Komunikimi “spiun”

18/05/2010 at 17:28 Leave a comment

Ka apo nuk ka një draft marrëveshje për të zgjidhur ngërçin politik në Shqipëri? Pyetja solli një situatë të re në komunikimin mes disa palëve dhe në perceptimin publik ndaj asaj që po ndodh së fundmi.

Nuk ka asnjë logjikë të thjeshtë që të shpjegojë sipërmarrjet politike apo publike të aktorëve të huaj apo vendas, prandaj duket më e udhës të hiqet dorë nga kuptimi i së tërës për t’u fokusuar në ndonjë pikë të vetme, nga ku mund të kuptohet konkretisht diçka.

Beteja për të rënë dakord ose jo me grevën është e kotë për sa kohë që gjykimet për të bëhen mbi perceptime të ndryshme (ka njerëz që besojnë që vërtet greva ka një kauzë dhe ajo është transparenca e zgjedhjeve; ka nga ata që besojnë se transparenca e zgjedhjeve është nja kauzë e drejtë, por ajo fatkeqësisht nuk duket të jetë arsyeja e vërtetë e grevës aktuale; dhe ka nga ata që spekulojnë se greva është e tëra një stisje e nxitur nga shumë palë e faktorë dhe nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet apo me interesin e përbashkët).

Për të mos rënë pra në këtë diskutim  të ezauruar pa asnjë mëshirë, duket më interesante të shpjegosh sjelljen e palëve ndaj deklaratës së kreut të OSBE-së fundjavën e kaluar. Ose të paktën të përpiqesh.

Ngjarja është ajo që të gjithë dimë: Ambasadori i OSBE-së përmendi se në tavolinat e krerëve të dy partive kryesore, kishte një draft-marrëveshje për të zgjidhur krizën, që kishte mbështetjen e Bashkimit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri.

Specifika se i ç’forme ishte ky draft (i shkruar apo i menduar), nuk u dhanë. Për më tepër, deklarata ishte spontane dhe jo e përgatitur apo shpallur zyrtarisht.

Të nesërmen, kryeministri i vendin mohoi ekzistencën e kësaj deklarate, dhe jo vetëm kaq. Me një gjestikulacion shprehës më shumë se edhe fjalët e tij, kryeministri e hodhi poshtë deklaratën e ndërkombëtarit, duke e shoqëruar madje edhe me epitete nga ato që përdor zakonisht për të emërtuar kundërshtimet. Këtë radhë, kryeministri e quajti “diplomaci megalomane” deklaratën e bërë, së bashku me lëshuesin e saj dhe vendin ku u bë (jo në konferencë shtypi).

Si për t’i hedhur pakëz benzinë zjarrit që kishte rënë në kokën e diplomacisë prezent në Shqipëri, kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë tha po në një prononcim spontan në shtyp se institucioni që ai drejton, nuk ka dijeni për një deklaratë të tillë.

Media shqiptare u gjend e papërgatitur të trajtonte një zhvillim të tillë, por gjeti mënyrat për ta bërë skup këtë qëndrim kontradiktor, duke spekuluar se ambasadorët “tradhtuan” njëri-tjetrin.

Po për të mos e lënë tërësisht vetëm pretendimin e ekzistencës së draftit për marrëveshjen, kampi socialist doli në mbrojtje të tij, duke deklaruar se drafti ekziston.

Media u ndie konfuze. Publiku më pak (se akoma nuk ka arritur të kuptojë vështirësinë që po has media në të kuptuarit e të gjithë këtij komunikimi të pazakontë mes palëve, e rrjedhimisht, konfuziteti nuk i është përcjellë tërësisht).

Po le ta lëmë mënjanë ekzistencën e draftit. Bisedime ka pasur dhe zhvillime po ashtu. Çështja është komplekse dhe kontributi apo reagimet e të gjitha palëve të përfshira, janë faktorë që ndikojnë në situatën aktuale. Çfarë më bën përshtypje në këtë kaos, është prishja e modelit linear të komunikimit që jemi mësuar të ndjekim në media; dërguesi – mesazhi – marrësi. Përveç faktit që rolet janë përzier (tashmë është e vështirë të kuptosh nëse dërguesi e jep mesazhin për publikun, apo marrësi në këtë rast është vetë klasa politike që përbën subjektin e mesazhit. Mund të jenë edhe kolegët, që në mënyrë të tërthortë, kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e mesazhit).

Komunikimi është produkt jo vetëm i fjalëve, por edhe u kuptimit të tyre, pavarësisht nëse ato janë të drejtpërdrejta apo jo. Në një analizë të thjeshtë semiotike, shprehja e fytyrës së kryeministrit teksa mohonte ekzistencën e një draft-marrëveshjeje, do të interpretohej lehtë si një mënyrë për të përcjellë një mesazh po aq të rëndësishëm sa ai i shprehuri, por i fshehur pas së pathënës.

Antropologjisti Levi-Strauss do kishte analizuar domethënien e reagimit të secilës palë bazuar edhe në zakonet, kulturat dhe kontekstin socio-politik të secilit. Vështirësia e komunikimit në të cilën e gjetën veten palët tregon prishjen e një kodi apo sistemi rreth të cilave (nuk po) organizohen shenjat.

Në semiotikë i vihet shumë rëndësi faktit që domethënia e shenjave shpjegohet më së miri vetëm brenda një konteksti kulturor. (dhe kultura këtu nuk nënkupton art).

Zyra e shtypit të OSBE-së lëshoi një deklaratë për shtyp të hënën, ku mundohej të shpjegonte deklaratën e kreut të saj, të qartësonte kuptimin dhe të shmangte interpretimet e bëra nga media. Kjo të bën të kuptosh se në marrëdhënien mes palëve (ndërkombëtarë-media-politikë-publik), mungon boshti i përdorimit apo kuptimit të një koncepti të përbashkët, i një sistemi gjuhe dhe kodesh të pranuara,  që mund të ndihmojnë në përkthimin e marrëdhënieve të vërteta mes palëve.

Kodet ndihmojë në rregullimin e marrëdhënieve mes koncepteve dhe shenjave. Janë ato që stabilizojnë domethënien e gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ndaj deklarata e ambasadorit të OSBE-së, nuk mund të ishte kurrë aq e thjeshtë sa e shiti kryeministri, as aq e mohueshme për thelbin e saj sa ç’pretendon ai.

Nuk është thjesht gjuha e diplomacisë, por më tepër, sistemi i shenjave dhe kodeve që shpjegon më së miri semiotika, që të lejojnë të shkosh përtej deklaratave dhe interpretimeve të bëra publikisht. Edhe nëse deklarata nuk ka qenë e shkruar, kjo nuk mund ta pengonte ambasadorin të zgjidhte me kujdes tipin e gjuhës që duhet të përdorte për të shprehur idenë që duhej dhënë.

Si njeriu me eksperiencën më të gjatë në politikën aktive në vend, kryeministri e ka kuptuar shumë mirë anën tjetër të medaljes; gjuha e përdorur në deklaratën e diplomatit të huaj duhej marrë si tregues për të kuptuar se cilit koncept po i referohej folësi, çfarë mesazhi, sinjali po jep, dhe si duhet nënkuptuar ai.

Ekzistenca ose jo e draft-marrëveshjes është po ashtu subjekt i përsosur për një analizë fare të thjeshtë semiotike, që përmban në vetvete tre pjesë; subjektin domethënës, përshkrimin domethënës dhe domethënien vetë, kuptimin e saj. (signifier-signified-signification). Pra këtu kemi një lidhje mes materialit fizik për të cilin flitet (drafti i marrëveshjes), përshkrimin domethënës, pra përmbajtjen, pjesën jo-materiale të subjektit, konceptin me të cilin bën lidhjen logjike mesazh-mbajtësi si edhe domethënien e saj, pra lidhjen mes sinjalit të dhënë dhe realitetit të dukshëm.

I gjithë ky është procesi i thjeshtë i domethënies, i dhënies kuptim të gjërave sipas një rendi të caktuar, jo domdososhmërisht të dukshëm. Deklarata në këtë mes është shenja, sinjali, që i referohet dickaje jashtë vetes. Objekti i saj është marrëveshja që duhet arritur, interpretimi bëhet përmes hapësirës së lirë që kanë të dyja palët.

Në këtë rast, kryeministri zgjodhi të përdorë denotacionin, që përmban kuptimin e parë të fjalisë, atë që dëgjohet, pa i hyrë analizës së gjuhës së përdorur. Megjithatë, ambasadori që kërkonte të jepte një shpjegim për publikun e lodhur nga pritja (dhe i shtyrë mbase edhe nga nevoja për të mbajtur një qëndrim), përdori në fakt konotacionin, me shpresën se ashtu do të kuptohej nga pjesëtarët që e njohin dhe përdorin sistemin e komunikimit që kërkohet në kësi rastesh.

Diplomati i huaj pra përdori rregullin e dytë të domethënies, kuptimin ndër-subjektiv të saj, duke iu dhënë fjalëve një kuptim të ndryshëm nga shprehja që vishnin.

Semiologjia është shumë interesante në mënyrën e saj të interpretimit vizual të imazheve dhe domethënies së tyre. Ajo të lejon të shikosh në detaje të kujdesshme dhe të sakta lidhjen e vërtetë mes një imazhi dhe kuptimit real të tij. Prandaj, nëpërmjet saj është e lehtë të kuptosh se kur kryeministri mohonte kategorikisht ekzistencën e draft-marrëveshjes, në të vërtetë ai rrekej të mohonte idenë e ekzistencës së saj, e jo praninë fizike apo konceptuale të draftit.

Semiologjia gjithashtu sugjeron se ka një lidhje të fortë mes ndryshimeve shoqërore e kulturore dhe shenjave e gjuhës së përdorur. Ajo të bën të mundur të shohësh përtej përmbajtjes me shikim apo dëgjim të parë, e të përqendrohesh më tepër tek synimi që fshihet pas tyre. Prandaj është interesante të vëzhgosh sesi nëpërmjet deklaratave shohim të shpalosen ngjarje,  synime, njerëz, ide, emocione, qëndrime, frikë, zhgënjime, hakmarrje fjale, luftë thëniesh e kundërthëniesh, që përfundojnë të gjitha tek nevoja për të shpjeguar domethënien e fshehur të së tërës.

Në këtë moment, pikëpyetja për mënyrën se si po zhvillohet komunikimi del më e fortë se sa arsyeja për të cilën po komunikohet. Kryeministri mund ta ketë edhe me qejf këtë lojë, se largon vëmendjen publike nga tërësia e gjërave që kanë ngecur në vend edhe për shkak të tij, por në rastin e diplomatit të huaj, nuk duket se forma ka më shumë rëndësi se përmbajtja.

Por në këtë rast, ai u gabua, sepse kodi i gjuhës së tij, këtë radhë trokiti fort në një derë që është akoma e pa gatshme për këtë komunikim.  

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Tirana, veç një teshtimë Transparenca. Ku transparenca?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: