Shqipe e pasur në Himarë

17/08/2010 at 18:57 1 comment

“Bëjnë 500 lekë. Efkaristo… Faleminderit. Doja të thoja FALEMINDERIT” Shitësja e dyqanit të vogël të aksesorëve poshtë shtëpisë së pushimit flet prerë dhe i mëshon me inat shqipes, por të paktën nuk duket aq e tmerruar sa të premten në mëngjes, kur në Himarë nuk flitej për tjetër gjë veçse vrasjes së një të riu himariot dhe zënien e rrugës nacionale. “E vranë se fliste greqisht moj, e kupton ti apo jo”? Jo, nuk e kuptoj. Nuk ka si ta kuptoj një gjë të tillë as si akuzë, as si shkak. “Po mirë, pse greqisht ? Ai ishte shqiptar. Gjuha e tij e nënës është shqipja”. Shitësja më sheh me më pak dashamirësi  se një vit më parë . “Po greqisht se jemi mësuar me të. Ajo është bërë si gjuha jonë”.

Nuk është vetëm ajo. Në gjithë zonën e bregut ngjarja ishte irrituese, por nuk u pa, as nuk u interpretua ashtu siç vjen nga mikrofonat e Tiranës. Himara, së bashku me fshatrat dhe plazhet përreth, gjenden tashmë mes dy zjarreve përherë e më në ndezje. Politikisht, zona me banorët e saj shfrytëzohen sipas rastit nga minoritarët, opozitarët dhe ndërkombëtarët. Nga ana e biznesit dhe e turizmit, zona ka parë një hov zhvillimi që ka një burim të vetëm; targat e Tiranës.

E megjithëse personi që aksidentoi një të ri himarjot gjoja për gjuhën ishte nga Vlora, mërzinë e saj nuk e mbajnë vetëm vlonjatët, por shumica dërrmuese e pushuesve që ndodhen në Breg. Po të mos ishin pushuesit e ardhur kryesisht nga Tirana, as Himara, as ndonjë nga zonat rreth saj nuk do të kishin njohur bumin e të ardhurave për një muaj të vetëm në vit. Për shkak të kësaj kërkese të madhe për hotele e shërbime, bregasit kanë filluar të kthehen masivisht nga Greqia e të ndërtojnë hotelet e tyre private neper toka kudo gjatë bregut, sado i humbur të jetë dukur më parë cepi ku e ka pronën. Kërkesa për akomodim është vërtet e madhe, rrjedhimisht më shumë vendas kanë ardhur t’i përgjigjen kësaj kërkese, duke ofruar shpesh kushte akomodimi turistik që lënë shumë për të dëshiruar, por për çmimin konkurrojnë plazhet e Kroacisë apo të Greqisë.

Sidoqoftë, largimi i pushuesve nga Durrësi e dyndja e tyre drejt bregut në tre-katër vitet  fundit, i ka bërë himariotët që jo vetëm të kthehen në vendlindje muajt e verës, por madje të kthehen aty për biznes. E duke qenë se konsumatori dhe prurësi më i madh i fitimeve të tij është shqiptari i ardhur kryesisht nga Tirana, edhe gjuha ka filluar të ndryshojë si me magji. Deri vitin e kaluar, edhe klientit i drejtoheshin greqisht, e madje me mburrje. Sot përgjigjen në shqip,e mundohen të të mbajnë edhe në humor me ndonjë bisedë të rastit. Kurse pas vrasjes së të premtes së kaluar, dyzimi i gjuhëve duket se i ka vënë në dilemë të madhe himariotët. “Efk-Faleminderit, faleminderit. Me fal”.

Për ata pesë vetë që mund ta kenë vërtet greqishten gjuhën e nënës, përgjigja në shqip do ishte mirësjellje. Kurse rikthimi i shqipes për ata që e kanë shitur atë për një copë bukë, është thjesht i mirëpritur.

“llëkë-llëkë-llëkë-llëkë” iu drejtua të vëllait në holl një vajzë në të 20-at. “Po folët edhe një herë greqisht mes jush, nuk shkelim më në këtë hotel”-reaguan dy pushues. “I kërkova të më sjellë syzet”-uli sytë me nerva vajza me dy prindër shqiptarë, me emër e me mbiemër shqiptar, që pretendon se e ka harruar shqipen, meqenëse paska ikur që 10 vjeçe nga Shqipëria.

Në plazh situata duket më acaruese se gjithkund tjetër. Aty fëmijët i drejtohen njëri-tjetrit kryesisht në gjuhën e fqinjëve dhe asnjë prind nuk shqetësohet t’iu flasë në gjuhën  që vetë ata duhet t’iu kultivojnë. Të njëjtët prindër e të njëjtët fëmijë, kur kthehen në banesat e bizneset e tyre, e ligjërojnë shqipen e e fshehin greqishten skutave ku të mos e gjejnë më sa të ikin klientët. Paratë i duan. Edhe klientelën. Edhe zhvillimin. Edhe rrugët, i duan fort e të shtruara mirë. E tani kanë filluar të shohin se tek e fundit, mirëqenia po vika nga Tirana, e jo nga Athina.

Vrasja e të premtes ishte e shëmtuar, nëse ishte vërtet vrasje. Nëse ishte aksident, sërish është fatkeqe dhe e shëmtuar, si të gjitha aksidentet që e kanë bërë Shqipërinë të ketë bilanc vdekjesh sikur të jemi në luftë. Ama përdorimi i vrasjes për motive politike në Tiranë e në qarqet minoritare që përdoren për qëllime personale, me shumë se fatkeqe, është qesharake dhe shumë dashakeqe.

Himariotët kanë vetëm hallin e zhvillimit të zonës së tyre, rritjen e të ardhurave dhe ruajtjen e statusit të veçantë që kanë si një zonë me një farë zhvillimi të mëvetëm e përpara pjesës tjetër të vendit. Kjo e fundit vështirë të jetë më privilegj si dikur, po pretendimi i parë po, ka shumë kuptim. Prandaj edhe greqishtja e tyre e fituar me një pension qesharak e me ca privilegje-karamele greke në dy dhjetë-vjecarët e parë të demokracisë, po shkon tani atje ku i takon; në vendin fqinj.

Përdormi i justifikimit se gjoja i ru himariot u vra për greqishten mund të jetë një shkak i shpikur me mjeshtëri nga grahma-fundësit që kanë pretendime absurde për grekëzimin e Himarës. Mbase ngaqë vërtet kanë ndjerë frikën e zhdukjes kaq shpejt të greqishtes nga përdorimi masiv, nxitësit e saj fabrikuan motivet e aksidentit të javës së kaluar. Sepse vetëm gjendja nën frikë dhe presion të nxit të politizosh kaq shumë ngjarjet.

E vërteta është se politika në këtë mes nuk hyn aspak. Jo më. Politika pro-greke po, mund të ketë hyrë në momentin kur u vendosën pensionet, subvencionet dhe privilegjet vite më parë, tek mundoheshin të grekëzonin çdo shqiptar të varfër në Breg. Kurse sot, targat nga Tirana, shpenzimet masive në breg, “pushtimi” i tij nga shqiptarët dhe paratë e lëna aty, i kanë bërë bregasit të kthehen vetvetiu e t’i shërbejnë punës së tyre. Gjuhës gjithashtu.

Himara është shumë mirë në gjendje t’i mirëmbajë pesë minoritarë. Edhe t’u japë atyre poste (por jo policë, se nuk do i shërbejë 4 minortarëve të tjerë ai, por gati një milionë shqiptarëve që shkojnë të shpenzojnë në zonën ku ai është mik prej disa shekujsh).

“S’të flas më greqisht, se ju të gjithë mërziteni. Po s’e kuptoni se gjuha është kulturë. Sa më shumë gjuhë të dish, aq më shumë literaturë do mund të lexosh” – i vuri kapak deklaratave të saj shitësja bregase. “Bën mirë të lexosh edhe Shekspirët pra, se sot më shumë të duhet gjuha e tyre. Nesër në hotel do kesh lloj-lloj kombësish, asnjëri prej të cilëve nuk lexojnë literaturë greke. Ama gjuhën e Shekspirit, tre fjalë këtu, e pesë atje, e di shumëkush në botë. E sa të shkosh aty, mbaju shqipes, se klientë grekë në hotelin tënd nuk ke për të pasur ndonjëherë”!

Buzëqeshi. Nuk jemi ankuesit e parë për falsitetin e greqishtes. Mbase i vjen edhe pak inat që s’është më avantazh të flasësh gjuhën e fqinjit. Por buzëqesh, sepse nesër dëshiron të na shohë sërish tek kasa e saj jo-fiskale. Dhe ky kusht, sot për sot flet vetëm një gjuhë: SHQIP!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Port-pritje kuptimplotë Paralelizëm arsimor

1 Comment Add your own

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: