Shqipja e vrarë

05/08/2010 at 18:01 5 comments

Unë  e dua shqipen. Edhe librat. Edhe librat në shqip. Por në kombinimin e të dyjave, gjej një lodhje që më shumë i ngjan irritimit pas përpjekjesh të gjata për t’i vënë fjalët, fjalitë dhe mendimet në rendin e duhur në shqip. Veç kësaj, edhe në një shqipe të bukur.

Pushimet janë trazuar shpesh nga moti i paqëndrueshëm këtë verë, ndaj edhe koha në dispozicion të leximit ka qenë më e madhe. E për të balancuar leximin e literaturës detyruese në gjuhë të tjera për muaj me radhë, vendosa të blej shqip për ditët e pushimeve. Shqip dhe këndshëm.

Ngeli vetëm një ide.

Në libraritë që shkova, u mundova të zgjedh tituj që të mos kishin brenda dashurinë, tradhtinë, lotët, ngazëllimin apo aventurën e përditshme. Kërkesa dukej fare pa vend për librashitësit. “Merre këtë, dëgjo mua. E kam mbaruar me një frymë. Është histori shumë e bukur dashurie”. E vë në dyshim. E për më tepër, nuk dua as ta vërtetoj dyshimin tim.

Megjithatë, zgjedh tre libra. Shqip. Me autorë shqiptarë. Shqip-folës. Shqip-njohës. Kështu dukej nga emrat e tyre.

Tek libri i parë, që në faqen 10 dukej qartë cili do ishte fundi i historisë që zgjaste ca qindra faqe. Ishin përdorur si pa doganë ndajfoljet e çastit. Ishin cunguar në maksimum përcaktorët dhe kishin marrë arratinë fjalitë me pjesë të nën-renditura. Paragrafët ishin të thjeshtë dhe dukeshin shumë të mjerë, si nga gjuha, ashtu edhe nga mendimi.

Në librin e dytë, fundit të dialogëve iu vinte një erë e hidhur asgjëje. Personazhet nuk arrinin të ishin as zgjuar, as të zgjuar.

Në librin e tretë, prirjet moderne trajtuar me nostalgjinë e një kohe të harruar apo mbytur nga imazhe të pa-vërteta, vështirësonin tej mase leximin dhe kohën për të. Çdo faqe e kthyer bërtiste: “Pse më dekoron kot me këtë kohë?”

Më duket e pamundur që autorët të mos jenë në gjendje të krijojnë histori të lehta e të besueshme sadopak, minimumi edhe si ndonjë copëz telenovele nga ato më të lirat. Jo. As deri atje nuk arrihet.

Përveç mangësive trishtuese në ndërtimin e historisë apo të personazheve, ajo që më lodhi më shumë ishte shqipja. E thjeshtë, e varfër, e shkruar keq, e abuzuar në gramatikë, e gjymtuar në leksik, e kufizuar në fjalor.

S’ka si të jetë e tillë shqipja. Vërtet në gjuhën e punës, të projekteve apo të zhvillimeve teknologjike gjenden vështirësi në përshtatje, e shpesh na duket se shqipja është e varfër, sepse të tillë e shohim në këto fusha. Por nuk mund të jetë kështu në letërsi.

Për ta vërtetuar, marr të parin libër të një autori të huaj fitues të çmimit Nobel, të përkthyer në shqip. Përkthimi ka mangësitë e veta e mbase edhe historia vetë nuk është nga ato që më tërheq që në faqen e parë; ama shqipja e atyshme është vite drite larg shqipes së përdorur nga shqip-lindurit që po lexoja deri pak orë më parë.

Gjuha është së pari meritë e autorit, pastaj edhe e përkthyesit. Por këtë libër po e lexoja thjesht për të bindur veten se në shqip mund të shkruhet bukur, pasur dhe mendueshëm. Edhe shijshëm.

Prandaj më ranë ndër mend gdhendjet e para të shqipes së bukur e mjeshtërisht të përpunuar atëherë kur supozohet që shqipja të ketë qenë më e varfër se kjo e sotmja. E lexova serish “Arsyen e mos-arsyes” që Noli vishte në gojën e Don Kishotit, sikur librin ta kishte shkruar ai, e jo Servantesi. Aq i rafinuar është ai përkthim.

Dhe nuk më vjen keq që këmbëngul që klasikët t’i blej në përkthimet e tyre origjinale, e mundësisht t’i kem edhe me kopertinat e tyre fillestare.

Por kaq keq me erdhi për shqipen e librave të sotëm, saqë e mbajta frymën tek biblioteka e vegjëlisë. Mbase s’e kam kuptuar mirë asokohe shqipen. Mbase më është dukur kot më e larmishme, më e fortë, më e bukur dhe më joshëse se kjo e sotmja.

Po për të qenë e drejtpeshuar në krahasim, nuk tërhoqa autorët që atëherë apo sot synojnë vlerësime kombëtare e ndërkombëtare. Mora dy autorë që përveçse në atë bibliotekë, nuk i kam ndeshur në ndonjë librari apo libër letërsie. Pra, nuk janë autorë që studiohen, e mbase përveç atyre librave, s’kanë botuar ndonjë të dytë.

Jo. Shqipja e tyre ishte e rrjedhshme, e pastër, e pasur. Kërkuese. Tamam. Shqipja e këtyre dy autorëve të vjetër anonimë shqiptarë ishte kërkuese.

Fjalët ishin një-përdorimshe brenda faqes. Idetë ishin të lidhura bukur. Paragrafët mbartnin ide. Kapitujt janë ndërtuar koncizë dhe shqipja është e tëra e pasur dhe e bukur.

Ku ka shkuar kjo shqipe sot?

Që është reduktuar në 10 fjalët që qarkullojnë në çdo tekst kënge komerciale, e dimë. Edhe që dhunohet në 30 fjalët gazetareske, e dimë. Edhe që keqpërdoret në ligjëratat e ligshta gjuhësore politike, po ashtu e dimë.

Por që të kishte vdekur edhe brenda letërsisë, për këtë më erdhi shumë keq që m’u bë e ditur. Masivisht.

Dikur, edhe në Shqipëri ka pasur një bord botimi që shqyrtonte nëse një vepër kishte mjaftueshëm vlera për t’u quajtur e botueshme. Merreshin në konsideratë një sërë kriteresh, përfshirë edhe aspektin gjuhësor. Nëse shkrimi nuk i plotësonte kriteret, thjesht mbetej pa botuar. Sepse arsyetohej që, nëse nuk kishte vlera për të shtuar, të paktën i hiqej rreziku që të dëmtonte më tej shqipen nëse do të dilte në qarkullim.

Sot, kjo ide duket utopi. Veprën e boton ai që ka para dhe mund të botosh gjithçka që të bie ndër mend, bashkë me trashësinë  e idesë apo masakrimin e gjuhës së përdorur, cunguar në maksimum.

Por mua më pëlqen të lexoj shqip. Ndaj pres të vërtetoj se shqipja e bukur, nuk ka vdekur bashkë me Nolin.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Lajme të reja nga Fronti i Perëndimit Meritë studimi nën dritë punësimi

5 Comments Add your own

  • 1. 24media  |  15/08/2010 at 09:53

    Shqipja eshte vertet e bukur, por disa po e prishin….

  • 2. arti  |  24/08/2010 at 23:42

    Ata qe e dine mire shqipen nuk kane kohe dhe interes te jene shkrimtare. Pak nga ata jane bere gazetare🙂 Te tjeret jane ne profesione shume me fitimprurese.

  • 3. edliragjoni  |  25/08/2010 at 16:53

    Nuk e kuptova fort mire lidhjen mes njohjes se mire te shqipes dhe mungeses se interesit per ta shkruar ate.

  • 4. arti  |  25/08/2010 at 17:43

    Une besoj se niveli i njohjes e gjuhes eshte shprehje direkte i nivelit te inteligjences se nje personi. Dikur profesioni i shkrimtarit ishte nje profesion relativisht i leverdisshem ndaj edhe shume njerez inteligjente iu kushtuan atij profesioni. Sot, ne 99% te rasteve, jo vetem qe s’ha dot buke me ate profesion por edhe duhet te paguash qe te botosh. Ndaj edhe kemi mbetur me dy-tre shkrimtare reale dhe plot te tjere te fandaksur.
    Nese me lejon te marr rastin tend, eshte e qarte qe ti e ke talentin per te shkruar nje liber por ne vend qe te shkruaje e perdore ate pak kohe te lire qe ke per te marre nje MBA. Dhe s’po te thote njeri qe e ke gabim. Keshtu si ti bejne edhe te tjeret, behen doktore, avokate, inxhiniere, por jo shkrimtare.

  • 5. edliragjoni  |  26/08/2010 at 00:23

    Dakord për përdorimin e gjuhës si kriter përcaktues për një person.

    Më tej, unë mendoj se fatkeqësisht, sot ka shumë pak njerëz që e njohin mirë shqipen, qofshin ata shkrimtarë, doktorë, inxhinierë apo inteligjentë që u janë futur profesioneve fitimprurëse.

    Personalisht mundohem ta respektoj shqipen, (përpos gramatikës), përfshirë edhe përdorimin e e-së me dy pika, (ndryshe, ë-së) dhe c-së me bishtëz poshtë (pra ç -në).

    Megjithatë, për të mos dalë edhe nga synimi për t’i shprehur dhe njohur gjërat drejt, unë nuk jam shkrimtare (edhe pse do më pëlqente ndonjëherë); e nuk jam as gazetare aktive. Jam thjesht njohëse dhe vëzhguese e kujdesshme e përqarkut.

    Edhe një MBA do më pëlqente ta bëja. Por mbase do më jepet rasti kur të mbroj ekonomikun (po i hyra ndonjëherë).

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: