Tirana, veç një teshtimë

14/05/2010 at 08:25 Leave a comment

Prej dy javësh po shijoj Tiranën pa qendër. Nga pjesa lindore e saj futem në unazë për të dale tek i ziu zog dhe largohem prej kryeqytetit për në pjesët e tjera të Shqipërisë. Në kthim, bëj pjesën tjetër të unazës, me rrotullimet në Vasil Shanto apo Dëshmorët e 4 Shkurtit për të shkuar tek Abdyl Frashëri, sheshi Nënë Tereza, rruga Asim Zeneli për tek rruga e Elbasanit, e prej aty, majtas nëse duhet të shkoj sërish në unazë e në lindje, dhe djathtas nëse dua të largohem sërish nga Tirana, këtë radhë për në pjesët juglindore të Shqipërisë.

Dy javë që s’më ka rënë rruga nga bulevardi. S’e dija që Tirana ishte kaq e këndshme. Të përshkosh itineraret e mësipërme, në nga ora 07.00 – 20.00 duhet luftë nervash me trafikun. Ama pesë minuta para orës 7.00 të dalësh, Tirana të duket qyteti më i dashur në botë (jo për afganët mbase).

Tirana e mëngjesit është qytet pothuajse i paqtë. Pemët kanë shpërthyer të gjitha (më në fund) dhe janë rritur e bien në sy në çdo rrugë (jo vetëm kryesore). Distancat nga njëra pjesë e saj drejt tjetrës përshkohen për fare pak minuta dhe nëse do të qëndrosh, kudo që ta hedhësh syrin, ka parking. Qyteti është në zgjim, por vetëm në pjesën e medresesë lëvizja është më e shpejtë; aty tregu është hapur dhe më tej, më shumë sheh dum-dumet tre-rrotësh me perime, sesa makinat e vogla. Ka edhe furgonë që shpërndajnë qumësht, kos, vaj, djathë, mozzarellë, të fetosur për restorantet, me kile për tregun. Furnitorët bëhen gati t’i shërbejnë barkut të tiranasve (të vërtetëve dhe fallsove).

Kurse veturistët flenë. Pas një ore (ose dy) fillon parada e tyre. Dhe dum-dumet, perimet, djathërat e rrugët e qeta do jenë zhdukur. Edhe pemët bashkë me to.

Më pëlqen pa masë Tirana e harruar, e lënë rehat në orët kur protestues, grevistë, gazetarë, shoferë, autobuzë, zhurma, trafik, sharje, kaos e gjullurdi, akoma nuk e kanë marrë zvarrë.

Por këto dy javë gjithçka është përqendruar në Bulevard. Asnjëherë më parë Tirana nuk ka qenë më me fat. E gjithë energjia negative, mbajtësit dhe përhapësit e saj janë atje, në ca çadra, brenda, rreth, jashtë, sipër tyre. Të gjithë në bulevard; të majtë, të djathtë, të qendrës, të pa-boshtët, politikanët, ndërtuesit, pazarexhinjtë, tregtarët politikë, sekserët, nënë Mara e dimrit të madh (që këtë radhë është mashkull), edhe Pranvera që shkoi partizane pasi mori bekimin me puthje në ballë (po këtë radhë Pranvera është këngëtare. Aktorja është e zënë me politikë tjetërkund).

E të gjithë tek çadrat. Nënë Mara jo. Veç dirigjon partizanët.

Teatri i madh dhe i gjatë, ku hyrja është falas e aktet nuk kanë as fund, as fillim, ka tërhequr brenda tij edhe median, që me kamera, autobuzë, furgonë e kamionë transmetimi, është instaluar aty.

E për fat, Tirana ka shpëtuar edhe nga lajmet.

Kurrë më parë situata nuk ka qenë kaq fatlume. Sikur ta kenë bërë skenarin me dorë e me detaje (për të cilat nuk shquhemi si rracë).

E pra, pasi Tirana të shijon sepse i vjen vërdallë duke anashkaluar gjithë lumturi bulevardin, shkon përpara televizorit me mendjen e qetë që nuk ke për të parë lajmet, sepse lajmet janë vetëm aty, tek bulevardi që shmanget (fillimisht me detyrim, e tani gjithë kënaqësi).

Mund të jetë e vërtetë që Tiranës i është bllokuar aorta. Por ajo merr frymë. Dhe merr frymë shkëlqyeshëm, veçanërisht në orët kur aortë-zaptuesit bien në qetësi.

Paska qenë magjik ai shesh në bulevard. Ah sikur t’i mbushej mendja KKRT-së të lëshonte ca leje ndërtimi për çadra disa katëshe, ose Aluizmit t’i legalizonte ato. Të paktën e dimë ku është përqendruar limfa dhe ku ka krijuar trombozë. Dhe e shmangim duke shijuar Tiranën tjetër, pjesën e çliruar, të bukur, të dashur, të jetueshme të saj.

Mua më pëlqen tej mase greva. Mendova të aplikoj për t’iu bashkëngjitur, por tek shoh se faqekuqet heqin dy gramë e shtojnë tre kile, nuk m’u duk e udhës të rrezikoja.

Më pëlqen edhe të shoh mos-kokëçarjen e kryeministrit për katrahurën që i bëhet përpara selisë. Kush e di sa studentë fatlumë do mbrojnë teza diplomash me sjelljen e tij, kur ta marrin si rast studimi ndonja 50 vjet më vonë.

Po akoma më shumë më pëlqen Tirana e çliruar, në orët ku edhe vetë qyteti ndjehet i bekuar.

Ç’do thoshte Tirana sikur të kishte gojë? Do uronte të vazhdonte gjatë greva, që ajo të shijonte çlirimin e saj prej barrës që i lëshojnë të gjithë ata që i vërtiten në qendër? Apo do thoshte “Shyqyr, tani e di ku më dhemb. Dhe më është mbledhur lëmshi në një vend, e të paktën nuk e kam të shpërndarë në çdo venë”?

Sa keq që nuk di të teshtijë Tirana. Do ishte çliruar përfundimisht!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Koalicion pa çadra në Britani Komunikimi “spiun”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: