Botërori na shkelmoi krizën

22/06/2010 at 16:37 Leave a comment

Drejtësia shqiptare mendon se duhen 400 mijë euro për të çuar në vend nderin e prishur të Pangos. Media u mundua të bëhet grusht bashkuar drejt mos-cënimit të fjalës së lirë. Po sfidon gjithashtu vendimin që vë në pikëpyetje besimin tek drejtësia e ç’besuar shqiptare. Por njerëzit shohin futboll.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dy nene të kodit zgjedhor, që lanë jashtë parlamentit shumë parti të vogla, (sa keq për këtë lajm të mirë). Por Afrika e Jugut është më e fuqishme sesa  Gjykata Kushtetuese. Të paktën edhe tre javë të tjera.

Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Europë; opozita merr ftesë të drejtpërdrejtë dhe fare të hapur nga vetë Berisha për bashkëpunim në reformat integruese të vendit; Islami pretendon se Veliaj kërkon katapultim në krye të PS-së. Çfarë nuk po provon politika, që të tërheqë vëmendjen, por jo. Jo dhe jo. Shqiptarët e kanë mendjen tek topi. Tek Jabulani, tek gafat që ai beri nëpërmjet duarve të Green, Sorenson apo edhe Casillas. Tek spektakli që ai sjell nga manovrimet dhe gjuajtjet e Messit, Luis Fabianos, Villas, Sneijderit, Podoloskit apo Robinhos.

Njerëzit duan qetësi dhe këtë po e gjejnë tek zhurma e madhe e futbollit. Kupa e botës ka lënë tërësisht në hije politikën shqiptare dhe problemet e saj mediokre. Për herë të parë pas mëse një viti protagonizëm acarues mediatik, politika ndjen se një sfidues i papërballueshëm i ka marrë vendin e parë jo vetëm në ekrane, por edhe në bisedat e përditshme. Ky është futbolli.

Me gjithë fillimin e ngadaltë dhe gati të mërzitshëm të fazës së parë, ku u shënuan shumë pak gola dhe ekipet dështuan në performacën që t’i përqasjej dinjiteti të të qenit kupë bote, kampionati kaloi në ndeshjet e dyta në grup, ku humbja e Gjermanisë, barazimet e dyta të Anglisë dhe Italisë, humbja e Francës dhe xhevahiret brenda kampit të saj, e bënë botërorin interesant, tërheqës dhe magnet të papërballueshëm, jo vetëm për shqiptarët.

Përderisa kushtet diktojnë që të mos kemi ndonjëherë shpresa të bëjmë tifo kuq e zi në ndonjë botëror, tifozeria shqiptare është ndare në katër pjesë; mbështetës të Italisë, të Gjermanisë, të Brazilit, dhe të tjerë. Turma kryesore gjendet tek tre të parat. Pjesa e katërt e aksioneve mbështetëse i shkon kryesisht Holandës dhe disi më rrallë Argjentinës dhe Spanjës, por ka rritje të madhe në numër të tifozëve të Anglisë, qëkurse kosovaro-shqiptarët zbuluan ishullin si destinacion migrator 13 vjet më parë.

Dhe sot shqiptarët e kalojnë kohën e tyre duke u zënë me fjalë, të thëna, të shkruara, të bërtitura apo të përplasura vetëm për mbështetjen e mësipërme. Publiku po se po, po edhe media dhe politika vetë shohin se s’kanë nga t’ia mbajnë tashmë, ndaj janë lëshuar edhe ato tek sporti. Emisionet për të janë n-fishuar apo transformuar, që t’i përshtaten klimës së tregut mediatik. Me nuanca të ndryshme që s’kanë ndonjë lidhje të dukshme me evenimentin, mediat ofrojnë debate mbi ngjarjen më të madhe në botë. Specialistët dhe njohësit e sportit mund të kishin vend. Është muaji i tyre. Por politika në Shqipëri është nazemadhe. Nuk mund të tolerojë që pasi i mori vëmendjen e publikut, futbolli t’i rrëmbejë edhe kohën televizive. Ndaj pas hutimit të dy javëve të para, politika po e merr veten dhe e gjeti zgjidhjen: të flasë për sportin.

Po. Tani në emisionet për botërorin zor se gjen ndonjë studio pa politikanë. Dhe është lëvizje e “mençur” e reagim goxha i shpejtë, pavarësisht se mbetet po njëlloj acarues për publikun, të cilin e gënjeu mendja se për një muaj, shpëtoi nga politika dhe imazhet e patjetërsueshme të saj.

Ama ka një tjetër natyrë e përditshmja në Shqipëri këtë muaj që luhet botërori. Publiku sikur merr frymë më i lehtësuar. Mbrëmjet janë më miqësore. Ndezja e ekranit të televizorit nuk bëhet më me rrudhje muskujsh teksa në ekrane dalin të njëjtët njerëz, të njëjtat fjalë e zënka fëmijësh të llastuar duke bërë gjoja se po zihen për lodrat e njëri-tjetrit, që i kanë mbyllur në ca kuti.

Këtë muaj duket se është harruar fare edhe lëngimi i gjatë për vizat.  As lajme për to nuk ka më. Nuk i djeg kush, sepse bien në vesh të shurdhët.

Më në fund një ilaç për veshët dhe sytë e shqiptarëve. Atë që nuk e zgjidhi dot as doktori, as piktori, as Krokodili, as shqiponjat, e zgjidhi topi i futbollit.

Kriza në Shqipëri vazhdon sa kohë ka vëmendjen e medias e gozhdimin e publikut. Me vështrim të shkëputur e vëmendje të munguar, edhe kriza ka marrë ca javë pushim.

Politikanët apo mbështetësit që deri dje ziheshin për kutitë, sot janë përzier keq në grupime e aleanca të reja që me patos të zjarrtë mbrojnë Italinë e me po të njëjtin vrull shajnë Brazilin, Gjermaninë apo e kundërta. Përballë futbollit, të gjitha krizat politike u sheshuan.

Sikur të kishim futur nga një Jabulan në çdo kuti votimi, do kishin zgjatur pushimet e krizës?

Botërori zhvillohet në Afrikë, ama Shqipëria ka dy javë që është ndryshe.

E çuditshme si shkelmohen krizat nga një top.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

E kuqja Drejtësia gjuan me top

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: