Port-pritje kuptimplotë

10/08/2010 at 19:44 Leave a comment

“Dy orë me vonesë. Due ore, Dy, Due. Kupton?! Dy ore?”.
Ngjarja zhvillohet në fundjavë, në portin e Vlorës. Punonjësi i portit, veshur civil, përkulet mbi xhamin gjysëm të hapur të një volkvageni të kuq me targa të huaja, që përpiqet të çajë turmën e njerëzve për t’u futur në port. Njeriu pas timonit duket i kapur në befasi, i çoroditur, i trembur, dhe më plak nga ç’mund të jetë në të vërtetë.

“ O, ik pas ore tutkun. Merr vesh ti apo jo? Due ore me vonesë trageti për Brindisi. Ka ardhur me vonesë sot. Ik tani, hap rrugën, se do dalë shefi”

Përballë tij hapet postblloku i vogël i hyrjes, dhe i huaji me sy të çmeritur, i jep menjëherë gaz makinës të bëjë përpara. Por më i shpejtë se ai është shoferi që vjen përballë, ai që me sa duket mbart shefin, (njërin prej të shumtëve) dhe del serbes-serbes nga porta e hyrjes. Pas tij, hekuri bllokues bie sërish rëndë në vend.“Po sqaroje atë o Tiku. Thuaji të bëjë prapa, se bllokoi qarkullimin”. Ai që bërtet tërë kompetenca ka veshur një bluzë të bardhë, të thjeshtë fare, dhe një kapele që e ka kthyer as së mbari, as së prapthi. Është njëlloj me atë të tre-katër meshkujve të tjerë vërdallë hyrjes së portit. Mesa duket, qenka uniforma e shtrenjtë e shtetit.
“Po nuk ikën o vëlla. S’më merr vesh as shqip, as italisht. Ca , do mësoj anglisht për të unë tani? S’kam punë tjetër”?

I huaji rri i gozhduar aty. I tregon edhe një herë Tikut një copw letër të verdhë, të madhe, ku ishte e pamundur të mos vihej re “Vlorë-Brindisi, ora 11.00”. Dhe zotëria kishte ardhur në port tamam në kohë për të bërë kalimin e makinës së vet për në tragetin e radhës, që fatkeqësisht, kishte ardhur me vonesë. Ishte akoma plot me pasagjerë (që nga porta e daljes jepnin tjetër shfaqje), dhe Tiku nuk dinte si t’ia katranoste te gjithën këtë.
M’u duk shumë e gjatë si skenë komike, ndaj u avita tek makina e kuqe, të ndihmoj bashkëqytetarin tim që e kanë caktuar të punojë në port, por nuk ka kohë të merret me gjuhët e huaja, por edhe mysafirin që me siguri bën pjesë në trilionë turistët që më tha dy ditë më parë kryeministri se kanë vizituar vendin tim. Doja pra të bëhesha shpengesa gjuhësore e Tikut dhe sqaruesja e munguar e informacionit që shteti im s’ka mundësi të ofrojë në raste të tilla qesharake.
Shoferi mbylli xhamin e makinës me furi dhe më ka hedhur vështrimin më armiqësor që më kanë ndeshur ndonjëherë sytë. Përbri tij, zonja shumë më e re dhe e qetë sesa ai, u mundua të lexonte vajtjen time tek xhami. Shpjegova nç anglisht, më shkurt se ç’duhet se nisja e tragetit mesa duket është e vonuar, kështu që ata do të duhet të gjejnë ndonjë mundësi zbavitje në Vlorë për dy orë, deri sa të lirohej hyrja në port. Kjo u shoqërua më gjeste duarsh, dhe e bëri çiftin në makinë të besojë se Tiku po përsëriste veten nëpërmjet meje. S’e kuptuan ç’gjuhë iu fola. Xhami i hermetizuar dhe frika e tmerri i mos-sqarimit në sytë  e tyre, nuk i la të kuptonin asgjë.
Hoqa dorë po aq lehtë sa mora iniciativën për të ofruar ndihmën e pa-kërkuar, dhe treta sytë nga turma e njerëzve që vinin nga trageti. Telefonat nuk mbaronin, deri sa mbaruan paratë e tarifës ndërkombëtare për familjarët që prisnin të zbrisnin, dy orë me vonesë.
“O ti, ore, o,  kur do zbresë autobuzi tjetër nga trageti”? Një vajzë që tundte mizorshëm bishtin e pakrehur të flokëve me maja para meje, nuk mori as përgjigje, as vëmendje nga stafi bluzë-bardhë i portit. Ndërkaq, sheshi përpara tij ishte mbushur më shumë se kurrë me njerëz, makina, kamionë e motorë, bllokuar të gjithë nga volkgvageni i kuq që vazhdonte të rrinte si i humbur në mes të turmës. Filluan të dalin makinat e para nga trageti. Turma e njerëzve në pritje mezi çahej. Pas dy të parave, i treti në radhë mendoi se kalimi tjetër ishte bosh dhe makina e tij eci shumë më shpejt se gjykimi, për ta gjetur veten përballë volksvagenit të kuq që me sa duket, vendosi t’i presë mu në mes të rrugës së hyrjes dy orët e tij të vonesës.
Emigranti i sapoardhur i ra borisë. I huaji po ashtu. Shtyu pas, sugjeronte shqiptari. Je kundra-vajtje, s’lëviz që këtu, nënkuptohej të shpjegonte me gjeste i huaji. Pas tij, turma e njerëzve pritës vazhdonte të rritej. Përballe, makina e emigrantit të sapoardhur u pasua nga një lumë të tjerash që kërkonin dalje të shpejtë.  Përfundimisht, jo makinat, por as njerëzit nuk kishin mundësi as të lëviznin, as të shihnin, as të merrnin frymë në sheshin e vockël pritës të portit të dytë në vend. Shesh rrethuar me ndërtesa të të gjitha formave e lartësive, që s’kishin lënë jo vend parkimi, por as qarkullimi në dalje të atij që shërben si prurës dhe shpurës konsumatorësh që do i bënin fitimprurëse këto ndërtesa dhe pronarët e tyre në Tiranë.
“O maaaaa, nuk duroj dot më!” Ankesa u shoqërua me një të qarë të pa frenuar. “Ja prit, se erdhi vëllai. Do vemi në shtëpi, hë të keqen mami”. Sa të vinte vëllai i qaramanes që s’dukej të kishte më shumë se pesëvjec, mund të duhej edhe një orë. Sa të dilje nga trafiku i portit të Vlorës dhe  zonës së Ujit të Ftohtë, edhe një orë tjetër. Pashë më pikëpyetje në fytyrë nga e vetmja ndërtesë që ishte ngjitur me postbllokun, një bar i dalë boje. “Vetëm për klientët” – u përgjigj buzëvarur një grua e rënë që s’dukej shumë e mërzitur nga pritja e gjatë për klientë në lokalin e saj të boshatisur, edhe pse ngjitur me të, njerëzit shtyheshin me sytë nga porti.
“Pasagjerët që janë me autobus do të zbresin këtu, se ata kanë hipur, kurse autobusi jo, se s’kishte më vend mbrëmë trageti. Valixhet ua kanë vënë në një fugon. Nuk e di në cilin fugon. Jo, pasagjerët nuk e dinë që autobusi nuk është në traget. Po, pasagjerët e të dy autobusëve kanë hipur. Do vonohen ca”.
Me shtimin e lëvizjeve gjatë gjithë vitit, Vlora i ka shtuar mënyrat e saj të komunikimit në transportin e udhëtarëve me Italinë. Nëpërmjet portit, sigurisht, por tashmë, përveç makinave dhe pasagjerëve të rastit, në traget hipin edhe autobusë që i mbledhin pasagjerët diku jashtë portit, hyjnë në të, hipin në traget dhe me zbritjen në brigjet italiane, marrin rrugën për të destinacione të ndryshme në Itali, kryesisht në qytetet e mëdha. Në kthim bëjnë të njëjtën gjë, dhe kjo është parë si një mënyrë e mirë udhëtimi nga shumë shqiptarë që nuk duan të bëjnë qindra kilometra me makinë, apo që nuk e duan udhëtimin e ndërprerë me tren e me një mal me valixhe pas vetes.
Prandaj te porti njerëzit cuditëshin me mos-ardhjen e autobuzëve me të cilët të afërmit e tyre kishin udhëtuar deri në Brindizi, por që më pas, kishin ngelur atje. Pasagjerët vetë nuk dinin gjë. Dhe vazhdonin të kërkonin në traget fillimisht autobusin, pastaj valixhet  e tyre. Askush nuk jepte informacion, as këndej, as andej portit.
Më në fund, bashkë me makinat, filluan të dilnin edhe disa pasagjerë që tërhiqnin të lodhur e të dëshpëruar valixhet e shumta që duhet t’i nxirrte autobusi nga porti, brenda të cilit, jo vetëm që nuk lejohen familjarët, por as nuk ofrohet ndihmë për pleqtë e rraskapitur, apo nënat me fëmijë e me 7 çanta përreth.
Kur stresi i lëvizjes u bë i padurueshëm, një qytetar që me sa duket ende pëlqen të besojë tek shteti i vet, merr në telefon policinë, duke i treguar i shqetësuar se situata në hyrjen e portit është e pa-tolerueshme. Në të vërtetë, brenda shumë pak minutash, një makinë  e policisë rrugore u duk tek sheshi i vogël. Me mundime të mëdha, punonjësi i policisë që doli prej saj, sprapsi ca njerëz, edhe ca makina, bllokoi ca të tjera, iu fishkëlleu disave, iu bërtiti disa të tjerave, përzuri edhe Tikun që i tregonte me gisht Volksvagenin e kuq që kishte bllokuar hyrjen, dhe së fundmi, jeta filloi të rrjedhë sërish në atë hapësirë të vockël e të  pakuptimtë në hyrje të portit.
Kur më në fund, familjarët e të gjithëve filluan të gjendeshin mes dy anëve të hekurit ndarës të këndej dhe andej portit, mallin e të tërëve e kishte çzhuritur gjendja në sipërfaqen e vogël të portit, ku brenda fare pak orësh, tradhtohen të gjitha shpresat se komunikimi, informimi, mirësjellja dhe qytetaria kanë gjasa të zënë vend ne vendin aspirant për në BE.
M’u deshën dy orë të tjera të lë Vlorën nga porti, deri tek dalja jugore e saj, në tunel. Kurse gjullurdinë njerëzore të portit, zor se do e lë dot pas edhe për disa vite të tjera.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Shqiptarizëm. Tags: .

Meritë studimi nën dritë punësimi Shqipe e pasur në Himarë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: