Transparenca. Ku transparenca?

20/05/2010 at 18:24 Leave a comment

 Shfaqja mbaroi. Ashtu si nisi, me iniciativën dhe vendimin e kryetarit. Greva nuk pati ndonjë bosht të shkruar rreth të cilit të mbështillej, po deri sa i bë për t’u shpështjellë, ca pika i lindën në kokë kryetarit, dhe për to fliste gjithë patos e zjarr, besim e këmbëngulje përditë.

Në një nga televizimet e tij maratonë, duke iu drejtuar një turme që pothuajse besonte vërtet se Ramën nuk e zinte gjumi për kutitë, kryetari e përmendi togfjalëshin “Ne NUK” aq shpesh në 15 minuta, sa kuptimi i saj filloi të zhdukej. “Ne nuk, ne nuk, ne nuk…” dhe turma zjarr me duartrokitje. “Ne nuk do ta ndërpresim grevën deri sa Sali Berisha t’i bindet transparencës që kërkon kombi”.

Po si e dorëzoi kaq shpejt veten Berisha? Jo pak, po të gjashta herët që Rama ia kërkoi transparencën, Berisha e dorëzoi pa kushte. Rama futi në kampingun para kryeministrisë 200 njerëz në grevën e parë me turne në vend, me këmbënguljen publike për ta vazhduar atë deri sa të plotësoheshin pikat kryesore (se vendimi ekstrem për grevën i kërkon ca arsye, edhe pse për të arritur deri aty, nuk u depozitua ndonjë kërkesë në institucionet që të ekzistojnë për të funksionuar ose dështuar në shqyrtimin e kërkesave, që të çojnë pastaj tek greva).

Sidoqoftë, Rama kërkoi plot gjashtë herë në pikat e tij transparencën: transparencë të  pakushtëzuar, përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë; transparencë në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj qeverisë; Transparencë e shifrave të ekonomisë; transparenca në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve; transparencë në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë; transparenca mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi.

Meqë greva mbaroi, i bie që Berisha sa të kthehet nga Strasburgu, do i harxhojë ditët e fundjavës duke hapur një nga një kutitë. Kuvendi që sot e tutje do jetë i tejdukshëm fare në funksionimin e tij. Vaj do shkojnë punët, pa më të voglën mëdyshje, se ishte kërkesë e grevistëve. Shifrat e ekonomisë tani do na jepen shumë të sakta e të pakundërshtueshme. Edhe nëse rroga jonë sot shpenzohet 5 herë më shpejt sesa dy vjet më parë, qeveria dhe opozita do na ndihmojnë të kuptojmë se e kemi gabim, duke qenë të hapur dhe të qartë me shpjegimet se çmimet nuk janë rritur, as inflacioni jo. Sa për transparencën e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve, ngado që ta kthesh, nuk di si mund të klasifikohet si arsye për grevë urie. Por po, midis grevistëve mund të shquash pretenduesit për kryetarë të këtij Këshilli që minutën që Rama bëhet kryeministër.

Përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Namin bëri greva në ndikimin për ta. Transparencë për vrasjen e deputetit Xhindi? Çfarë e ka mjegulluar transparencën? Dhe përse kjo çështje delikate për familjarët e të ndjerit bëhet vegël për shëmti të tilla?

Po shfaqja mbaroi. Tani kutitë u hapën, transparenca po na vret sytë dhe të gjithë jetojmë të qeshur e të lumtur. Shyqyr që ishte kryetari, se do ishim akoma nën sundimin e Berishës.

Ku qëndron ironia e gjithë kësaj sipërmarrje aventureske? Njerëzit besuan vërtet se greva kishte kauzë. Shqiptarët besuan vërtet se Ramën nuk e zë gjumi për punët e tyre. Mediat u shndërruan në transmetuese qesharake të grevës e dukej sikur rrinin hapur vetëm për të. “Rëndohet gjendja e grevistëve të urisë. Ulet tensioni, ngrihet temperatura. Largohet urgjent për në spital deputetja. Hyn zëvendësuesi”. Është ngjarja më qesharake dhe tallja e radhës me njerëzit e thjeshtë.

Largimet me barela bëheshin përherë vetëm në prani të kamerave. Pa kamera, asnjë nuk sëmurej. Dhe të larguarit me barrela janë pretendentët për postet më të larta të qeverisë së ardhshme. Kështu thotë media vetë, ajo që nuk la ditë e minutë pa e tragjedizuar grevën.

Po kam parë edhe njerëz të thjeshtë që nuk ishin në gjendje të diskutonin ditën e protestës kur autobuzët sollën në Tiranë varfanjakët dhe pozitë-kërkuesit nga e gjithë Shqipëria. Nuk diskutonin sepse i kishin sytë tek greva, dhe bindjen tek kauza e saj. “Ky kujdeset për ne. Ky mendon për ne. Ky do na kthejë ekonominë në vend, se na griu Saliu. Po ky është qytetar moj, intelektual është. Ka për të ma marrë djalin në punë, se e kam tiranas, jo malok”. Ja kështu nxitonte tek fliste para se të mendonte një zonjë me sytë mbërthyer tek ekranet. Të gjithë jepnin pamje nga protesta dhe nga greva.

Po me gjithë përpjekjet për të parë ndonjë të vërtetë në arsyet që shikonte zonja, ishte e vështirë të besoje se Rama mund të mendonte për të. Apo për dynjanë si puna e saj.

Po jo për Ramën. Unë sot shkoj ndër mend miq, të njohur apo kolegë të mi, me të cilët publikisht ose jo, u zumë e u fyem për grevën. Të gjithë u bëmë dëshmitarë të ndarjeve pro apo kundër saj. Neutralët u emërtuan të pa-bosht, thjesht sepse nuk e mbështesnin atë. Por qëndrimi ndaj grevës nuk kishte të bënte me kauzën, por me dyshimin nëse ajo ekzistonte.

Ja tek rezultova të kem qenë gabim. Kauza ishte dhe paska qenë aq e madhe sa duhet të ishe pa sy fare që të mos e shihje, se ja, kryetari NUK u tërhoq deri sa i arriti të gjitha synimet.

Tani kutitë po hapen dhe vota ime do rinumërohet. Kandidati im i votuar do ketë një votë më shumë (ose më pak), por për në parlament duhet të presë 2013-ën (po ishte me fat).

Megjithatë, vendi im shpëtoi. Edhe idealistët. Edhe ata që besuan tek kryetari, tek greva, tek turnet, tek faqekuqet dhe tek  nevoja për pak protagonizëm, ani se servilizmi e ndreq krejt këtë protagonizëm, duke i bërë ndjekësit qesharakë në sy të publikut.

Edhe hyrja në parlament kështu erdhi, në të njëjtën mënyrë.

Shfaqja mbaroi. Shfaqja duhet të vazhdojë. Të hënën vazhdon akti tjetër?

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Komunikimi “spiun” Media, pro publikut apo politikës?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: