Si fitohen zgjedhjet vendore?

08/06/2010 at 22:29 Leave a comment

Rama u mundua deri në Londër të marrë këshilla për zgjedhjet lokale. Kështu raportonin dje mediat që e njohin nga afër itinerarin e plotë të kryesocialistit. Përpos arsyeve që i mban për vete, mediat raportuan se ai u takua edhe më një “gazetar të vjetër që quhet Alastair Campbell”.

Në fakt, sa për kulturë të përgjithshme, ky Campbell-i ka qenë kuratori, ideatori dhe mburoja meditaike e Tony Blairit, për 10 vjet me radhë. Krahu i tij i djathtë, shpesh më shumë sesa vetë Gordon Browon. Alastair është mjeshtër i medias dhe njohës i përsosur i përdorimit të saj në funksion të politikës.

Rama prandaj e ka takuar. Nëse jo, do ishte çudi e madhe të mendoje ndonjë arsye më të madhe profesionale që lidhet me Z. Campbell.

Dy janë mesazhet që nënkupton kjo vizitë: 1)Socialistët kanë filluar të mendojnë që tani dhe seriozisht madje, për zgjedhjet lokale; 2) Rama e ka tharë mendjen t’i fitojë se s’bën zgjedhjet e radhës (edhe pse fatkeqësisht, nuk e nxjerrin dot kryeministër).

Nëse kjo do të kishte ndodhur vitin e kaluar, shanset për të qenë i tillë, do të kishin qenë më të mëdha. Me zhvillimet e sotme, pasi e ka shijuar tre herë radhazi frytin e fitores në lokale, Rama mund të tregohej shpërfillës ndaj një here të katrët. Si kryetar Bashkie do e bëjë, por të qenët në krye të opozitës e detyron të mendojë përtej cakut të vet.

Partia Socialiste duhet t’i fitojë patjetër zgjedhjet e ardhshme lokale, përndryshe marrëdhëniet e saj me kryetarin dhe me votuesin do të ishin të pakuptimta. Dhe qeverisja vendore nuk është çmim i shpërfillshëm. Më shumë se kushdo, këtë e di Rama vetë. Prandaj, duke lënë përkohësisht mënjanë ëndrrën e tij zhurmëmadhe për luftë zori me mullinjtë e erës, Rama paska mbledhur mendjen e ka filluar të kërkojë strategji dhe këshilla se si mund të fitohen zgjedhjet, qofshin këto edhe lokale.

Shembullin në fakt e ka në shtëpi. Pas 8 vitesh opozitë dhe më një imazh të rrënuar, askush nuk besonte se Sali Berisha do ishte sërish në krye të qoshes. Por ja që një fushatë pozitive në 2005-ën, e bënë atë të dilte mbi socialistët e dërrmuar të Fatos Nanos e letargjisë së tyre anarkike.  

Plus, vizatimi i Komitetit të Orientimit të Politikave, me njerëz të rinj, entuziastë, pozitivë e të pa konsumuar nga politika, e çoroditi fare votuesin shqiptar. Drejt të djathtës vërshuan votat e atyre që s’e kishin menduar kurrë se Berisha do kthehej ndonjëherë në pushtet. E duke besuar se ndryshimi ishte vërtet pas dere, shqiptarët votuan për këta të rinj që ngjallnin shpresë dhe pozitivizëm.

Sot KOP-i është vetëm një fantazmë dhe shumica e ish-anëtarëve të tij janë vendosur përballë berishizmit; ama në 2005-ën, roli i tij (KOP-it) për fitoren e partisë së Sali Berishës, ishte vendimtar.

Rama duhet të ketë marrë patjetër ndonjë këshillë të ngjashme në Angli apo tjetërkund. Sepse u pa tashmë se me politikën e tij negative e sharjet ndaj Berishës, nuk xhevahirosi gjë as në zgjedhjet e 28 Qershorit, as në aventurat e shumta protestuese e grevuese që ndërmori pas tyre.

Fitimin e së majtës në zgjedhjet e ardhshme lokale ka për ta sjellë një tjetër strategji. Dhe në është ajo që përdorin këshilluesit perëndimorë të Ramës, ajo do sillte pak a shumë një fushatë pozitive, me imazhin e një force politike entuziaste, optimiste, të re në përqasjet e saj dhe të aftë për të sjellë ndryshim.

Ekipet që përgatisin fushatat elektorale në perëndim, si për t’i shtuar pak piper entuziazmit elektoral, rekomandojnë edhe përmendjen e ndonjë pike negative të kundërshtarit gjatë fushatës. Por, në Europën perëndimore kjo ndodh shumë pak, dhe përgjithësisht fokusohet në renditjen e dështimeve më domethënëse të kundërshtarit, duke e vënë në vështiësi besueshmërinë ndaj tij dhe premtimeve të pambajtura që përsërit.  

Fjalët “kriminel, hajdut, camcakëz e rrumpallë” s’para gjendjen në fjalorët e fushatave të tilla. Me siguri Alastair Campbell i ka treguar Ramës se në shumicën dërmuese të rasteve, kjo lloj gjuhe ka efektin e kundërt në elektorat. Rama këtë e ka me prova. Po edhe nëse Campbell nuk ia ka thënë akoma, do ia parashtrojë në planifikimin e gjatë parazgjedhor, nëse palët bien dakord të sjellin në Shqipëri një fushatë ndryshe nga ato që kemi parë, dhe rezultat-sjellëse për PS-në.

Në një rifreskim të shpejtë të taktikave të përdorua në fushatat perëndimore, rëndësi e veçantë për të fituar pikë i jepet aftësisë së kandidatëve për t’iu përgjigjur sulmeve kundërshtare politike brenda 24 orëve, dhe me gjuhë tërësisht të ndryshme nga ajo e sulmit. Në vend që të denigrohet, kandidati në këtë mënyrë fiton pikë. Po ashtu, udhëheqësit e kampeve të mëdha nuk hakmerren asnjëherë as flakë për flakë, as me disa ditë vonesë. Kur bëhet fjalë për të përdorur fjalë të ulëta e akuza të rreme, pesha e deklaratave publike i lihet mbi supe zëvendësuesve apo njerëzve të vijës së dytë. Në këtë mënyrë, kryetari ruan imazhin dhe deklarata-bërësit fitojnë vëmendjen, edhe pse negative (detaj që harrohet shpejt në kohë fushate).

Përqendrimi i fushatës në zona ku votat janë të lëkundura dhe pakënaqësia ndaj qeverisjes aktuale është e dukshme, është po ashtu mjet që sjell më shumë vota sesa bërtitja me megafon rrugëve të qyteteve me vend e pa vend.

Një gjë di ta bëjë mirë Edi Rama në fushatë: Të mos flasë për veprime konkrete! Moralisht, kjo e ndihmon të mos jetë në rregull me votuesit, nëse dështon të mbajë premtimet. Por politikisht, është hap i gabuar dhe i kushtueshëm, çmimin e të cilit Rama e ka provuar tashmë dy herë.

Por, shmangia e çështjeve konkrete nuk do të thotë që ai të lërë mënjanë hartimin e broshurave apo spoteve publicitare me pjesët më të dukshme të punës së tij, me ndryshimet më thelbësore të Tiranës dhe me aspektet më pozitive të bashkive të tjera të majta (nëse ka raste të tilla suksesi. Sigurisht që jo në Vlorën e shkatërruar).

Këto duken gjëra të thjeshta, por votuesi kërkon të shohë shpresë dhe pozitivizëm në fushatë, se me sharjet dhe identifikimin e të keqes së kundërshtarit, është mësuar tashmë. Logjika është e lodhur, prandaj emocioni që sjellin fushatat e forta e me optimizëm për ndryshim brenda (sado fals të jetë premtimi për të), kanë më shumë gjasa t’i detyrojnë votuesit të zgjedhin fushatë-bërësit pozitivë.

Eksperienca e zgjedhjeve të fundit tregon se fokusimi i një fushate të tërë tek gomarllëqet dhe paaftësitë e kundërshtarit, maksimumi që të bën është se të lë kundërshtar sërish.  

Prandaj, do ishte ogur i mirë për të majtën sikur Rama vërtet të pranojë këshillat e një njohësi të shkëlqyer të fushatave dhe përdorimit mjeshtëror të medias për të maksimizuar efektin e tyre.

Partia Socialiste pret një fitore. E gjitha varet nga vullneti i saj për t’i rikthyer vetes imazhin konstruktiv. Vetëm atëherë opozitarizmi do t’i duket i largët  dhe i pamerituar.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Opinion, Politikë. Tags: .

Mirazhi i anglishtes Zhvillim dhe zhvatje

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: