Drejtësia gjuan me top

25/06/2010 at 10:24 Leave a comment

Drejtësia dhe media zihen, politika dirigjon. Njëra palë thotë se politikës i është cenuar privilegji i të qenit e paprekshme, tjetra pretendon se po i vihet fre fjalës së lirë.

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Tiranë për të gjobitur me 400 mijë euro televizionin Top Channel për shkak të “cenimit të imazhit dhe shkeljes së privacisë” së një ish-ministri, është kthyer në motivin kryesor të edicioneve informative të televizionit në fjalë dhe mediave rreth tij.

Nga ana tjetër, një grup gjykatësish janë mbledhur të indinjuar duke pretenduar se televizioni i gjobitur ka marrë një fushatë denigruese kundër sistemit të drejtësisë që këta gjyqtarë përfaqësojnë.

Të vërteta dhe absurditete ka nga të dyja palët, por në rastin në fjalë, pretendimet e grupit të gjyqtarëve janë ato që lënë më shumë për të dëshiruar.

Është e qartë se dirigjuesi i kësaj loje është politika. Natyra investigative e emisionit që dha panoramën e Pangos është selektive, ama përtej nxitjes fillestare, materiali i transmetuar është shembull që jo vetëm duhet ndjekur, por edhe marrë për referencë nga sistemi që në vend që ta mbronte, e dënoi këtë lloj publikimi.

Gjykata mund të përdorë sa dhe si të dojë arsyetimet për përdorim të paligjshëm të regjistruesve apo sigurim të paligjshëm të provave. Publikisht, ndëshkimi i denoncuesit dhe mbrojtja e hapur e të denoncuarit, është një veprim i rrezikshëm, që në vend të rrisë, minon dhe kërcënon besimin tek sistemi i drejtësisë.

Por dua ta lë mënjanë mënyrën se si dhe arsye përse “Fiks Fare” vendosi të gjurmojë Ylli Pangon. Po të ishte njeri i thjeshtë, nëpunës me 8 orarësh, zyrtar që as i prish, as i ndreq punën kujt, sigurisht që televizioni nuk do kishte marrë përsipër fushatën investiguese. Përderisa personazhi kishte post publik dhe për më tepër, e vuri në lojë atë që në “provokimin” e parë, Pango nuk mund të pretendojë më për privatës. Ose më saktë, gjykata nuk duhet të lejojë gafa të tilla, e të marrë atë si qendër të arsyetimit për vendimin e dhënë.

Shfrytëzimi i postit, presioni i medias dhe lojërat e politikës janë të gjitha tipare të demokracive në zhvillim. Nuk duhet të na vijë çudi pse këto ndodhin në Shqipëri. Çudia për mua shtrihet në disa plane të tjera: 1) Shumë shpejt e rikuperoi terrenin e humbur në sy të të tijëve Pango, që arrin të sigurojë një vendim të tillë, ndesh me të gjitha pritshmëritë e publikut nga drejtësia. 2) Vendimi është sinjali më i qartë që mund t’i jepet njerëzve se drejtësia është akoma Maliq, jo ligj. 3) Media nuk duhet të frikësohet shumë se iu hoq e drejta e investigimit apo fjalës së lirë, por thjesht të shastiset e ta vërë vëth në vesh se mesazhi i politikës dhe drejtësisë për të, nëpërmjet këtij vendimi, është: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Shkurt, media mund të vazhdojë të ngjiret sipas qejfit, se pa zarar është. 4) Grupimi disa gjyqtarëve dhe irritimi i tyre për sjelljen mediatike ndaj kolegut (vendimit të tij), nuk është fort i këndshëm, e në vend që ta mbrojë, mund ta cënojë imazhin e aleancave të ngritura ndaj medias.

Në këtë çështje, gjyqësori dhe media duhet të ishin krah për krah. Lufta mes tyre nuk i shërben asnjërës palë. Denigrimet personale gjithashtu janë dëm-prurëse. Por në këtë rast, gjyqësori duket se ka rënë brenda me këmbët e veta.

Personalisht jam për një trajtim pozitiv, nxitës, përshëndetës, madje edhe falënderues mediatik ndaj pushtetit gjyqësor. Brenda tij ka njerëz me integritet, që përpiqen po aq sa media, të jenë thirrës dhe rregullatorë në kaosin shqiptar. Por ç’e do, në rastin e gjykimit të çështjes Pango, sistemi duket sikur eci dhe vazhdon të ecë me minë në brez, duke bërtitur “E hedh edhe në erë sistemin, po ma kërkoi politika”.

Vendimi përfundimtar për Pangon do merret nga gjykatat e shkallëve të tjera; ama perceptimi që rrjedh nga e gjithë kjo ngjarje që vjen në kohë të mbrapshtë mungese vëmendjeje prej botorit të futbollit, nuk cenon televizionin Top Channel. As nuk rregullon imazhin e Ylli Pangos. Jo. Vendimi i dhënë kundër një çështje për të cilin publiku është shumë i ndjeshëm, i vetëdijshëm dhe aspak budalla, ka impakt në një sistem të vetëm; tek gjyqësori. Tek besimi ndaj tij. Tek kriza e thellë e besueshmërisë për vendimet që merren në mënyrë të tillë.

Gjyqësori mbrojti një ish-zyrtar, për të cilin perceptimi nuk ishte i ndryshëm nga provat që solli “Fiks Fare”. Drejtësia kërkon të riciklojë imazhin e një ish-zyrtari që këmbëngul të tregojë se i ka ende shpatullat të ngrohta. Po edhe sikur t’i heqim fare emrat Ylli Pango e Fiks Fare, e t’i zëvendësojmë me çfarëdo emri e çështje tjetër me interes publik, qëndrimi i gjykatës pro ish-zyrtarit që mbrohet nga politika, është shumë i rrezikshëm. Ose do konsiderohej i tillë në një vend ku drejtësia, opinioni dhe interesi publik, kanë rëndësi të madhe.

Këtu, mesazhi që jep vendimi i marrë pro Pangos është edhe më i trashë se kaq:

“Abzuoni sa të doni njerëz, se ua lan gjykata mëkatet. E jona është, e rregullojmë atë punë”.

Prandaj përsëris që humbësi i madh i kësaj çështjeje është besimi tek sistemi gjyqësor; dhe e dyta, shpresa e qytetarëve se një ditë të afërt, mund të kenë besim tek sistemi i tyre i drejtësisë.

Gjepura!

Akoma zënë për bishti e kanë drejtësinë. Në çdo nivel. Ndaj besimi në të është mirazh që s’të bën mirë as për sytë, e jo më për pritshmëritë mendore që krijohen rreth saj.

Gabim dhe turp.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Botërori na shkelmoi krizën Autizmi i hidhur e hileqar

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2010
M T W T F S S
« May   Jul »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: