Kriza s’do brirë

01/06/2010 at 14:38 1 comment

“Borxhi publik nuk është më problematik. Ai tashmë ka shkuar në 60%. Edhe borxhin e jashtëm e përballojmë, se e kemi afatgjatë” – deklaratë gjithë besim kjo e bërë nga ministri shqiptar i financave në një konferencë për “zhvillimin ekonomik të vendit”.

Garancia e fjalës së tij do ishte e dyshimtë edhe sikur Bode të drejtonte financat e secilit prej 27 vendeve të BE-së sot, megjithatë, duke qenë se lagjia ku ai menaxhon financat quhet Shqipëri, deklaratat e tilla edhe mund të anashkalohen.

Por shqetësimi është se fjalën e tij e përforcon kryeministri i vendit. “Me reformat e thella e të gjithanshme të kësaj qeverie, Shqipëria do të mund të kapë orbitën e vendeve të zhvilluara”. – Ja kështu garanton ai me trimërinë që e karakterizon.

Ne fakt, të njëjtën siguri kishte në fjalën e tij edhe kur në parlament fliste për shndërrimin e një goje në këpucë, por kjo e krizës dhe e reformave është me interes më të prekshëm.

Si ministri i financave, ashtu edhe kryeministri (apo kushdo shqiptar tjetër që e sheh veten brenda oborrit të parrethuar të PD-së), nxiton të përgënjeshtrojë ekzistencën e krizës dhe të bëjë deklarata përjashtuese për të. Njëlloj si dy të cituarat më sipër.

Ndërkaq, në Europë nuk ka guxim asnjë prej kryeministrave, vendet e të cilëve janë prekur më shumë se të tjerët nga recesioni botëror, që të mohojnë ekzistencën e saj.

Ekonomisti i Nobelit, Paul Krugman, pati deklaruar tetorin e kaluar se “qendra e krizës evropiane nuk është Greqia, por Spanja”. Me një borxh të jashtëm që kap 91% të GDP-së, me një shifër zyrtare papunësie prej 20% (dyfishi që prej rizgjedhjes se Zapateros në krye të qeverisë), e një deficit buxhetor që kalon përmasat e regjistruara ndonjëherë në shtetin e tyre, spanjollët e shohin sot vendin t’iu dridhet nën këmbë nga borxhi. Ama e kuptojnë situatën, po e tregojnë publikisht atë dhe qeveria po mundohet të ndërmarrë masa për parandalimin e situatave të pakëndshme që sjellin krizat financiare.

Ministrja spanjolle e financave, Elena Salgado pranon në shtypin e vendit të saj se deficiti buxhetor ka dalë jashtë kontrollit, duke shpërthyer në 11.4% të GDP-së. Dhe është e ndërgjegjshme që duhen ndërmarrë hapa urgjentë, ndaj i sugjeroi Zapateros të ndërmarrë reformat e duhura që e ngushtojnë këtë deficit në shifrën ambicioze të 2.5%.

Kryeministri është në situatë të vështirë, sepse zgjedhjet lokale janë në prag dhe atij nuk i intereson të ngrejë valë pakënaqësie duke ulur shpenzimet publike në prag zgjedhjesh, veçanërisht tani që popullariteti i tij është në ulje për shkak të krizës. Nga ana tjetër, konservatorët e partisë popullore shohin rritje në mbështetje, me gjithë problemet e imazhit të tyre të lëkundur për çështje ryshfeti.

Ku qëndron thelbi? Brenda qeverisë, ministrja e financave pati përgjegjësinë dhe guximin t’i kërkojë eprorit të saj të përshpejtojë reformat, të cilat në fakt filluan që javën e kaluar, kur të enjten parlamenti miratoi planin e ashpër për uljen e shpenzimeve publike. Vërtet plani hyn në fuqi vetëm në fillim të vitit të ardhshëm, ama vendimi u mor.

Kurse në Shqipëri, kriza, deficiti dhe problemet as që nuk njihen si të tilla, jo më të adresohen. Deficiti buxhetor nuk trajtohet ndonjëherë si problem e as shpenzimet publike nuk i gjejmë në gojën e politikanëve tanë qeverisës. Afërmendsh, edhe fryrja e administratës publike, që të nxejë sa më shumë ngjyra militantësh e mbështetësish, nuk ka si të jetë e adresuar publikisht, teksa politika i bën bisht shkëlqyeshëm çështjeve delikate e të prekshme të ekonomisë dhe financave.

Kryeministri spanjoll e pranon tashmë se ka vënë interesin politik përpara atij kombëtar kur nuk i ka kushtuar vëmendje kërkesës për përshpejtim të reformave. Ama ai tashmë ka reaguar dhe Spanja po përpiqet më të gjitha mënyrat të ruajë pozicionin e saj si vendi i katërt për nga ekonomia në Bashkimin Europian.

Por kjo nuk është asesi as faj, as meritë e Zapateros. Së bashku më zërat e brendshëm të qeverisë e të shtresave të ndryshme të prekura nga recesioni spanjoll, kryeministri është përballur me një opozitë të fortë, argumentuese, presion-ndjellëse e shtytëse, që e ka vënë shumë në lëvizje Zapateron. Zgjedhjet e ardhshme spanjolle janë në vitin 2012. Sikur ato të bëheshin sot, sipas shtypit spanjoll, do i fitonin konservatorët e partisë popullore. Ama deri në 2010-ën, kryeministri pretendon se do jetë në gjendje të ndërmarrë masa që ta nxjerrë Spanjën nga pozicionimi si “vatra e krizës evropiane” (me 20% të papunësisë, ajo tashmë shihet si e tillë edhe nga vetë BE).

Por, ashtu si edhe Greqia, Spanja e ka të identifikuar problemin, e njeh, e pranon dhe mundohet ta adresojë atë; pa e mbajtuar asnjë minutë publikun të pa-informuar. Mbase nuk ka asnjë vlerë ky informacion, që e lë popullsinë me nerva të acaruara kur mëson se si shpenzohen fondet publike apo ç’fat ka deficiti buxhetor, ama edhe për ta gënjyer në mes të ditës, nuk e merr kurajën kush.

Krahasimi mbase nuk ka vend, por të marrësh parasysh shumë aspekte të vendeve të sjella këtu. Ama si në BE, si jashtë tij, ministrat e financave dhe kryeministrat një kuptim kanë për publikun. Përse disa pranojnë gjendjen e mundohen ta adresojnë atë, e të tjerë mohojnë, mbështesin e nxisin njëri-tjetrin të fshehin diellin me shoshë?

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë është më i lartë se ai i Spanjës; deficiti buxhetor po ashtu, papunësia po e po. Interesat politike e zgjedhore janë gjithashtu shumë më të mëdha e të paskrupullta në krahasim me iberikët. Gjithandej ua kalojmë. Edhe në unisonin e përpjekjeve për të bindur dynjanë që krizë nuk ka, sepse brirët e saj s’duken kund.

E mira do ishte që problemi të identifikohej e të adresohej. Por kur në fakt unisioni shtrihet edhe përtej qeverisë, përderisa opozita ka ngecur tek ca ultimatume e ca kuti deri sa të vijë në pushtet, e është e vështirë të besosh se kriza e deklaratat rreth saj do të merren ndonjëherë seriozisht në vend.

Duhet guxim i madh të mohosh atë që duket. Prandaj vallja e krizës tek ne hidhet në gojë të ujkut, sepse valltarët janë guximtarë. Madje, nga ata për t’u pasur zili!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Politikë, Vezhgim. Tags: .

Jashtë Tiranës, brenda Shqipërisë Mirazhi i anglishtes

1 Comment Add your own

  • 1. Hyllin  |  04/06/2010 at 12:11

    ””Borxhi i jashtëm i Shqipërisë është më i lartë se ai i Spanjës; deficiti buxhetor po ashtu, papunësia po e po””

    Po keto te dhena kane qene perhere te tilla, nuk jane pasoje e ndonje krize gjate 2 viteve te fundit.

    Ne 2008, patem rritje me 6% , vitin e kaluar diku tek 3,5%, ka renie po eshte renie e ritmit te zhvillimit.
    Borxhi i brendshem me 55% GDP nuk eshte shqetesues.

    Pasoja do kete edhe ne Shqiperi dhe sa me shume te zgjase ne Europe aq me shume do ndihet ne Shqiperi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: