E kuqja

17/06/2010 at 12:29 Leave a comment

Unë jam e kuqja. Jo ajo e Orhan Pamukut. As ajo e komunizmit. Jam e kuqja që do kisha veshur nëse Shqipëria do ishte sot në Afrikën e Jugut (si ekip futbolli, se gjithëqysh tjetër është).

Unë jam e kuqja; dhe kur nuk jam, m’a kujtojnë. E kuqja është për sheshin ku kanë vendosur shqiponjën që nuk kemi. E kuqja jam bashkë më të kuqët e tjerë që s’më lenë të identifikohem as individualisht, as tjetërysh.

Se nuk jam shqipja. Jam e kuqja. E kuqja. Ajo që skuqin rrugëve të bllokuara, shesheve të rrethuara, cadrave të ngritura, bulevardeve të shqyera, ekraneve të përdhunuara, fjalimeve imorale, gënjeshtrave të përdala, manipulimeve kryepërpjetë.

Jam e kuqja mes të kuqeve, që ma ndalin rrjedhën në mes, nëse rruga më bie aty ku s’duhet. Dhe shqipja jonë e përbashkët nuk ka shumë rrugë. Një të sjell nga porti, një edhe nga aeroporti. Kjo e dyta i ndërhyn të parës pas urës që gjendet  përballë thirrjes gjigande që cdo gjë ta bëjmë mirë, e ta bëjmë vetë.

Unë kthehesha nga porti, zyrtari im nga aeroporti. Fushëpamja ime e cunguar. Shpejtësia gjithashtu. Në kah-hyrjen e makinave që vijnë nga aeroporti, një i kuq më të verdhë fosforishente ngre një tabelë, i fryn fort një bilbili, i dalin tëmthat nga vendi prej urdhërit pa fjalë, ngre dorën, vendos edhe trupin në gjysmën e autostradës, që të ndalojë qarkullimin.

Zyrtari po kthehet nga takimet e rëndësishme për atdheun dhe po futet në austostradë. Makinat që vijnë nga porti, nga puna, nga plazhi, nga jeta e përditshme, në autostradë, urdhërohen të frenojnë në sekondë. Disa frena zënë vend. Të tjera jo. Para policëve me tëmtha të fryra bëhet një grumbull me makina që përplasen, gërvishten, shmangen, rrezikojnë, rrëshkasin, dalin nga rruga, hyjnë prapë, shajnë, s’ndalojnë, ndalohen. Lëmsh.

Të gjithë janë të kuq.

Zyrtari kaloi. Grumbulli i makinave ngeli aty. Së bashku me muzgun që ra si damlla, për të bërë të padukshme situatën e krijuar nga absurdi i njerëzve të kuq. E kuqja nuk dukej nga errësira.

Në ekran ndeshjet zëvendësojnë njëra-tjetrën. Zvarritje e gjatë në fazën e parë. Mezi shfaqet Uruguaj me më shumë se dy gola (rasti i mëparshëm s’ka rëndësi). Në ekran sërish politikanët. Edhe analistët. Ata të lulishteve po flasin edhe për golat. Teksa thonë “Italia do fitojë sepse kështu ka ndodhur përherë”, pres të vazhdojnë “Sepse Italia udhëhiqet nga miku ynë Berluskoni, që i ka premtuar Berishës central bërthamor në shkëmbim të ca vajzave të bukura”. Por jo, nuk ndodh.

Megjithatë, ekranet janë po ashtu të  kuq. Komentet bëhen me patos e me zjarr aq të madh, sa arsyetimi po digjet si kashtë. Afrika s’ka argumente, por renditje analitike po. Po ne studiot e kuqe, me njerez të kuq, analiza fillon e mbaron tek flaka e kashtës për Gjermaninë, Italinë apo Brazilin.

Politika po bën disa përpjekje të duket interesante. Me rritjen e fundit ekonomike po ua kalokemi edhe vendeve të BE-së. Me siguri kryeministri ka pajtuar ndonjë ekonomi-rritës të pavarur që indexet i nxjerr duke marrë për bazë kryeministrin vetë, së bashku më përqarkun e tij. Se përtej atij rrethi, zor se mund të gjendet ndonjë i kuq që e beson.

Por aha, nuk e tërheq dot vëmendjen. Vapa e menjëhershme e Qershorit, që erdhi bashke me kupën e botëës, me bubuzhelat e Afikës e me përpjekjet rënkuese të TVSH-së për të qenë televizioni që ka rolin të ketë, politika ka ngelur si jetime.

Tutje nga shtatori do i marrim vesh xhevahiret që po gatuhen këtë Qershor. Se kemi edhe fatin e madh që kryeministrin e kemi tifoz part-time me Francën, kryetaren e kuvendit jo shumë të dhënë pas futbollit, kështu që më në fund, puna e tyre po bëhet e patrazuar nga kuriozët e medias.

Në rrugë e kuqja vazhdon të jetë ajo e përhershmja, e pamungueshmja, e patjetërsueshmja.

Vapa të bie në kokë, e megjithatë autobuzët e transportit publik nuk e lëvizin fare marshin. Duhet të ketë mungesë të theksuar uji në Tiranë, ndryshe nuk shpjegohet dot konkurenca që i bëjnë të kuqtë ajrit të rënduar të kryeqytetit. Këtu tezgat, bananet, karrocat, shqyerjet e trotuarit, të sheshit, të rrugëve, trafiku i miz-lisuar, devijimet e detyruara, levizjet si pulat brenda gardit, zilia në vështrimet e përshtira, kënaqësia e të bërtiturit, zagushia që s’lë skutë pa hyrë, narcizimi i pashoq, përtacia që ka deformuar cdo damar të kuq, koha e ngecur në vend, janë ulur këmbëkryq mbi Tiranë, e s’lenë rreze drite të depërtojë në të.

Unë jam e kuqe mes të kuqsh. Nuk kam rast të bëj tifo për Shqipërinë, por thith ajrin e detyruar të të qenit pjesë e saj.

Ka përherë dhe kudo nga një gropë të hapur nëpër Shqipëri; në rrugë, në shesh, në mal, në kodër, në jetë, në punë, në publik. Katër e 504 t’i bësh sytë, gropa pa fund hapen gjithandej. Ose krijohen, dhe mbyllen sapo janë mbushur me pré.

Ngjyrë e kendshme e kuqja. Gjynah që i ka rënë të personifikojë c’ishte më sipër.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Zhvillim dhe zhvatje Botërori na shkelmoi krizën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: