Media, pro publikut apo politikës?

25/05/2010 at 11:29 1 comment

Media agresive, e politizuar, sipërfaqësore. Nuk është përcaktimi i autores. Vlerësimin e titullit, media shqiptare e ka marrë me meritën më të lartë prej politikanëve të BE-së. Prej atyre që merren me krizën që na ka damllosur vendin, e që do vijnë të shohin se mos e kemi krijuar vetë, nëpër ndonjë nga ato ligjet paçavure që miratohen me vrap, pa praninë e opozitës në kuvend.

Etiketimi është i rëndë. Si pjesë e komuniteti mediatik, më rëndon shumë secili prej epiteteve europianë. Media agresive, e politizuar, sipërfaqësore.

Kë të marrësh e kë të lësh. Me vlerësime të tilla, kush e di sa media duhet të kishin reflektuar, e të për të mirën e tyre dhe të tregut, do ishin mbyllur fare.

Po pse ky etiketim? Erdhi bashkë me deklaratën e mëkuesve ndërkombëtarë, që do vijnë t’u japin biberonin me këshilla kryeministrit e kryeopozitarit. E së bashku me bisedimet që do bëjnë në Tiranë këtë javë, miqtë mëkues do kenë shumë kujdes që të ruajnë edhe informacionin e bisedimeve deri sa ato të përfundojnë pas dy javësh. “Kjo bëhet për të shmangur rrjedhjen e informacionit, keqpërdorimit të medias apo keq-interpretimit prej saj. Dhe kjo do të rrezikonte klimën e bisedimeve dhe arritjen e një kompromisi” – citonte dje media vetë ndërkombëtarët.

Shumë interesante. Në njërin krah deklarohet hapur konstatimi dhe opinioni për një media të politizuar dhe sipërfaqësore (c’turp për profesionin), dhe në kahun tjetër, deklarata nuk ka si të jetë më shkoqur se kaq akuzuese: “Keq-interpretimi i medias dhe keqpërdorimi politik i saj, rrezikon bisedimet dhe zgjidhjen”.

Pyetja që vjen vetiu është: “ A është media nxitëse e krizës politike, në vend që të ndikojë në zgjidhjen e saj”?

Teoritë mediatike këtu do ishin të tepërta. Janë me shumicë rastet të cilave mund t’iu referohesh për të vërtetuar mënyrën dhe nevojën që media të jetë në gatishmëri më shumë se asnjëherë, e të lërë mënjanë shumë prej parimeve të tregut, kur bëhet fjalë për probleme madhore. Po frikë të tillë ndaj pozicionit të medias, ndërkombëtarët shfaqin zakonisht vetëm në raste konfliktesh serioze; etnike, fetare, raciale. Po këtu tek ne, nga gjeneron ky konflikt që kërkoka se s’bën mbështetjen e të përjashtmëve?

Është e trishtë, por më tepër është e rrezikshme që media të luajë rolin e konflikt-nxitësit, në vend që të jetë kontribuuese në  zgjidhjen e konfliktit. Por medias i intereson skupi, dhe e ka ndarë mendjen se lajmet alarmante janë ato që i duhen audiencës. Ndaj shpesh, duke i lënë me pushime parimet e gazetarisë për objektivitet dhe pa-anshmëri, media i sjell lajmet në publik dukshëm të anuara nga kahu që asaj vetë i intereson.

Njëra palë, ashtu si politika që mbron, deklaron gjithë alarm: “Berisha nuk pranon kushtet e vëna nga BE, ndërkohë që Rama dhe sakrifikuesit e majtë këmbëngulin në kërkesën e tyre legjitime për transparencë”. Në kahun tjetër mediatik, lajme-lexuesit që qeshin sikur po raportojnë nga parajsa, na bindin më shumë se kryeministri vetë se “Berisha nuk e han atë kokërr ulliri. As ligji, as kushtetuta nuk ka për t’u shkelur, vetëm pse kështu kërkon Edvin Rama. Madje ai duhet të ndalë menjëherë pengesën që po i sjell shqiptarëve për t’u integruar në BE”.

Do ishte mire sikur situata të ishte komike. Por ka edhe gjysmën e saj të dramës mediatike bashkëngjitur. Janë vërtet të pakta mundësitë që ka shikuesi, lexuesi, populli, që të shohë një lajm të plotë, të saktë e të pa-anshëm. Ndaj edhe ndërkombëtarët e shohin sfidën e situatës në vend si të dyfishtë: politika në njërin krah po luan vençe me nervat e të gjithëve; e në krahun tjetër, media i bën fresk, ose i hedh benzinë zjarrit të konfliktit, duke i trajtuar çështjet pikërisht ashtu siç thonë protagonistët nga Evropi, në mënyrë sipërfaqësore dhe të politizuar.

Ç’do të thotë sipërfaqësore? Në kuptimin e tij të parë mediatik, një lajm apo mbulim mediatik sipërfaqësor është transmetimi i të dhënave shkurt, në mënyrë të përgjithshme, të pa-verifikuara përtej burimit të parë dhe të formuluara qëllimisht në mënyrë të paplotë (pra me pjesë informacioni që i mungojnë raportimit), dhe me fakte të pavendosura përballë dy palëve për krahasim.

Lajm i politizuar është ai që vjen me një frymë të përcaktuar, që e përcjell mesazhin që në kokë e deri në sfond; që ka burim të njëanshëm dhe nuk sjell ballafaqim faktesh. Mbulimi mediatik politizohet kur linja editoriale i ngjan lajmit të përshkruar më sipër, dhe kur raportimet e tipit të tij përsëritet me frekuencë të lartë brenda një edicioni, ashtu edhe në shtrirje kohore më të gjerë e të përsëritur.

Media jonë po tregon se i ka këto elemente. Informacioni i pa-anshëm është si ujët e pakët; kurse ai sipërfaqësori po e mbyt audiencën më keq se vërshimet e sivjetme të Drinit.

Mirë do ishte të besohej se raportimi sipërfaqësor i medias vjen si rezultat i periudhës rritëse të saj, i maturimit profesional, i konsolidimit të rolit dhe peshës që mundohet të marrë. Më mirë të besojmë këtë, sesa spekulimet që media është aq e politizuar, sa në fakt ka mision primar t’i shërbejë politikës për të manipuluar publikun sipas interesave të saj, sesa të shërbejë si mjet informimi, që ta ndihmojë këtë publik të kuptojë se çfarë çorbe po gatuan politika.

Por mesa duket, kjo e dyta nuk po ndodh. Media zbardh, ripërsërit në mënyrë mekanike, manipulon dhe përgjithësisht katapulton në publik mendësinë sipërfaqësore të dirigjentëve të saj (mediatikë ose jo). Kështu mendojnë ndërkombëtarët. E meqë për politikën media ata i përdor si pikë referimi, nuk ka përse ta neglizhojë komentin edhe në kurriz të saj.

Politikisht dhe për ambicie afatshkurtër, shërbimi mediatik për politikën mund të jetë fitim-prurës. Por profesionalisht, ky është dëmi më i madh që media mund t’i bëjë vetes.

Tani publiku gjendet mes dy zgjedhjesh; të besojë politikën, apo median?

E trishtë që media vetë i sheh përciptazi përgjegjësitë dhe dobësitë e saj. Një vlerësim erdhi. Se, nëse media nuk do ishte sipërfaqësore dhe politike, a do të bëhej ai koment? Po situata, do ishte kështu, apo më ndryshe?

Me më pak kamera dhe mikrofona në gojët e politikanëve në 24 orë, me siguri që nevoja për shfaqje dhe lojërat “e tensionuara” do të ngjanin më të vërteta dhe të qarta për publikun, që vazhdon të jetë nën manipulim të dyfishtë. Dhe këtu, media ka ç’të reflektojë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Media, Politikë. Tags: .

Transparenca. Ku transparenca? Jashtë Tiranës, brenda Shqipërisë

1 Comment Add your own

  • 1. Vjollca Lleshi  |  09/06/2010 at 21:35

    Bravo Eda shkrim fantastik, pare ne kendveshtrimin tim vjen thumbues, kumbues edhe per ata qe nuk degjojne.Urime dhe nje here.
    Vjollca

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
May 2010
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: