Pa punë, pa shpresë, pa të tashme

28/07/2010 at 13:02 1 comment

Shqipëria ka 144.608 persona të papunë, ose 13.8% e popullsisë së aftë për punë. Sigurisht, flitet për ata që janë të regjistruar si punëkërkues. Instituti i Statistikave që nxori këtë javë shifrat e dhëna, merret vetëm me regjistrimet zyrtare. Papunësia shënon kështu një rritje prej pothuajse 1% nga viti i kaluar, kurse lajmi i mirë (për buxhetin e shtetit) është se ka pësuar ulje numri i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Këto janë shifrat dhe pretendimet zyrtare.

Javët e fundit, disa herë krimi brenda familjes është bërë lajmi kryesor nëpër edicione, duke kaluar në vëmendje edhe SHISH-in, GJND-në, KKRT-në, PS-në, PD-në, e të gjithë me radhë.

Një njohëse shumë e mirë e fenomenit të krimit brenda familjes në Shqipëri më pohoi me një siguri tronditëse: “ Varfëria! Është ajo që e sjell krimin. Media dhe policia mjaftohen duke thënë “Për motive të dobëta” apo “Shkaqe xhelozie”. Por në të vërtetë, të gjitha viktimat vijnë nga familje tejet të varfra, nga zonat rurale apo periferike. Shumica e viktimave janë gra”.

Ka të drejtë. Gra janë. Ato e pësojnë të parat goditjen e pamëshirshme të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së dritës në fund të tunelit, që në vetvete sjell problemet e tjera të mëdha: grindjet, mosmarrëveshjet, dyshimet dhe xhelozitë. Të gjitha lindin nga varfëria. Të gjitha burojnë nga papunësia.

144.608 të papunë zyrtarisht. Do të thotë, pothuajse 150 mijë shqiptarë  të aftë për punë, janë burim rreziku për veten apo për familjarët e tyre. Nëse jo fizikisht, dhuna dhe tjetërsimi i tyre është mendor apo emocional.

Në fushatën e zgjedhjeve të fundit, premtimet për vende të reja pune varionin nga 100 mijë prej njërës parti, në 160 mijë nga partia tjetër. Kjo e fundit është në pushtet, por vendet e punës që ka hapur ka mundësi të jenë zënë nga marsianët, se sipas statistikave, numri i të papunëve është më i lartë se në 2005-ën.

Në strategjinë e Arsimit për vitet në vijim, qeveria synon ta çojë ne 150 mijë numrin e studentëve në vit. 6 mijë më shumë se të papunët. Shqipëria do ketë pra më shumë studentë sesa të papunë. Kur të mbarojnë studimet, njerëzit mund të fillojnë edhe një fakultet të gjashtë apo të shtatë, e kështu nuk ngelen asnjëherë bosh. Njëkohësisht, edhe shteti nuk lodhet t’i regjistrojë si të papunë, se janë duke u përgatitur fuqishëm për tregun konkurrues të punës.

Diploma me shumicë, vende pune HIC.

Në një qytezë të vogël e pa asnjë lloj punësimi tjetër përveç administratës publike e tre dyqaneve 1x1m², u shpërndanë ca certifikata për 200 veta, të cilëve shteti iu ofroi pothuajse falas kurse afatshkurtra kualifikimi, “që t’i përgatisë për në tregun e punës”. 5 hidraulikë, 6 elektrikë, 10 rrobaqepëse, 100 të certifikuar për nivelin e parë të anglishtes e 80 për atë të italishtes. Me certifikatat e bukura në dorë, të kualifikuarit varën kokën rrugës për në shtëpi. Ku është tregu që do ua mundësojë vendosjen në punë të këtyre kualifikimeve?

Në disa iniciativa të tjera, programe trajnimi hartohen e organizohen për shtresa të ndryshme, romë, të dënuar, të ndëshkuar, nga ligji, nga jeta, nga shoqëria, që “të përgatiten për tregun e punës”. Përgatitje masive për këtë të magjishmin treg pune. Po ku fshihet ai?

S’po marrim në shqyrtim faktin se sipas shifrave zyrtare, paga minimale qenka 18.000 lekë në muaj, teksa gjithandej në vend, shitësit e butikëve nuk marrin më shumë 15.000 në muaj. As pagën mesatare në sektorin publik, që paska shkuar në 42.000 lekë, teksa mësuesit dhe infermierët marrin  shumë më pak se kaq. Po nuk është ky problemi madhor. Shqetësimi që tregon qartë krizën këtu është sektori publik vazhdon të jetë në krye. Shteti ngelet akoma punëdhënësi më i madh. Sa kohë të jetë kështu, varfëria nuk ka si të na shqitet nga koka.

Termi është shumë i keqpërdorur. Shpesh edhe pa të drejtë. Nga Thethi në Ksamil të shkosh, nga cilido përrua e rrugë dytësore t’i biesh, s’ke si të mos vësh re vilat (banesat tre-katëshe) që kanë ngritur shqiptarët ku duhet e ku s’duhet. Ky nuk duket tregues shumë besnik varfërie. Ama, krahas tyre, në po të njëjtat gjurmë rrugëtimi, mund të shohësh po aq lehtë ndërtesa pothuajse të rrënuara, e fytyra që sot do ta frymëzonin Migjenin më shumë se 100 vjet më parë.

Po varfëria nuk shihet vetëm aty, apo tek ambientet që sjellin kamerat televizive në çdo rast që ka një krim brenda familjes. Varfëria duket edhe në qëndrim, në sjellje, në mënyrën se si e jetojnë jetën që u ka rënë në pjesë njerëzve të shkretë.

Si ata pa shkollë, si ata me kurs kualifikimi, ashtu edhe ata me diploma universitare, po njëlloj e kanë të vështirë të gjejnë një punë. S’ka. Punë nuk ka. I kemi mbaruar të gjitha punët. Është ndërtuar e zbukuruar Shqipëria. Apo s’kemi buxhet? Po, por nuk kemi as fuqi të tërheqim investitorë. Jo, nuk kemi as sektor privat. Po, Spanja e ka më të lartë papunësinë. Edhe  mundësinë e punësimit po ashtu. Jo, Shqipëria nuk ka strategji të mirëfilltë punësimi; ama kemi një alamet strategjie se si të përgatitesh dhe të rrisësh shanset për punësim. Ku? Epo në Spanjë. Pse jo. E rëndësishme është që të universitohemi, të diplomohemi, certifikohemi, trajnohemi e kualifikohemi pa fund.

 13.8% e personave të aftë e të regjistruar si punë-kërkues, janë pa punë.

Shifra është sigurisht shumë më e lartë se kaq. Bujqit numërohen të vetëpunësuar. Studentët e korrespodencës po ashtu.

Po s’ka shoshë ta mbulojë diellin. Veçanërisht këtë të verës. Papunësia është ulur këmbëkryq në vend. Varfëria dhe gjithë problemet që ajo sjell me vete, po ashtu. Prandaj së bashku më boksin në parlament e në distancë nga zëdhënësit, shohim përditë në ekran edhe dy tipe të tjera lajmesh që nuk mungojnë pothuajse asnjë ditë: aksidentet automobilistike dhe krimi në familje.

S’e di ç’lumturi mund të ndjehet të drejtosh, bësh politika apo tallësh një vend si ky. As se sa do zgjasë ky paradoks; por Rama e Berisha po zihen për një vend që është i mbytur nga papunësia, varfëria, krimi, vdekjet në rrugë, vonesa në drejtësi dhe gjithë vonesat e tjera që shoqërojnë të mëparshmet.

Vend i vonë! I varfër! Dhe i papunë!

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Urbanizimi dhe qytetërimi Lajme të reja nga Fronti i Perëndimit

1 Comment Add your own

  • 1. Mandi  |  28/07/2010 at 23:14

    Pergezime per artikullin. Lexova qe kishe qene gazetare nder te parat. Per te tilla artikujt ka nevoje media shqiptare dhe jo per te na shkruar neper gazeta e cituar ne lajme cfare tha Sala e Berisha.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2010
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: