Koalicion pa çadra në Britani

12/05/2010 at 17:28 Leave a comment

Koalicionet qeverisëse, shpëtim, apo rrezik? Përgjigjia nuk mund të vijë duke marrë si shembull pseudo-demokracitë si kjo që pretendojnë grevistët, kutistët dhe berishtët në Shqipëri.  Por, një analizë duke pasur parasysh ç’ndodhi këtë javë pas-zgjedhore në Britaninë e Madhe, po, mund të bëhet.

Koalicionet formohen për të kontrolluar një shumicë parlamentare nëse zgjedhjet nuk nxjerrin një fitues me shumicë absolute (të përcaktuar sipas vendit). Politikanët e vendeve të mëdha, të cilitdo kah, do shqetësoheshin mbi të gjitha për një aspekt në rast të nevojës për të krijuar një qeveri koalicioni; për pamundësinë për të bllokuar deficitet dhe panikun që kjo formë qeverisje sjell në tregjet financiare.

Bisedimet për të formuar koalicionin në Britaninë e madhe u përqendruar pikërisht tek ekonomia dhe financat më shumë se kudo tjetër. Konservatorët këmbëngulin të ulin menjëherë shpenzimet publike për të ulur deficitin, kurse laburistët pretendojnë se ulja e menjëhershme e shpenzimeve brenda një kohe shumë të shkurtër, ul ndjeshëm rikuperimin e ekonomisë nën të cilin Anglia gjendet, ashtu si shumica e vendeve të Europës Perëndimore. Dhe ky është një diskutim që bucet në të gjitha mediat europiane, që nuk kanë në qendër vetëm zgjedhjet në Britani.

Situata kritike në të cilën gjendet Greqia dhe monedha europiane ka bërë të shtohen zërat në radhët e analizave dhe diskutimeve europiane për nevojën e shkurtimit të shpenzimeve publike në vendet që janë krizë. Pra i është kërkuar Greqisë, Italisë, Spanjës, Portugalisë dhe Irlandës, që të ulin deficitin buxhetor, sepse këto vende po shpenzojnë më shumë se të ardhurat.

Në Shqipëri, këtë lloj diskutimi nuk e dëgjuam as para zgjedhjeve, as pas tyre, as nga pozita, as nga opozita. Sigurisht, sepse jemi shumë të zënë me interesat personale, ndërtimin, përftimin, pazaret e radhës që i veshim bukur me kuti e me greva. Ama është edhe e pritshme kjo situatë, sepse politika nuk mund të bëhet skutave. Prandaj kthehemi tek analiza e koalicioneve të krijuara tjetërkund, avantazhet dhe disavantazhet që sjell ajo si tipar i qeverisjes.

Konservatorët nuk heqin dorë nga plani i tyre për të shkurtuar shpenzimet e në këtë pikë janë treguar madje më këmbëngulës në negociata me liberal-demokratët sesa nevoja për ndryshime në sistemin zgjedhor (që edhe nëse e pranojnë si nevojë, do ta bëjnë me referendum, gjatë të cilit, do jenë të lirë të bëjnë fushatë kundër ndryshimeve).

 Megjithatë, që të qëndrojmë tek koalicionet, njohësit e politikës në Britani po shpjegojnë me shumë durim se koalicionet nuk janë fundi i botës, edhe pse kanë qenë rrallë të pranishme në vendin e tyre. Ama gjatë luftës së dytë botërore, Anglia është drejtuar pikërisht nga një koalicion.  Dhe atëherë qeverisja rezultoi e suksesshme, jo vetëm për fitimin e luftës, por edhe për menaxhimin e suksesshëm të ekonomisë.

Po në vendet e tjera europiane? Në Gjermani, që ka ekonominë më domethënëse ne Europë, qeverisja në koalicion jep shembullin më të mirë. Sistemi i saj zgjedhor lejon koalicione të shpeshta  e të shumëllojta, që kanë provuar të jenë pozitive për ekonominë gjermane. Merkel drejton sot në Gjermani pikërisht një qeveri koalicioni mes konservatorëve Kristian-Demokratë, Unionit Social-Kristian dhe Liberla-Demokratëve të Lirë. Sprova e vetme që ka ndeshur ky koalicion për ekonominë që prej fillimit, është ajo mbi krizën greke dhe iniciativën e kancelares për të mbështetur helenët me një plan shpëtimi. Ama për probleme të brendshme të ekonomisë gjermane, koalicioni e ka gjetur më lehtë gjuhën e përbashkët.

Ka raste kur koalicionet janë krijuar edhe midis dy partive të mëdha (edhe pse këto janë raste më të rralla). Por, në kundërshtim me rastin britanik, në Europë bisedimet për koalicion bëhen para zgjedhjeve, veçanërisht kur partitë  janë të guximshme aq sa t’i pranojnë vetes se nuk kanë shanse të fitojnë të vetme. Koalicionet parazgjedhore krijojnë edhe qeveri me stabilitet më të qëndrueshëm.

Këto tip qeverish  janë shumë të përhapura në të gjitha vendet skandinave dhe rezultatet e ekonomisë së vendeve të tyre nuk kanë nevojë për koment. Shembulli më I çuditshëm në këto vende vjen nga Finlanda, e cila nuk ka pasur asnjë qeveri maxhoritare, por vetëm qeveri në koalicion që prej shpalljes së pavarësisë nga Rusia, në vitin 1917.

Në Irlandë gjithashtu koalicionet kanë 21 vjet që qeverisin (që prej vitit 1989, asnjë parti nuk e ka fituar shumicën absolute të votave).

Megjithatë, koalicionet qeverisëse kanë edhe anët e tyre të dobëta dhe shembujt janë gjithaq domethënës. Në Belgjikë për shembull, koalicionet janë jetëshkurtra për shkak të mënyrës se si është ndërtuar sistemi zgjedhor, që kërkon patjetër përfaqësimin në parlament të tre komuniteteve të  ndryshme që përbëjnë popullsinë e vendit (folësit e gjuhës holandeze Flemish në veri të Belgjikës, Frëngjisht-folësit në Jug dhe Gjermanisht-folësit në lindje). Kjo detyron krijimin e koalicioneve me shumë parti të vogla që jo gjithmonë bien dakord lehtë, rrjedhimisht edhe koalicioni ka përgjithësisht  jetë më të shkurtër.

Muajin e kaluar për shembull, kryeministri i vendit dha dorëheqjen për shkak të largimit të një partie të vogël nga koalicioni që ai drejtonte (nuk u zunë për vende pune, as për tendera apo leje ndërtimi, por për mënyrën se si votohet në Bruksel si kryeqytet  i Belgjikës, e jo si stacioni i BE-së).

Në Itali gjithashtu koalicionet kanë qenë fatkeqe. Madje nga vendi fqinj na vjen shembulli më I keq i ekzistencës së koalicioneve. Që prej vitit 1945 Italia është drejtuar nga 61 qeveri të ndryshme, njëra më jetëshkurtër se tjetra. Reforma e sistemit politik është gjithaq e domosdoshme në Itali, por për momentin, nuk ka gjasa të kryhet. 

Pra qeverisjet në koalicion kanë sigurisht anët e tyre pozitive dhe negative. Ato janë të suksesshme aty ku demokracia është e konsoliduar dhe vullneti për të mirën e vendit vihet mbi interesat personale apo partiake (sado që ngjan naïve si ide, është ajo që përmendet më shumë sot nga ata që dinë të bëjnë politikë, por që nuk jetojnë në çadrat para kryeministrisë).

Qeverisja në koalicion që do të drejtojë Britaninë në katër vitet e ardhshme ka shumë gjasa t’i bashkohet, madje të udhëheqë grupin e shembujve pozitivë të koalicioneve sot në botë.

Është sërish fatkeqësi të mendosh e  të pyesësh përse njerëz me tru e me zemër nuk lindin edhe në Shqipëri. Por akoma nuk jemi ngopur me pushtet personal e me ndarje territori, prandaj shpjegimet për mënyrat dhe qëllimet e funksionimit të qeverisjes së përbashkët (apo asaj me rotacion), janë fjalë në erë për të pangopurit tanë, që part-time, bëjnë edhe punën e pseudo-politikanit.

Britania do të qeveriset nga një koalicion. Dhe çudi e madhe fort, media flet vetëm për pikat e përbashkëta që ulën në bisedime dhe marrëveshje dy partitë.

E para derës me numër 10 në Downing Street në Londër, nuk ka akoma asnjë çadër!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Britania, në cilin krah? Tirana, veç një teshtimë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: