisje me konservatorët.

Në praktikën e mëparshme të vendit që nuk ka kushtetutë të shkruar, ka qenë kryeministri në detyrë ai që kërkonte i pari koalicion në raste të tilla. Por këtë radhë, ligjërisht i jepet e drejta David Cameronit, si udhëheqës i partisë që ka marrë më shumë vende, që të bëjë ofertën i pari.

Dhe përfaqësuesi i “aristokracisë” angleze e bëri, por pa përmendur gatishmërinë për të diskutuar për sistemin zgjedhor.

Prandaj Liberal Demokratët janë vënë në vështirësi dhe mblidhen sot për të diskutuar kushtet e bashkëpunimit.

 Mundësitë e qeverisjes

Në ftesën e tij publike për bashkëqeverisje me Liberal-Demokratët, Cameron foli për një ofertë “të madhe, të hapur dhe të kompletuar”. Sigurisht që Clegg nuk mund të besonte se kjo ishte dhurata e parakohshme e Krishtlindjeve, e as e gënjeu  mendja se në ofertë konservatorët do të përfshijnë zbatimin e politikave që kanë në planin e tyre liberal-demokratët. Por frika e tyre më e madhe është se kutia e dhuratës, mbështjellë bukur me fjalët “e madhe, e hapur dhe e kompletuar”, mund të rezultojë në fakt të jetë bosh.

Nick Clegg gëzon sot në Britani një popullaritet të jashtëzakonshëm, që u ngrit në qiell veçanërisht pas debatit të parë televiziv të tre udhëheqësve të partive kryesore. Gazeta dhe televizione prestigjioze britanike e deklaruan hapur simpatinë e tyre për politikanin e ri dhe shumë premtues. Mbështetja e medias e bëri edhe më të sigurt pozicionin e tij, pavarësisht se sistemi elektoral nuk është në favor të partive të treta në Britani.

Qysh gjatë fushatës, Clegg ka deklaruar se e drejta për të formuar qeverinë e re duhet t’i jepet partisë që fiton më shumë vende në parlament. Por, bashkë me këtë deklaratë, kur u pa qartë se konservatorët janë ata që kanë më shumë shanse qeverisjeje, Clegg tha me kujdes se shpresonte që “Partia Konservatore mund të tregojë se është e aftë që të kërkojë një mënyrë qeverisjeje që do të jetë në interes të kombit”.

Me fjalë të tjera, Clegg po kërkon që Cameron t’i bëjë një ofertë që ai të mos jetë në gjendje ta refuzojë.

 Po cili është “interesi i kombit”?

Votuesit britanikë janë të pakënaqur me dy partitë e mëdha, dhe kjo duket hapur në mënyrën se si i ndëshkuan ato, nga njëra anë duke ulur me 95 numrin e deputetëve laburistë, e nga ana tjetër, duke mos i dhënë shumicën absolute konservatorëve.

Kësaj pakënaqësie i shtohet edhe fakti se votat e dhëna për liberal-demokratët nuk u përkthyen në mandate, dhe kjo i ka irrituar disi votuesit që deri pak ditë para fushatës, ishin indiferentë ndaj zgjedhjeve.

“Politika është biznes. Edhe këtë radhë do të zgjidhet me marrëveshje” – shkruante dje the Guardian. Dhe në këtë biznes, edhe kryeministri “ i ndershëm, por jo popullor” Gordon Brown, bëri ofertën e tij të hapur për liberal demokratët, duke i kujtuar Cleggut ngjashmëritë e partisë së tij me laburistët përsa i përket ekonomisë dhe sistemit zgjedhor. Kjo e fundit ishte një “shashkë” e hedhur me shumë kujdes nga Brown, sepse në fakt, asnjëra nga partitë e mëdha nuk dëshiron që të lirojë terrenin për liberal-demokratët.

 Shtypi britanik

Mbulimi i kësaj fushate, i zgjedhjeve, rezultateve dhe negociatave pas tyre, ka qenë më i pazakonti dhe më popullori në Britani. Që nga debatet televizive që u prezantuan për herë të parë në këtë fushatë, e deri tek simpatitë e shprehura publikisht apo botimet disa herë brenda ditë-natës së zgjedhjeve të një numri të madh gazetash, tregojnë se zgjedhjet në Britani janë tashmë tregues i qartë i rritjes së interesit publik ndaj ligjvënësit në vendin e tyre.

Titujt e gazetave angleze ishin therëse dhe ironike, siç dinë të jenë vetëm ata. The Independent doli të premten në mëngjes me titullin e madh: “Go hang! The message from Britain’s voters,” , që është vënie në lojë e fjalës “hung parliament”, e duket sikur thotë “Drejt koalicionit,“, por në fakt e vendosur me një germë ndryshe, iu drejtohet politikanëve me sarkazëm: “Shko varuni” .

The Sun kishte në titullin kryesor “ Gordon Brown unelected, unwanted, untenable” (Brown i pazgjedhur, i padëshiruar, i panevojshëm)

Në faqen e saj internetit, The Times ka kapërcyer kufijtë e etikës teksa ka hapur një sondazh ku i pyet lexuesit: “Who should the Lib Dems get into bed with?” (Me kë duhet të venë në shtrat liberal-demokratët?)

BBC ka regjistruar në faqen e saj online 5 milionë vizitorë për 12 orët e para pasi u mbyllën kutitë e votimit. Por mbulimi i saj ishte si përherë korrekt dhe brenda të gjitha normave etike që korporata gjigande i ka vendosur vetes. Pra, as sondazhe, as tituj provokues. Por një armatë e tërë gazetarësh, reporterësh dhe analistësh, më të mirët që ka sot Britania, që raportonin në një format të shkrirë të kanaleve të BBC-së nga studiot, parlamenti, selia e qeverisë apo selitë e të tre liderëve kryesorë.

 Zgjedhje të dështuara?

Skeptikët mund t’i quajnë të tilla, po të marrësh parasysh mbështetjen e madhe mediatike që patën Cameron dhe Clegg, por që për arsye të  ndryshme, nuk arritën të marrin vendet që prisnin. Gordon Brown solli humbjen më të thellë të laburistëve që prej vitit 1983. Dhe asnjëra prej tre partive të mëdha nuk arriti t’i bindë britanikët se është e aftë ta qeverisë vendin e vetme.

Ose të paktën, votuesit e kanë humbur besimin tek politika. 
Laburistët luajtën gjatë fushatës me postulatet ”Më mirë mbani neve, djallin që njihni, sesa të sillni një djall të ri. Çdo ndryshim qeveri do të sillte dizastër ekonomike, kështu që mos rrezikoni kot, por na lini në pushtet”.

Konservatorët  risollën idenë e Thatcher-izmit për “një shoqëri të madhe” dhe ndryshim, që në fakt, nuk ka asnjë lidhje me vetë partinë.

Kurse liberal demokratët dukej sikur thoshin thjesht: “Votoni për ne, se nuk jemi as laburistë, as konservatorë”. Por, fatkeqësia ishte se Nick Clegg ishte i vetmi që britanikët patën mundësi të njohin nëpërmjet ekranit, kurse shumicën e kandidatëve të tij, nuk i njihnin as votuesit ku ata kandidonin. Prandaj shanset për anëtarët e partisë së tij nuk ishin të shkëlqyera.

Komentet britanike për zgjedhjet e tyre janë më kuptimplote dhe shpjeguese se zgjedhjet vetë. “Ky nuk është dështim i demokracisë, e as ngërç i saj. Përkundrazi. Ky është një sistem që ndërron qeverisjen çdo pesë vjet dhe këtë radhë, zgjedhësit treguan se iu pëlqen të qeverisë ndryshe, jo nga një, por nga dy parti. Treguan gjithashtu se iu vjen keq për stërmundimet e Gordon Brownit për t’u shfaqur si njeri i thjeshtë, kur në fakt ai këtë rol nuk e bën dot. Votat më të shumta në numër nga c’priteshin për laburistët treguan se britanikët akoma kanë shpresë tek kjo parti; dhe mos-arritja e shumicës absolute në parlament për konservatorët është sinjal që tregon se kjo parti akoma nuk e ka fshirë imazhin e saj si “partia e keqe” në sytë e votuesve britanikë”. Kështu analizonte dje The Times në faqen e saj.

 Leksionet nga Britania

Zgjedhjet në Britani treguan se votuesit kanë më pak besim tek politika sesa mendojnë politikanët . Cameron ka ofruar koalicion të hapur, por ka rikonfirmuar se partia e tij nuk do të lejojë qasje të mëtejshme të Bashkimit Europian”, të cilën as laburistët, as liberal-demokratët nuk e zënë në gojë. Brown po pret me padurim bisedimet Cameron-Clegg, që të mund të shkojë me një tufë lule, një pako çokollata dhe një letër premtimi për të bërë referendum për sistemin zgjedhor.

Po përtej rrjedhës së ngjarjeve, gjithkush po sillet me qetësinë e pabesueshme të fituesit. Askush nuk bënte, nuk kërcënon për greva, as për protesta, as për veprime qesharake.

Leksionet vijnë nga votuesit, nga numëruesit, nga media, dhe nga politika vetë.

Sido që të venë bisedimet, në 18Maj, mblidhet parlamenti i ri.

Britania sigurisht di s’i t’i japë leksionet. Por jo të gjithë kanë sy e veshë për to.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Opinion. Tags: .

Vizë Ramës dhe Berishës Koalicion pa çadra në Britani

5 Comments Add your own

  • 1. Gjergji  |  08/05/2010 at 08:04

    Shpjegim shume i mire e situates cfare po ndodh. Faleminderit per prurjen !

  • 2. mosey  |  17/05/2010 at 18:35

    E shikoj qe ke mbajtur nje sy mbi zhvillimet, Te flasim siperfaqesisht
    Ishte e qarte qe tre rruge ishin mbas resultateve,
    1 minority government by Conservatives
    2 “loose” supportive role coalition Lib dem- Con
    3 full coalition Lib dem-Con

    Labour nuk kishin numrat te arrinin nje coalicion te drejteperdrejt me Lib Dems. Idea e coalicionit te ylberte(lab+libs+green+scots+ welsh etc) prap nuk bente dot qeveri te qendrueshme.
    Nuk e pranoj qe Nick u ndesh me pikepyetjen midis Labour ose Con.
    Pikepyetja ishte: shkojme ne coalicion me Con apo jo dhe cfare natyre/forme coalicioni duam.
    Atehere, Nick perdori manoeuvres (by playing Labour and Con) qe te nxirrte nje pako me sa me shume nuanca te manifestos se LIb Dem dhe mbi te gjitha me poste te majme per Lib Dem leadership.
    Vetem se ne realitet (strictly speaking) nuk qe nje lozje e Lab-Con pasi ne fact, Gordon Brown e dinte qe Labour ishte jashte me ate si koke apo pa ate. Pas disa bisedave midis Nick dhe Brown, Brown e ndihmoj Nick me manovrat per te vene presion mbi Con. Pune minutash pasi Brown foli mbi ikjen e tij si udheheqes i Lab, Con Osbourne deklaroi offerten e reformes zgjedhore.

    Por mbi te gjitha, nje coalicion apo qeveri JO conservative nuk ishte e pranueshme tek disa grupe dhe persona qe punojne ne mbrapaskene, cdo institucion mediatik dhe sidomos ai i Murdoch empire, ju versulen ,gjate fushates, si bisha Gordon Brown,persona non grata. Jo se ai eshte Revolucionar dhe rrezikon systemin (ai I sherbeu systemit per 13 vjet) por se loja keshtu dikton. Cdo shfaqje qe nenkupton realitetin (continuum dhe elitism) duhet te shtypen dhe zhduken nga skena.
    Me te vertet sipas elitistave (edhe vete ish labour elite-Blair-Read-Blanket & co) ishte koha per ndryshim perndryshe ilusioni demokratik mund te vuaj. Vetem masat injorante nuk i dine keto gjera. Ndersa media embodied by your darling BBC, Paxman, Nick Robinson & co e di shume mire situhaten por misioni i saj eshte te ndertoje narrativat per te nesermen. …that is : edhe nje here ne historin e lavdishme te Britanis, Plutarchy (or at best Passive Democracy ) packaged and marketed as Active Democracy has worked.

    Nuk do te shkoja aq larg sa te quaja median Britanike prestigjioze. Vetem n.q.se fjalen “prestigjioze” ne kete rast e perdorni ne orgjinalitetin e saj…doni te thoni “delusionale”, e varfer ne shije, hipocrite, incoherente.
    Gjithashtu me jep nje ndienje se ndertimi dhe perqafimi i nje figure nga opinioni mediatik eshte i nevojshem per legjimitet. ” if the media likes him…. so should I” Somehow the approval by the media (and not by simply a media but a prestigious one) makes one credible. Interesante eshte qe imposimi individo-partiak ndodh ne sub-strukturat , jashte perimetrave te demos. Pastaj, tipike eshte jo vetem superimposimi i protagonistave ne psiqit e masave qe mediat e egzekutojne me zell nepermjet polemicave boshe por superimposimi i narratives se masat ne menyre uniforme, hemogene ishin kapur nga ethet electorale si asnje here me pare.

    Reality,nuk kishte enthusiasm fare ne rruge, skishte diskutime politike midis njerezve (dicka e pamundur per nje zombie, zombiet nuk duhet te praktikojne medim, sidomos mendim te panvarur) pervec ritualitetit ne poll station. Popullariteti nuk ishte real, ishte ilusional, I superimposuar nga monologu mediatik.
    Pervec politikave vulgare te xhelozis dhe urrejtjeve masat nuk duhet te ushqehen high politics ose praktikojne ndonje critical thinking!!!! Ndersa evidente ne emer “Media” eshte nje “medium“per perciellien e informacionit, me me rendesi eshte realitety I Jo-realitetit qe ajo krijon. Me me rendesi eshte frakturisimi dhe shtremberimi qe ajo I ben informacionit. Por kulmi eshte prodhimi I informacionit. prodhimi I producteve qe nuk kane ndodhur ne boten reale. The real of the not real….Welcome to Matrix!

  • 3. edliragjoni  |  18/05/2010 at 17:22

    Moisi,
    Nice to see you back🙂
    And thnx for to thorough comment🙂
    Sa per rolin qe luajti media ne zgjedhjet britanike, do te bej nje shkrim te vecante.

  • 4. mosey  |  18/05/2010 at 18:24

    Hi, I am happy to comment on your blog, although you have to put up with an anarchist’s strong opinions. I have been busy with work, but i love to keep up with your work. Ne kemi dale nga nje djep,Lugina. I am sure that if ever we meet we would find a common ground on our politics.

  • 5. edliragjoni  |  19/05/2010 at 17:00

    Do flasim per politike ne Lugine, pse jo?🙂
    Une atje vazhdoj t’i bej pushimet, plus, shkoj edhe ndonje fundjave ne cdo dy-tre muaj. Me teper eshte e pamundur : (

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: