Bërrylat politike, dhimbjet qytetare

27/08/2010 at 10:34 Leave a comment

“Të gjithë duhet të kenë një shans për t’u punësuar, pavarësisht prejardhjes së tyre sociale apo akademike. Shansi duhet t’iu jepet të gjithëve”. Ky është një parim i njohur për manifestot e partive politike në pragje fushatash kudo në botë. Shqipëria nuk bën përjashtim. Por së fundmi, duke marrë shkas nga mungesa e transparencës në disa emërime bërë apo ndikuar në shkallë të ndryshme nga qeveria e koalicionit në Britaninë e Madhe, shtypi vendas ka filluar të shqyrtojë nënvlerësimin e cilësive individuale, siç janë aftësitë dhe kompetencat e veçanta, dhe zëvendësimin e tyre në shanset për të gjetur punë me shpërndarjen e pasurisë dhe të pushtetit në zonën ku kërkohet puna. Pra, ajo që ndryshe quhet “lëvizja sociale” nxitur nga liberal-demokratët në një qeveri me dominancë të fortë konservatore, po shndërrohet sipas shtypit britanik në një kërcënim të ri për “ndershmërinë” në tregun e punësimit në vend.

The Economist ironizonte dje: “ Funksioni i vetëm i qeverisë, me sa duket, është që të sigurohet se cilido pushtetar që ka bërryla të fortë, do të përfitojë patjetër një shans “të ndershëm” për t’i përdorur ato”.

Kur ky shqetësim ngrihet në Angli, ç’mund të thuhet për Shqipërinë?

Dy partitë që janë sot në pushtet, kanë premtuar në total hapjen e 260 mijë vende të reja pune (100 mijë modestisht LSI, 160 mijë me plot gojën PD).

Si është gjendja reale? Rreth 145 mijë të papunë të regjistruar në vend, plus mijëra të tjerët që nuk e kanë idenë se duhet të regjistrohesh si punë-kërkues, që të quhesh zyrtarisht i papunë nga qeveria.

Po c’përpjekje ka bërë ajo për t’i punësuar njerëzit? Të gjitha! S’ka lënë më gur pa lëvizur. U mbush vendi me fabrika, punishte, ndërmarrje, sipërmarrje, prodhimi s’di të ketë të mbaruar, investimet e huaja janë të papërballueshme, mirëqenia dhe punë-zënia na kanë mbytur gjithandej. Janë futur njerëzit në katër-pesë punë, se nuk ka kush t’i bëjë të gjitha. Vendin e ka zaptuar një valë zhvillimi që nuk ka të ndalur. 10 njerëz janë punësuar për të hartuar konceptin e flamujve prej plasmasi gri e blu që janë vendosur nëpër Tiranë; 10 për të xhevahirosur tabelën gjigante mbi Muzeun Kombëtar, ku emri i kryeministri i lë më bisht në shalë funksionin e tij dhe emrin e nënë Terezes bashkë. Po, janë punësuar edhe 10 të tjerë që ta ngjisin tabelën mu në ballë të kryeqytetit. E janë punësuar edhe 100 apo një mijë të tjerë që t’i bëjnë fresk doktorit duke i treguar përralla me mbret nga Shqipëria e Nënë Terezës, që është edhe anëtare e NATO-s.

Punë të tjera?! Ka plot. Përditë sheh rrugëve të Tiranës e në qytetet kryesore staf nga zyrat e punësimit që u luten njerëzve të shkojnë në punë, se lista e vendeve të lira është e frikshme. Ku do i gjejmë njerëzit? Se vendet e punës i kemi si pikat e shiut.

Po qeveria jonë po tregohet ku e ku më efikase sesa ajo e Cameronit në dhënien e shansit njerëzve të saj për të treguar se kush i ka më të fortë bërrylat.

Urdhri i një pushtetari anulohet nga tjetri. Konkurrenca e bërrylave ka arritur deri aty sa kolegët nuk i thonë më as “Mirëmëngjes” njëri-tjetrit, nga bindja e plotë që ka gjithsecili se i pari duhet të flasë tjetri, “meqë unë vetë jam më i rëndësishëm”.

Për një vend pune, një herë të thonë që duhet të kesh miq në PD, pastaj në LSI, pastaj në të afërmit e pushtetarëve, pastaj të jesh pushtetar vetë.

Ndoqa me vëmendje itinerarin e një nëne të re, bashkëshortin e së cilës e kishin pushuar nga puna, “se ka ardhur lista e zëvendësimeve nga Partia”. Në mungesë të tij, po kërkonte edhe ajo punë. Arsimi përkatës nuk iu mor parasysh. As kërkesa për punë. As argumentimi i saj se të paktën, kishte të drejtë të konkurronte për një vend që kishte dëgjuar se ishte hapur diku.

Jo. Nuk e mori fare shansin për të provuar sa të fortë e kishte mendjen, sepse shansi jepet vetëm për të provuar kush i ka më të fortë bërrylat.

Shqipëria nuk është fare vend i përshtatshëm për të duruar pushtet dy-mandatësh radhazi, cilido qoftë krahu politik. Në 2005-ën, socialistët nuk humbën se shqiptarët i kishte marrë malli për Sali Berishën; por sepse iu kishte ardhur shpirti në majë të hundës me anarshinë politike, publike, sociale e me rrumpallën administrative që kishte kapur  qeverisjen e Nanos, me të gjithë shërbyesit e tij.

Po të paktën ajo anarshi dhe uzurpim i çdo qelize burimore u bë në fund të mandatit të dytë. Kurse konkurrenti i Skënderbeut dhe Nënë Terezës, kryeministri im i dashur, e ka shndërruar Shqipërinë në një kazan kanaçesh, ku çdo bërryl-fortë shtyhet fort e më fort të marrë sa më shumë kanaçe të mundet.

Kanaçet janë njerëzit, pronat, fondet publike, financimet, vendet e punës, mirëqenia e përqendruar në një grusht.

Po ç’rregull pritet të ndiqet në Shqipëri për mos-përdorimin e bërrylave, kur ata përbëjnë të vetmin mjet për të përcaktuar trajektoren e individit, shtypjen në ndryshimin e modeleve që favorizojnë grupe të caktuara që nuk e ushtrojnë “bërryl-shtyrjen” dhe ndryshimin e mënyrave të punësimit në funksion të tregut, jo të konsumatorëve politikë të tij?

Edhe duke lënë mënjanë të gjitha arsyet politike apo boshësinë e alternativave, është e vështirë të mos e vësh re marrjen e frymës që bërryl-shtyrja qeverisëse aktuale po i bën shoqërisë. Ndaj duket qashtër, më qartë se përmasa gjigante më të cilën është shkruar emri i kryeministrit, se Shqipëria ka nevojë për ndryshim kollareje. Madje, jemi edhe mbi një vit me vonesë për ndryshimin!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Shqiptarizëm, Sociale. Tags: .

Paralelizëm arsimor Tallje me koncesion

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2010
M T W T F S S
« Jul   Sep »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: