Zhvillim dhe zhvatje

15/06/2010 at 16:50 Leave a comment

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim  vlerëson progresin pozitiv të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe e informoi kryeministrin për zgjerimin e këtij bashkëpunimi me financimin e projektit për studimin e fizibilitetit të projektit të hekurudhës Tiranë – Durrës, i cili do të përfshijë edhe aeroportin e Tiranës. Kryeministri Berisha e falënderoi përfaqësuesin e BERZH për këtë vendim dhe i kërkoi atij mundësinë e zgjerimit të këtij studimi, në mënyrë që të përfshijë dhe zonën e Golemit” – kështu thuhet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.

Do ishte lajm shumë i gëzuar sikur të mos kishte ca kleçka. Fizibilitet për hekurudhën Tiranë-Durrës?! Goxha shpejt kërkesa/pranimi për investime ekstra, kur akoma djeg vendimi për të paguar atë gjobën me aq miliona euro sa shqiptarët as nuk i ëndërrojnë dot, për të njëjtin itinerar, për një kontratë të prishur me General Electric. Dy projekte të ndryshme, sigurisht. Por kostoja dhe përqasja s’janë dhe aq të reja.

Kleçka numër 2; investimi vjen nga BERZH. Përtej lajmeve të fryra, ky ngelet një borxh mbi të cilin ngrihen pikëpyetje: Përse të merret, kur kemi të freskët një dështim fatal për një studim dhe projekt të ngjashëm? Sigurisht që BERZH apo BB janë mëse të interesuara të gjejnë treg në post-kolonializmin e sofistikuar të vendeve në zhvillim; po përse duhet të vazhdojë Shqipëria ta hajë sapunin për djathë? Kjo është tashmë zgjedhje e ndërgjegjshme politike, duket qartë. Po përse e bërë me kaq brutalitet e pa asnjë lloj kujdesi për të mos prekur një plagë aq të hapur e të madhe nga gjoba për General Electris, saqë askush nuk ia hedh sytë, me shpresën se do lihet mënjanë e do harrohet? Dhe ashtu po ndodh.

Prandaj kryeministri (strat) nuk e kanë fare problem të inkurajojnë investime e të shfaqin interes për mbështetjet “prej miliona eurosh e dollarësh” nga zemër-këputurit e BB e BERZH, pikërisht sepse veprime të tilla në Shqipëri harrohen më shpejt sesa firmosen. Vetëm se varësia e plotë ndaj tyre thellohet e zhytet deri aty ku jo ky brez, po as tre të tjerë më pas nuk do arrijnë dot t’i bëjnë bisht.

Projektet e zhvillimit kanë marrë vitet e fundit një të përpjetë të vështirë sa i përket besueshmërisë ndaj tyre. Kjo ka të bëjë sigurisht me rezultate reale që ato nuk sjellin dot në mënyrë të drejtpërdrejtë tek grupet e synuara. Rasti i sjellë në këtë koment nuk ka grupim të tillë, por efekti i tij shtrihet në kohë aty ku nuk përmendet; tek vitet dhe shuma që duhet kthyer prej shqiptarëve për këto investime të bëra me borxhe.

Jo se ne shquhemi për komb apo politikë-bërje që nuk e zë gjumi për efektet afatgjata. Ngrysja e një dite dhe gdhirja e të nesërmes janë në përgjithësi të mjaftueshme për synimet dhe vizionet shqiptare (për çështje të përbashkëta, se për personalet në kurriz të të përbashkëtës jemi për fletë lavdërimi).

E që t’i kthehemi bisedës fatlume për shprehjen e interesit dypalësh për hekurudhën Tiranë-Durrës me devijime në Rinas e zgjatje në Golem, kjo do jetë qershia e radhës mbi tortën e madhe të BERZH në Shqipëri, ku ajo ka një vëllim net të biznesit prej 500.3 milionë eurosh. Me 36 projekte madhore dhe perspektivën për t’i shtuar ato, BERZH me të drejtë mezi pret fjalët e bukura që ka mësuar përmendësh kryeministri, si  të gjithë homologët e tij të vendeve në zhvillim.

Sipas faqes zyrtare të kryeministrit tonë, BERZH financon (jo falas) disa projekte  madhore në infrastrukturë, mes të cilave; rehabilitimin e rrugës Fier – Tepelenë; projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake; projektin e rrugës Levan – Vlorë (ku? Projekti është ndërprerë. Ku kanë ngecur fondet, huatë e dhëna nga BERZH); projekti i nën-stancioneve të transmetimit të energjisë; projekti i TEC-it të Vlorës; Projekti i Portit të Durrësit, etj.

Të gjitha projektet shoqërohen me fjalë të bukura nga palët dhe media me zell riprodhon deklaratat e gatshme ku “Kryeministri Berisha bën të njohur angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për zgjidhjen e fillimin të realizimit të projekteve, duke i vlerësuar si shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve”.

Projektet e zhvillimit shpesh shihen si projekte të pengimit. Nuk kanë munguar në  mediat e vendeve në zhvillim botimet apo transmetimet që i shohin projektet e zhvillimit si  nxitës të varësisë nga ndihma e huaj, që realisht shkon ose në xhepat e konsulentëve ndërkombëtarë, ose në ato të politikanëve vendas. Pra, mirëqenie ekonomike apo rritje të cilësisë së jetesës, nuk ka aq sa paraqitet.

Shqetësimi në lajmin e fundit sporadik për rënien dakord në parim të një studimi fizibiliteti për hekurudhën Tiranë-Durrës qëndron pikërisht tek mungesa e lidhjes midis kostos, vlerës reale dhe borxhit që duhet shlyer me kalimin e viteve. Jo vetëm për këtë projekt, por për shumicën dërrmuese të projekteve të zhvillimit ku përfshihen shifra marramendëse investimi. Shqetësimi qëndron tek qarkullimi i shpeshtë i fondeve për qëllime të ngjashme dhe dështimi tek rezultatet që në tentativën e parë.

Zhvillimi i ngjan një loje të sofistikuar, ku rregullat i vendosin ata që marrin pjesë në të.

Për momentin, Shqipëria do vazhdojë të shohë të tilla shfaqje, deri sa varësia dhe padija për to të jetë më e pa-rëndësishme.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Si fitohen zgjedhjet vendore? E kuqja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: