Kosova drejt ligjshmërisë ndërkombëtare

09/07/2010 at 10:04 Leave a comment

 Parlamenti Europian i dha këtë javë Shqipërisë rekomandime nga ato që tashmë rëndom jepen nga Brukseli dhe rëndomtë interpretohen nga dy kahet politike në Shqipëri. Politika dhe ngërçi individual e artificial i saj po presin me padurim fundin e botërorit për t’u rikthyer edhe një herë zaptues të ekraneve dhe përdhunues të shikueshmërisë televizive.

Ndërkaq, teksa Brukseli merret me problemet që Shqipëria i hap vetë vetes, Haga po merret me gjysmën tjetër të shqiptarëve. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka shpejtuar ritmin e punës këto javë dhe pritet që në fund të verës të japë verdiktin e saj për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Kërkesa  e bërë nga Serbia menjëherë pas 17 Shkurtit 2008, shkaktoi zvarritje përtej parashikimeve për njohjen e shtetit të ri në arenën ndërkombëtare. Dhe jo vetëm kaq, por ka ngrirë aktualisht edhe kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Shqiptarët e Kosovës, së bashku me shtetet e BE-së që iniciuan dhe njohën të parat pavarësinë e saj, presin sigurisht që Gjykata ta shpallë të ligjshme pavarësinë. Dhe kjo do të zgjeronte si rrjedhim numrin e shteteve që e kanë njohur atë. Por, edhe nëse ndodh kështu, Kosova nuk ka shumë shanse për t’u bërë menjëherë anëtare e OKB-së për shkak të vetos që ka shpallur Rusia.

Nëse ndodh që Gjykata e shpall të paligjshme pavarësinë, (sado e pamundur të duket kjo për sytë shqiptarë), atëherë Kosova do vazhdojë të ngelet e pavarur, por mund të humbasë disa nga njohjet e bëra prej shteteve anëtare të OKB-së. Nisur nga përvojat e mëparshme në Ballkan me problemet  etnike, në këtë rast mund edhe të priten rreziqe më të mëdha për marrëdhëniet me serbët që jetojnë në Kosove dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Por, vendimi nuk mund të jetë kaq i thjeshtë, sepse as situata nuk është e tillë. Analistët dhe njohësit e mirë të politikës ndërkombëtare në Ballkan parashikojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dalë me një interpretim të sofistikuar për ligjshmërinë e statusit të Kosovës, ku herë do i jepet të drejtë pavarësisë, e herë varësisë së kushtëzuar në disa aspekte.

Vendimi është vonuar enkas që t’iu japë kohë ndërkombëtarëve të bëjnë punën e duhur bindëse me Serbinë dhe ta përgatisin atë që të lëshojë pe për Kosovën e të fillojë ta shohë veten duke përgatitur axhendën për bisedime mes palësh në Prishtinë. Dhe pas shpalljes së vendimit të kësaj gjykate, nëse ai është pro ligjshmërisë së pavarësisë, atëherë Serbisë mbase do t’i duhet të mendojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e saj fqinj. Duan apo nuk duan, Beogradi dhe Prishtina zyrtare do të duhet të ulen në tryezë si të barabarta.

Në fakt qëndrimi serb ka filluar të ndryshojë, edhe pse shumë lehtë dhe pothuajse në mënyrë të padukshme.

Në takimet e fundit në Bruksel e Washington, serbët nuk paraqiten më aq kategorikë në qëndrimin e tyre për Kosovën. As nuk harxhojnë më ushqim shpirtëror për betejën e bërë në fushën që mban emrin e saj 6 shekuj më parë. Jo. Serbët kanë filluar të interesohen për çmimin që do fitojnë me rastin e njohjes së ligjshmërisë së këtij shteti që donte të zhdukte nga çdo koncept.

Në artikujt e fundit në të përditshmet evropiane, në faqet e pakta që zë tashmë Ballkani, qarkullojnë edhe tre kërkesa që serbët po përsërisin në bisedat për zhvillimet pas shpalljes së ligjshmërisë së statusit. Së pari, thuhet se Serbët do kërkojnë me insistim kthimin nën patronazhin serb të pjesës veriore të Kosovës, ku banon një shumicë serbe; së dyti, status të veçantë për kishat ortodokse të ndërtuara në Kosovë, dhe së treti, premtim që komuniteti ndërkombëtar të mos i japë Kosovës asgjë në shkëmbim, pra të mos i marrë parasysh kërkesat e saj.

U bënë tashmë 28 muaj që Serbia po bën lobim të fuqishëm ndërkombëtar për mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por së fundmi, edhe në këtë pikë, vihet re një ulje e intensiteti të kësaj fushate të nisur me zell dhe vendosmëri tipike ballkanase. Edhe ky është një tregues se Serbia po përgatitet që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në fakt në favor të shtetit më të ri të shqiptarëve.

Sigurisht që Serbia nuk i ka bërë këto ndryshime duke u ngrohur në diell. Të gjitha kanë një çmim. Dhe ajo po e merr shpërblimin vazhdueshëm dhe qartë. Është fjala për rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.  Jo vetëm që shteti që shkaktoi dy gjenocide brenda 5 vjetësh fitoi të drejtën që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm brenda vendeve të BE-së përpara shteteve ndaj të cilave ushtroi spastrimet etnike, por edhe ndihma financiare, grantet dhe investimet që po merr ajo (Serbia), janë më të lartat në gjithë Ballkanin. Bashkimi Europian e bën këtë taktikë me ndërgjegje dhe me shpresën e plotë se ky çmim  i lartë do e bëjë Serbinë të heqë dorë nga pretendimet territoriale mbi Kosovën, por njëkohësisht, të lëvizë përpara në mendësisë e saj për ta pranuar faktin se një ditë Kosova do të jetë pjesë e OKB-së dhe se Serbisë do t’i duhet patjetër ta njohë zyrtarisht si shtet fqinjën e saj. Po, sepse BE nuk mund të pranojë një konflikt të tendosur e në pritje për të shpërthyer kur t’u teket palëve. Prandaj momenti i njohjes së Kosovës si shtet duhet kapërcyer, menjëherë sapo të ketë mbaruar cikli i strategjisë evropiane për të mundësuar sheshimin e ndarjeve etnike, kombëtare dhe fetare në Ballkan.

Megjithatë, ndërkombëtarët janë akoma edhe vetë të paqartë nëse vërtet e duan një vendim pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën apo jo. Pse? Sepse sipas qëndrimit që kanë mbajtur vazhdimisht amerikanët, shqiptarët të marrin krahun po u zgjate dorën, e nga Kosova, do zgjerohen deri në Shkup e pastaj do udhëtojnë në Tiranë, për të shpallur Shqipërinë e madhe.

Më shumë sesa realitet shqiptar, kjo është një artificë ndërkombëtare, që zbehet akoma më shumë në ditët e sotme, ku shtetet dhe kufijtë po e humbin me të shpejtë kuptimin e tyre.

Megjithatë, që vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë të ketë efektin që diplomatët presin (pra stabilitetin afatgjatë të të gjithë rajonit), vetë mbështetësit ndërkombëtare të pavarësisë parashikojnë disa pika të nevojshme për t’u mbajtur parasysh si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Së pari, të dyja palët duhet të pranojnë principin e Helsinkit se kufijtë mes shteteve nuk mund të diktohen, por pranohen me marrëveshje. Kjo i heq të drejtën Serbisë të kërkojë aneksimin e Mitrovicës, por ama lë shteg të hapur për shkëmbim territori me luginën e Preshevës. Së dyti, mund t’i kërkohet një marrëveshje ku Serbia pranon futjen e Kosovës në OKB dhe Kosova nga ana e saj të pranojë faktin se për shkak të realitet aktual serb, nuk mund t’i kërkojë Serbisë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Së treti, që zgjidhja të sofistikohet, NATO pritet të luajë pjesën që i takon, duke shpallur qëllimin për të ftuar në radhët e saj Kosovën si shtet më vete. Kjo nismë do të fuqizohej akoma më shumë nëse NATO merr edhe pak shtysë nga mjeshtrit e politikës ndërkombëtare që të maksimizojnë përpjekjet për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe përshpejtimin e futjes së saj në Traktat.

Dëshira e miqve perëndimorë është që ta shohin çështjen e pavarësisë së Kosovës si sinjalin më të qartë të stabilitetit afatgjatë në rajon. Por frika e tyre është se në fakt, konflikti thjesht është pezull, dhe rrezikon të riaktivizohet nëse negociatat dhe hapat diplomatike nuk janë ato të duhurat.

Me dy luftëra në njërën dorë (Irak e Afganistan), me një tjetër në ajër (Iran) e me naftën ne vend të ujit, amerikanët nuk e kanë askund të axhendë Ballkanin. Prandaj është vetë Europa që po pret aktive këtë verë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të ndërmarrë hapat e taktikës së saj diplomatike; të ulë pritshmëritë territoriale të Serbisë në shkëmbim të një vendi në një familje më të madhe dhe të sigurohet se shqiptarët e Kosovës, pas ligjshmërisë për statusin, nuk kanë ndërmend të bëjnë xhiro kombëtare Prishtinë-Shkup-Tiranë me himne e flamuj për Shqipërinë e madhe.

Po hapi i radhës është ligjshmëria.  

Pastaj, edhe shqiptarët do ecin hap e nga një hap.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Dhunimi i pronës, dhunim i të zot Nga ngërçi, drejt BE-së

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2010
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: