Meritë studimi nën dritë punësimi

06/08/2010 at 19:49 Leave a comment

Jurist, ekonomist, mjek. Këto janë profesionet e preferuara të të rinjve të sotëm shqiptarë. Të atyre 18 vjeçarë. Të paktën kështu rezulton nga formularët e plotësuar për pranimin në studimet universitare, bërë nga mbi 20 mijë të rinj në të gjithë vendin.

Në tre vendet e para të formularit bazuar në konceptin “meritë-preferencë”, vazhdojnë të jenë pikërisht studimet në degët e juridikut, ekonomikut dhe mjekësisë.

Nuk mund të thuhet se ç’treguese është kjo zgjidhje e maturantëve të sapodiplomuar. Por krahasuar me tregun e punës, degët nuk shkojnë krah për krah. Jo se ka ndonjë studim për tregun e punës të cilit mund t’i referohesh saktësisht; ama në atë të fundit paraqitur në Maj 2010 nga Dhoma e Tregtisë, ndër profesionet më të kërkuara në treg,  rezultonin  ato të ekonomistit, financierit, oficerit të kredisë, administratorit të biznesit, ekspertit të marketingut, agjentit në shërbim të klientit, arkëtarit, oficerit të auditit, asistentit të zyrës, arkitektit, inxhinierit (ndërtim, mekanikë, rrjet)  specialistit – teknik, punëtorit të prodhim -mirëmbajtjes, teknikut të montimit, elektricistit, etj.

Pra, nga16 profesione ku tregu ofron më shumë mundësi punësimi, vetëm ai i ekonomistit gjen vend, po ta krahasosh me kërkesën për studime që bëjnë të rinjtë shqiptarë. Juristë dhe mjekë, zor se kërkon kush. Jo se nuk duhen, por tregu thjesht, duket të jetë i mbingopur me ta. Juristët diplomohen me kohë të pjesshme e të plotë, në universitetet publike e në ato private, në 18 e 50 vjeç. Të gjithë synojnë të marrin një diplomë juristi. Sa e meritojnë, sa iu duhet dhe sa do ta përdorin, është tjetër problem.

Por që juridiku të jetë në krye të listës së degëve të preferuara për studim, parë nga këndvështrimi i punësimit, duket tejet absurd.

Ka më shumë gjasa që të rinjtë vendosin të parin juridikun për shkak të emrit dhe prestigjit që mban si profesion, por duke harruar ta lidhin atë me mundësitë reale për punë, apo edhe me aftësitë e vërteta për të ushtuar profesionin në përfundim të studimeve tre-vjeçare. Realisht, ato nuk të bëjnë jurist, por thjesht njohës të fushës. Që të ushtrosh profesionin, ndarë në profilet e tij, avokat, gjyqtar, prokuror, noter apo çfarëdo tjetër, duhen studime shtesë, që jo gjithkush mund t’i ndjekë. Kjo për shkak të natyrës së tyre të thelluar dhe elitare (të paktën në princip).

Por jo. Të rinjve shqiptarë iu pëlqen termi “jurist” dhe e vënë të parën në formularin e pranimit për në universitet. Jo të gjithë do ta fitojnë të drejtën (si në çdo degë tjetër).

Pas disa vitesh aplikimi të procedurës, maturantët tashmë e dinë se pranimet bëhen në bazë pikësëpari të meritës (parimi i së cilës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe, për programe studimi të caktuara, edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta, të vendosura nga institucionet e arsimit të lartë); si edhe nga preferenca  (që përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur dhe listuar në formularin-kërkesë për pranim në studimet universitare).

Sistemi i jep mundësi maturantëve që në bazë të rezultateve që kanë përftuar në shkollë dhe provimet e maturës, të bëjnë një analizë të ftohtë të vetvetes, të masin aftësinë e tyre të mëtejshme studimore bazuar në rezultate, dhe të shohin me kujdes sa dhe ku mund ta hedhin hapin e formimit universitar, duke parë pragun e pikëve që ka secila degë. Jo domosdoshmërisht degët me pragun më të lartë janë degët më të mira në treg. Shpesh pragu vendoset edhe për të treguar kufizimin që ka dega si për vendet e studimit, ashtu edhe të punësimit që të ofron.

Ndaj vrapimi drejt juridikut nuk është zgjedhja më e zgjuar e maturantëve. Po të ishin të drejtë e të qartë me veten, mbase shumica e atyre që kanë vënë në krye të listës juridikun (apo edhe ekonomikun dhe mjekësinë),  mbase do të kuptonin se në të vërtetë, zgjedhja është ndikuar nga reputacioni që këto degë kanë në përqarkun e tyre, më shumë sesa një bindje e aplikantit për të qenë në të ardhmen një jurist, ekonomist apo mjek.

Tregu i punës në Shqipëri është i varfër. Punëdhënësi më i madh vazhdon të jetë shteti, dhe ai është i tejmbushur me profesionet e sipërpërmendura.

Nga sektori privat, bankat, kompanitë celulare, firmat e shërbimit, ato të importit dhe eksportit janë punë-ofrueset më të mëdha. Por siç shihet, juristët dhe mjekët këtu dalin jashtë loje. Jo se  nuk ka, por nga një mijë juristë që diplomohen çdo vit në Shqipëri, zor se ka po kaq vende pune që do të hapen për ta në sektorët që kërkojnë punë, e që nuk përputhen me ofertën e diplomave universitare.

Deri më tani, zgjidhja e degës së studimeve në Shqipëri është bërë rastësore, e lënë gjoja në dorën e maturantit, por që në fakt është i ndikuar rëndë nga shumëçka, vetëm nga tregu i punës jo. Prindërit, shoqëria, media, gjithkush ndikon në finalizimin e idesë se cilin profesion duhet të zgjedhin 18 vjeçarët, kurse ata vetë, duket se kanë fare pak mundësi të analizojnë se cilin profesion duan vërtet; atë që duan të tjerët apo atë që duan vetë? Në është kjo e fundit, pse e duan atë profesion; sepse është në modë apo sepse të siguron më shumë shanse punësimi? Për “aftësi në ushtrimin e tij” nuk mund të flitet, sepse ato duken vetëm pasi personi ka dalë në punë.

Kështu pra, zgjedhjet e gabuara të 18 vjecarëve çojnë në thellimin e hendekut të kërkesës dhe ofertës në tregun  punës, duke rritur papunësinë dhe dobësuar sistemin, përderisa të diplomuarit detyrohen të punësohen në vende që nuk kanë lidhje me formimin e tyre universitar.

Juridiku në vend të parë ka lidhje edhe me hiperbolizimin që i është bëre degës dhe karshillëkut nga universitetet private. Por, si për të, si për të gjitha degët e tjera, së bashku me udhëzimet dhe formularët për maturën dhe pranimet në Universitet, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës duhet të bëjë edhe fushatë intensive informimi dhe ndërgjegjësimi për gjendjen aktuale të secilës prej degëve universitare dhe lidhjen e tyre me tregun e punës.

Në rast të kundërt, universitetet tona do vazhdojnë të prodhojnë juristë, maturantët do vazhdojnë të pretendojnë të bëhen të tillë, e pavarësisht nëse do përcaktohen kuota, ata sërish do ta gjejnë mënyrën që të bëhen se s’bën juristë “se është degë shumë e kërkuar nga studentët”.

Kjo është e gjitha çështje politikash. Dhe për fat të mirë, nuk është e pa-menaxhueshme!

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Shqipja e vrarë Port-pritje kuptimplotë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: