Jashtë Tiranës, brenda Shqipërisë

01/06/2010 at 14:35 1 comment

Gjelbërimi s’të ndahet nga sytë gjithë rrugës. Që nga Tirana, deri në Korçë, të gjitha kthesat bëhen të pandjeshme, për shkak të fortësisë gjelbëruese të këtij fund-maji.

Patëm një kapërcim stinësh këtë vit në Shqipëri, e pranvera pothuajse harroi të bëjë ritualin e përvitshëm të kalimit në vend. Nga i ftohti i dimrit u kalua pothuajse menjëherë në të nxehtin e madh. Brenda javës.

Por rruga Tiranë-Korçë, ta jep ndjesinë e pranverës së munguar. Jo se kodrat e luginat e shumta të japin përshtypje sikur hera-herës je në Toscani (veçanërisht sikur edhe asfalti të ishte ca më ndryshe), por mbi të gjitha sepse jeta në këta cepa është shumë ndryshe nga ajo e Tiranës. Dhe e gjithë rruga për në Juglindje të bën të mendosh edhe pozitivisht për Shqipërinë.

Në përpjekje për të shtrirë sa më shumë në vend ndryshimet e kërkuara në arsim, politikë apo vendim-marrje, më është dashur së fundmi të udhëtoj shpesh nëpër Shqipëri.

E do thoja që Vlora vazhdon të mbetet mbretëresha. Po ku të lë rruga e copëtuar që nga Fieri të shijosh ç’është për t’u ofruar. Po qyteti vetë, pjesa e kalasë, ndërtimet pa kriter, shëmtia që e ka kapur qytetin në tokë e mbi të? Jo. Juglindja shfaq një panoramë tjetër. Edhe për një arsye ndryshe nga ç’mund të mendohet.

Për herë të dytë brenda kësaj pranvere të munguar, rastisa të kaloj shumë herët në fushën e Maliqit, për në Korçë. Të dyja radhët, në fushë pashë njerëz që punonin akoma pa lindur mirë dielli. Jo një e dy njerëz, por grumbuj të tërë.

Nuk është nostalgji për kohërat, as vlerësim i gabuar për bujqësinë. Është përqendrimi dhe përkushtimi tek puna që më bënin të ndjeja admirim.

Po t’u besojmë stereotipeve, juglindorët e Korçës janë njerëz të butë. Për mua janë punëtorë. E seriozisht të përkushtuar në punë. Jo vetëm në ara, që solli shtangien time për rikthimin e grupuar të vëmendjes tek marrëdhënia me pronën dhe bujqësinë, por edhe në fusha të tjera, i sheh të përkushtuar.

 Ministria e Arsimit ka bërë këtë vit të detyrueshme praninë e mësuesve në shkolla edhe orën e shtatë të mësimit, për t’iu përgjigjur nevojave të nxënësve që mund të duan të rrinë më gjatë në shkollë. Nxënësit akoma nuk e kanë kuptuar rëndësinë e saj, prandaj është herët ta shfrytëzojnë. Por edhe në shumë rrethe, mësuesit ankohen për qëndrimin më të gjatë. Kurse në Korçë, mësuesit të presin me buzëqeshje edhe pse ora ka kaluar 14.30. I njëjti përkushtim është në sjelljen e tyre si në orën e parë të mësimit, ashtu edhe në të fundit; si në vizitat kur na presin, ashtu edhe kur befim pa ftuar.

Korça më duket së fundmi si Shqipëria që do doja të ishte. Të kishte më shumë qytete si ajo, në anët që shoh si vizitore e jashtme brenda vendit tim.

Tirana i ka zgjatur  kthetrat drejt juglindjes; por ambiciet e saj të ndërtesave, vilave, restoranteve e qendrave tregtare, ndalen në Ibë. Përtej saj, Shqipëria është e mrekullueshme. Veçanërisht në këtë periudhë.

Është kënaqësi më vete të bisedosh me njerëzit që e shohin rrëmujën e Tiranës vetëm përtej xhamit të televizorit. Gazetat blihen pak. Politika kuptohet akoma më pak. Në kafenetë që iu ngjajnë kopshteve familjare e ku gjithkush e njeh gjithkënd, të flasin për probleme që media e politika nuk interesohen fort.

“U nisëm vetë një grup mësuesish me makinën tonë këtë maj, para se të mbarojë shkolla 9-vjeçare. Po mundohemi të bëjmë fushatë për të tërhequr sa më shumë nxënës në shkollën tonë. Na duhen edhe zanatçinjtë, jo vetëm drejtorët” – thotë i bindur mësuesi i një shkolle profesionale në Korçë.

Dikur, në dimër, në po atë shkollë pashë një 15 vjeçar strukur pas vetes, që kishte frikë të ngrinte kokën, se nuk kishte sjellë nënën në shkollë për të bërë pagesën e teksteve. Babai emigrant. Nëna nuk kishte vetëm mungesën e lekëve, por edhe të kohës. “Si të vijë mami mësuese? Po preshtë, kush do t’i shesë?” –  ja kështu kishte thirrur i habitur Luli i vocërr i Korçës në këmbënguljen për të sjellë prindin në shkollë.

Mësuesja, si shumë të tjerë, e kishte numrin e telefonit të shtëpisë të shkruar në dërrasën e zezë (po, akoma vazhdojnë të jenë). “Shumë prindër komunikojnë pasditeve. Sakrifikojnë, duan që fëmijët të marrin formim, sikur edhe ai bazë të jetë” – buzëqesh ajo. Askush nuk abuzon me numrin e saj të telefonit.

Jeta është ndryshe në juglindje. Njerëzit i ngulin këmbët në tokë kur ecin. Marrin frymë kur flasin. Nuk harrojnë të buzëqeshin. Nuk flasin për politikën e partitë. Dhe jetojnë në një Shqipëri tjetër, të painfektuar nga rrëmuja që ka mbirë në Tiranë.

Vetëm për pak ditë, do doja ta shihja Tiranën Korçë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Uncategorized.

Media, pro publikut apo politikës? Kriza s’do brirë

1 Comment Add your own

  • 1. unetiai  |  01/07/2010 at 15:29

    Vlonjate qe heq vloren nga lista e te qenit e para ?!! 😀

    Respekte…

Leave a comment

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2010
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930