Mirazhi i anglishtes

04/06/2010 at 10:00 2 comments

“Tema ka fokus dhe është shtjelluar bazuar në teoritë e duhura. Literatura është shfrytëzuar mirë dhe përdorur qartë. Por, ka shumë të dhëna sasiore, që tregojnë mungesën e përqendrimit në përzgjedhjen e të dhënave. Mendimi yt shpesh ngatërrohet me burimet e cituara dhe ka vend për më shumë origjinalitet në analizën e bërë”. – Ky është vetëm një vlerësim i përmbledhur që dëgjoja t’i bëhej sot një provimi në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Anglishtja e pedagogut nuk të linte hapësirë të kuptoje se nga mund të ishte me origjinë. Studenti e shtjelloi, analizoi dhe mbrojti temën e tij me një anglishte gjithaq të shkëlqyer. Oponenti, një tjetër student i grupit të tij, e sfidonte tezën me një rrjedhshmëri logjike aq të ftohtë, saqë anglishtja pa asnjë gabim të dukej sikur ishte gjuha e tij amtare.

Në fakt, asnjëri prej personazheve nuk është anglez, as me origjinë nga ndonjëri prej vendet anglisht-folëse. Mbrojtja e temave të diplomës për Master Shkencor në politikat e komunikimit bëhej dje në një nga universitetet e Suedisë. Në rolin e vëzhgueses dhe pyetje-bërjes për të shtjelluar temat e paraqitura, mundohesha të hiqja një paralele mes kësaj situate dhe analogeve të saj në Shqipëri.

Pse janë të lidhura aspektet e sjella (anglishtja dhe vlerësimi)? Sepse ditë pas ditë dëgjojmë iniciativat ambicioze të kryeministrit shqiptar për ta vendosur anglishten kriter për kryerjen e studimeve master. Nga ana tjetër, ky master është kthyer tashmë i domosdoshëm edhe për mësuesit (për ata të ciklit para-universitar, se pjesa tjetër, pa asnjë dyshim supozohet që t’i ketë kualifikimet e duhura pas-universitare).

Dakord. Mësuesit me Master. Ja dhe e bënë? Ku do punojnë? Apo të bëhen të gjithë shitësa me Master? Sa studentë të diplomuar e të pashpresë ka në mësuesi? E c’kuptim kanë përrallat e Masterave, kur gjetja e punës nuk zihet kurrë as me gojë, as me mend?

Megjithatë, kualifikimi pasuniversitar duhet patjetër për botën akademike. Se edhe po u bë, vështirë që mësuesit/pedagogët shqiptarë rë jenë konstruktivë si këta që janë formuar në botë të mirëfilltë akademike. Po c’lidhje ka kjo me pjesëzën e sjellë në krye?

Masterat në Shqipëri bëhen në shqip (ka kuptim do thonë me të drejtë oponentët, por në botën e sotme të globalizmit, ku punëdhënësit më bujarë e më të arritshëm janë të huajt, ndjekja e studimeve në gjuhën ku edhe literature nuk mungon, kthehet në domosdoshmëri).

Po edhe nëse vendoset si kriter (kur do vijë ai moment), a respektohet ai nga pranuesit e Universiteteve? Nga ato private, zor do ishte të besoje se do refuzonin edhe shqipen 5, e jo më Anglishte të mbrojtur tek gjuhët e huaja në Tiranë.

Megjithatë, dyndja e studentëve nëpër universitetet private, përpos gjithë treguesve të tjerë, shfaq edhe besimin e patundur që kanë shqiptarët tek anglishtja e tyre (përderisa janë futur në Master, supozohet që e thajnë atë gjuhë).

Më ka rënë rasti dhjetëra herë të jem në ambiente studentësh masteri apo edhe doktorantësh shqiptarë në audienca ku nuk flitet shqip. Niveli i diskutimit është lule e trëndelinë ngado që ta kthesh; si nga anglishtja e çalë ( që në mbrojtjen tek gjuhët e huaja mund të jetë edhe 10), ashtu edhe në kaosin dhe paqartësinë e arsyetimit. Njerëz që nuk dalin në rrugë pa e çuar kokën deri në mes të kurrizit, ngaqë e ngrenë aq shumë sa iu kalon në kahun tjetër. Fodullë që nëpër zyra nuk lenë sekondë pa treguar sa të zgjuar, të rëndësishëm, interesantë dhe të veçantë janë. Por kur vjen rasti të artikulohen logjikshëm, rrjedhshëm e bindshëm, nuk e bëjnë dot as në shqip, e jo më në një gjuhë të huaj.

Këtu nuk flas për ata që anglishten po e studiojnë, ose ndjejnë nevojën e saj. Jo. Po flas për ata që ia kanë edhe nevojën, edhe detyrimin, e nuk bëjnë asnjë përpjekje, sepse janë shumë të bindur se më mirë se ata, nuk e flet anglishten as mbretëresha vetë.  E nuk e marrin mundimin që të paktën të shkojnë në nivelin e studentëve të pranishëm në Suedi, e jo të pedagogëve e akademikëve.

Në vazhdën e mendimit, anglishtja vjen patjetër edhe më një formim ndryshe mendimi, që duket sikur ta imponon. Vlerësimet e kujdesshme, të nxjerra nga leximi me kujdes e të bëra me seriozitet, si shembulli i sjellë këtu, zor se aplikohen në sistemin tonë arsimor. Është e thjeshtë; metoda duhet zotëruar, por më parë, bartësi duhet të jetë patjetër i hapur, i aftë dhe i thjeshtë për ta transmetuar atë.

Ndër shqiptarët, thjeshtësia nuk është më virtyt. Pedagogët janë përgjithësisht arrogantë dhe sipërfaqësorë në sjellje, njëlloj si mjekët, zyrtarët apo të gjithë burokratët e çdo niveli.

Kam pasur kënaqësinë të ndjek nga afër edhe në Shqipëri leksione dhe sjellje pedagogjike të njerëzve që në jetën publike detyrohen t’i përshtaten të përgjithshmes, por vërtet rastet janë të pakta (edhe pse fatlume). Ama edhe vetë këta pedagogë të paktë në numër, e ndjejnë mungesën e kolegëve me të cilët do të ndjeheshin mirë e rehat për të shkëmbyer biseda akademike.

Më shumë se shqetësim dhe mungesë besimi tek aftësia e shqiptarëve si për studime të thelluara, ashtu edhe për gjuhë të huaja, shembulli suedez më dha shijen e hidhur të një mendimi që po kthehet në bindje: shqiptarët e kanë shkallën e vetëvlerësimit në përpjesëtim të zhdrejtë me standardin e përsosmërisë. Prandaj janë të kënaqur me anglishten e çalë, me arsyetimin pa bosht dhe me dashurinë e mbingopur për vehtet.

Më vjen shumë mirë për nxitjen që kërkohet të injektohet në Shqipëri për studimet e thelluara dhe anglishten profesionale. Ama me një krahasim të thjeshtë të niveleve ekuivalente të studimit dhe mënyra se si kryhen, vlerësohen apo përfundohen ato, më vjen jashtëzakonisht keq që shqiptarët vazhdojnë të nxiten edhe për narcizmin vrasës.

Masterat në Shqipëri prodhojnë maksimumi fodullë më kartona. Kurse arsyetimi dhe gjuha që nxiten në Suedi, i ndihmojnë studentët të analizojë së pari vetveten, kapacitetin dhe vlerën e tyre.

Prandaj studimet pasuniversitare nuk janë masivizuar dhe cilësia vazhdon të ngelet kyçi pa të cilin, nuk hapet asnjë derë arsimore në vend.

E kjo ka të bëjë më tepër me guximin që ka gjithsecili të pranojë se ku dhe sa duhet të punojë, investojë dhe studiojë për t’u bërë ai që kujton se është.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Arsim, Vezhgim. Tags: .

Kriza s’do brirë Si fitohen zgjedhjet vendore?

2 Comments Add your own

  • 1. unica  |  11/11/2011 at 16:50

    pershendetje!
    ky shkrim juaji, mu duk vijimi i bisedes me veten, gjate itenerarit tim te perditshem shkolle-shtepi.
    sot ne auditor, mollezat e mia ndryshuan ngjyre, nga e mishta e zbehte ne te kuqe te lehte.
    per here te pare, perballe nesh vjen nje profesor, i denje per gradat shkencore qe kishte, pas gjithe:”cunave te tirones” qe vetepandeheshin pedagoge e qe niveli i tyre i te lektruarit zor se kalonte pertej “lokalit te lagjes”.
    ky zoteri i nderuar, perballet me 98 studentet femra te kursit te psikologjise, qe e prisnin me pasqyra e rimel ne dore.
    pas pyetjes mbi aftesite lidhur me gjuhen angleze, 98 psikologet e ardhshme, shikojne syte e vijezuar kleopatrikisht te njera tjetres dhe shperthejne ne te qeshur.
    pedagogu i shikon trishtueshem, mendohet pak, dhe ndryshon teme qe 98 “psikoparukieret e lagjes” se te ardhmes mos te kene shancin ti lene me nje shije kaq te hidhur.
    98 injorante te kesaj shkalle, pas nje viti do pretendojne te studiojne ne nivelin master, dhe me siguri shumica prej tyre do perzgjidhen qofte edhe per te plotesuar kuotat, keshtu cunat e lagjes do kene mundesi te lektrojne ne auditore te pershtatshme per nivelin e tyre “qofte, pilaf, makina dhe shale”.
    ne universitet shqiptare sot veshtire te flitet shqip, pa anglishten e thajne te gjithe. sngeli njeri pa e thare te shkreten!!!

  • 2. edliragjoni  |  11/11/2011 at 18:01

    Anglishtja! Shpetimtarja e kohes dhe kritereve per te bere dallimin midis statusit te pretenduar dhe atij real. Keshtu e cilesoj une.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: