Nga ngërçi, drejt BE-së

13/07/2010 at 19:21 Leave a comment

Serbia është aq e aftë sa Kroacia, por po sillet më keq se Shqipëria” – ky titull i djeshëm në një nga faqet informative të rajonit, m’u duk më shumë qesharak sesa ironik. Por, duke lexuar artikullin, gazetari serb të hiqte çdo fije dyshimi për keq-përdorim në krahasimin negativ.

Fillimisht ai sjell faktin se Serbia priti më gjatë sesa Shqipëri për ratifikimin e MSA-së që nga momenti kur filluan negociatat për të; dhe së dyti Shqipëria priti gjashtë muaj që aplikimi saj për statusin e vendit kandidat të kalonte nga Këshilli tek Komisioni, i cili duhet të japë mendimin nëse Shqipëria është gati ose jo të pranohet si kandidate, kurse Serbisë do t’i duhet të presë më tepër se kaq.

Kushtet janë dy: afatshkurtër është dorëzimi i gjeneralit Ratko Mlladic; dhe kushti afatgjatë është qëndrimi serb ndaj Kosovës. Në vendet ballkanike, Serbia do të kishte pas vetëm Kosovën në rrugën zyrtare drejt BE-së, por përderisa akoma nuk ka vendosur ta konsiderojë si fqinje, Serbia këtë analizë e lë mënjanë.

Ama përgjatë gjithë shkrimit viheshin re notat pozitive të një qëndrimi që duket se sheh larg. Javët e fundit po flitet shumë për qëndrimin që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të mbajë për ligjshmërinë e statusit të Kosovës. Flitet gjithashtu për mënyrën se si mund të trajtohet çështja e saj në Asamblenë e Ardhshme në Kombeve të Bashkuara. Dhe për të dy rastet, tek politika serbe dhe qëndrimi publik i saj, vihet re një frymë më e moderuar. Edhe tek media gjithashtu.

Në rastin e shkrimit të referuar në krye, pohohet pothuajse më siguri të plotë se kërkesa afatshkurtër e BE-së ndaj Serbisë për gjeneralin Mlladic, ka shumë gjasa të plotësohet me afrimin ose gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Kurse çështja e Kosovës duket më e komplikuar se kaq, ama të paktën, politika dhe media kanë filluar të moderojnë qëndrimin që deri para pak kohësh ishte kategorik.

E gjitha kjo ka ardhur vetëm në emër të hapave drejt integrimit të vendit në BE.

Kjo çështje është bërë disi mitikë në të gjitha vendet e Ballkanit. Është karremi që edhe vetë Bashkimi Europian po përdor për t’i mbajtur varur këto vende, që as nuk është i gatshëm t’i pranojë, por as t’i lëshojë nga grepi i vet. Fundi dihet; vendet e Ballkanit mund të përfundojnë sërish në detin e konflikteve, për të cilat janë mjeshtra të vërtetë. Ama BE nuk ka më as kohë, as dëshirë, as burime të mjaftueshme nervore që të merret me konfliktet në një territor brenda saj, ndaj përdor pikërisht kartën e integrimit për t’i bërë palët të dalin mbi konfliktet. Dhe e vetmja mënyrë, është synimi i një objektivi më madhor, siç është familja e madhe evropiane.

Serbia e ka kuptuar shumë mirë këtë rregull loje, ndaj edhe po mban qëndrimin e saj, që së fundmi e detyron të tregojë shenjat e para të radikilizimit të mendimit kundër, dhe në kahun tjetër, të gjejë guximin të kritikojë veten me autokritikën publike “u bëmë më keq se Shqipëria”.

Mirë që Serbia i ka punët pisk me gjeneralë gjenocidesh e me shkëmbime territoresh, po Shqipëria ca halli ka që po i vonon procedurat e që po bëhet shkak krahasimi negativ nga fqinjët?

Sa herë ndërrohen presidencat e BE-së, aq herë vijnë rekomandime, premtime, vërejtje, sugjerime e sërish rekomandime me ultimatume fluturake për Shqipërinë. Politikanëve shqiptarë nga njëri vesh u hyjnë, e nga tjetri u dalin këto rekomandime. Shpesh nuk arrijnë dot as të hyjnë tek njëri vesh, jo më të dalin nga tjetri. Megjithatë, letra, deklarata, buzëqeshje, ironi, dreka, darka, greva, krokodilë, sorra, dhelpra e cakej shohim në mënyrë të përsëritur në fillim dhe në fund të çdo presidence. Ose më saktë, sa herë BE-së i duhet të bëjë ndonjë deklaratë edhe për Shqipërinë.

Mirë Serbisë që i ka thënë “Dorëzo Mlladic-n të të shqyrtojmë kandidaturën”, po Shqipërisë, çfarë t’i kërkojë? Kë duhet t’i dorëzojmë ne Europës, që të na marrë pak më seriozisht?

Menjëherë sapo mallkimi futbollistik mbi politikën mbaroi e ekranet u bënë sërish të kushtueshme, palët nuk vonuan asnjë sekondë të bëjnë interpretime deklaratash sipas dëshirës e thirrje për protesta pas pushimeve të verës.

Gara e zëdhënëseve po ashtu u rikthye në ekran dhe nënqeshjet gjoja ironike për rritjen e ekonomisë u rishfaqën po ashtu me të njëjtën paturpësi.

BE kërkon që Shqipëria të zgjidhë ngërçin politik. Vetëm botërori bëri që të themi edhe ndonjë fjali tjetër përveç kësaj javët e fundit. Pra, dëshirën e madhe të BE-së e dimë për mëndësh. Kurse vullnetin e saj jo, nuk e kemi dhe aq të qartë.

Se që ngërçin nuk kemi për ta zgjidhur vetë, këtë e shohim. Por edhe që Europa nuk ka të njëjtën gatishmëri për Shqipërinë siç ka për Serbinë, edhe këtë e ndjejmë. Ne dhe kolegët serbë, që dje shkruanin “Duket qartë se Europa e ka vullnetin të na marrë brenda, jo thjesht të na hapë derën, nëse arrijmë t’i plotësojmë dy kushtet e vëna prej saj”.

Kurse Shqipëria jo. As na ngroh, as na tremb Europa.

Dhe kjo gjendje e nderë mungese besimi ndikon vetëm tek shqiptarët e thjeshtë. Një shkallë më lart mund të shkojë skuqja nga inati përse serbët na marrin si masë krahasimi negative. Dhe një shkallë tjetër më sipër, politika duhet të kishte mbajtur me kohë përgjegjësitë e veta, e të ishte larguar fare nga skena nëse pengon, në vend që të progresojë rrugën drejt BE-së.

Mirëpo sërish, politika është ajo që as inatoset, as skuqet, as zverdhet.

Prandaj edhe thirrjet e fundit të presidencës belge s’do jenë gjë tjetër veçse fast fond për median shqiptare.

Ndërkaq, Serbia është gati të marrë në konsideratë alternativat për çështjen e Kosovës, më mirë sesa të krahasohet me Shqipërinë për punë reformash e ecurie.

Dhe vërtet, Serbia as që ka për ta kthyer kokën pas kur do parakalojë edhe një herë Shqipërinë, këtë radhë me aprovimin e statusit të vendit kandidat.

Po Shqipërisë, me kë i ngelet të krahasohet?

Ngërçi do zgjidhje. Serbia jo, po as shqiptarët vetë, nuk arrijnë dot ta kuptojnë se nga vjen dhe si mund të zhbëhet ai. Ama për krahasim, duket se do na ngelë peshqesh edhe për pak kohë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: BE, Politikë. Tags: .

Kosova drejt ligjshmërisë ndërkombëtare Kur vendos liria e kufizuar

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2010
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: