Çifti i dështuar media – politikë

15/09/2010 at 19:24 Leave a comment

Nisa të shkruaj një artikull për gjendjen e nderë në të cilën gjenden mësuesit sot; disa emërohen, disa shkarkohen, të tjerë nxirren nga sistemi, shumica nuk futen kurrë. Kurse kryeministri thotë se rrogat e tyre janë katërfishuar.

Por hoqa dorë nga ideja e artikullit, sepse prej tij nuk përfiton askush. As nuk skuqet. As nuk zverdhet. As nuk reagon. Askush!

Pastaj mendova të gërmëzoj shqetësimin për procedurat burokratike të licencimit sezonal që ngritën një grup qytetarësh të irrituar sa nga kostoja e lartë e kredisë për bizes të vogël, aq edhe nga tatim-taksat që iu bien në shpinë, edhe pse operojnë si  biznese sezonalë. Por edhe kjo temë nuk ka potencial të tërheqë vëmendjen e ndokujt, ndaj e bashkova me të parën dhe e lashë mënjanë.

M’u duk shqetësim për t’u ngritur edhe abuzimi me çmimet e naftës që nuk njohin asnjë luhatje. Nga nafta do përfundoja tek monopolet që në fakt nuk i zotëron shitësi i karburantit, as pronari i pikës ku ai punon. Pra edhe kjo teme do përfundonte në kosh.

Po cila temë do kishte efekt po të trajtohej në media? Dhe nga ana tjetër, çfarë efekti ka media në politikë dhe në shoqëri?

Sot? Asnjë!

Jo vetëm temat që shqetësojnë mua apo ndonjë grup qytetarësh që besojnë akoma tek drejtpërdrejtësia politike, por asnjë temë, për be, as ato që ngrihen nga politikanët vetë, nuk kanë më asnjë efekt. Pse?

Se fjalë që i merr era. Të gjitha. Akuzohen ministra, deputetë,familjarë të pushtetarëve. Hiç. Asnjë efekt. Flitet për miliona euro, miliarda lekë, shpërdorim të fondeve publike, shitje të Shqipërisë (shqiptarëve që janë në pushtet). Hiç. Asnjë efekt. Të gjithë politikanët dalin në ekran, thonë diçka, ikin, dalin prapë, thonë një gjë tjetër. Ngrihen kundërshtarët, thonë edhe ata, bëjnë sikur shajnë,sikur tregojnë letra, sikur zotërojnë fakte. Hiç. Asgjë!

S’është çudi që Albana Vokshi u harrua e Majlinda Bregu po ashtu. Tek e fundit, për koncesione hidrocentralesh u akuzuan. Por iku edhe Dritan Prifti e do harrohet edhe ai, me  gjithë akuzat për milionat që nxori nga miniera e përmbytjeve, e me gjithë silurat që drejtoi për çmimin e një doze lënde të ndaluar ligjërisht, përdorur nga udhëheqësi i opozitës.

Do harrohen edhe këta, siç u harrua se dikur, Berisha mendonte se Nano është padron i krimit. Po atëherë Berisha ishte i vetëm padron i ekraneve dhe akuzat e fjalët e tij ndonjëherë edhe zinin vend (Nano ik prandaj lindi si lëvizje).

Kurse sot? Kë të besosh më parë? Eduard Shalsin, Ermonela Jahon, Armela Imerajn, Erjon Bracen, Olta Xhacken, Albana Vokshin, Majlinda Bregun, Erla Mëhillin? Jo, nuk ke kë të besosh më. E jo vetëm këta që nuk besohen, po as media vetë nuk besohet më (jo se ka humbur popullaritet në besueshmëri, por nga zero, ka shkuar në minus  besueshmëria në të).

Dhe gjithë të mësipërmit, se bashku me kolegët e tyre, janë kontribuuesit më të zellshëm të humbjes së besueshmërisë tek media. Tek politika po e po, por edhe tek media gjithashtu.

Nëse akuzat bëhen publike e shpallen sikur të jenë vendime të GJND-së, e brenda 24 orëve harrohet se c’është thënë, ç’besim mund të ketë publiku tek akuzat e bëra? Po tek media, që nuk dihet përse e lejon veten të bëhet megafon i shakave të tilla pa kripë?

Politika shqiptare ka krijuar një klan të vetin, pjesë e të cilit janë të majtë e të djathtë pa dallim feje, krahine, ideje e as morali publik. Kanë një emërues të përbashkët: pushtetin dhe përfitimin maksimal prej tij, pavarësisht kostos.

Kush është kostoja? Publiku. Qytetarët. Çdo kohë-marrje me problemet personale të politikanëve, shashkat e hedhura e të mbuluara brenda pak orësh nga të dyja palët, vonojnë punën dhe progresin normal të ecurisë politike në shërbim të qytetarëve.

Çfarë kanë përfituar qytetarët nga shkëmbimet qesharake të akuzave në media së fundmi? Përveç humbjes totale të besimit , madje deri në marrjen zët të politikës e të medias, kanë përfituar gjë tjetër?

Dhe përse media është shndërruar në një përsëritës të shëmtuar të deklaratave politike? Në vend që media të tërheqë politikën drejt angazhimeve me interes publik, është politika ajo që e tërheq për hunde median, me historitë boshe që prodhon e zhduk përditë.

Shqetësimi pra është disa-planesh. 1) Politika ka shkuar ku nuk mban më me shëmtinë e saj 2) Media është keqpërdorur aq shumë, saqë ka humbur thellë besueshmërinë tek publiku 3) Çështjet që prekin jetën dhe përditshmërinë e qytetarëve (arsimi, transporti, shëndetësia, punësimi), nuk përbëjnë më asnjë lajm e nuk zënë asnjë radhë vend në media (përveç rasteve kur për to prononcohen politikanët). 4) Edhe nëse në media përmenden çështje të tilla që ngrenë shqetësime qytetare dhe që kanë interes publik, zor se ka ndonjë politikan që ta lexojë apo t’i skuqet faqja nga një artikull gazete apo kronikë televizive.

Shkurt, lëkura shollë politikanëve tanë (edhe vartësve e freski-bërësve të tyre në çdo cep të vendit). “Ja e shkrove një artikull, e ca do më gjejë mua”? Në majë të gjuhës është kjo përgjigje jo vetëm në administratë, por edhe në sektorin privat.

Kanë të drejtë, sepse toni me të cilin politikanët kanë akuzuar njërit-tjetrin, tashmë do kishte ndërruar gjithë qeverinë e do kishte sjellë në pushtet një forcë të padukshme, që del mbi partitë e sotme. Po ja që nuk ndodh asgjë, e kjo thjesht i jep zemër gjithkujt të besojë se sot mund të thuash, shkruash, transmetosh ç’të duash, ndaj kujt të duash e kur të duash. Ty si autor mund të të gjejë ndonjë gjë, kurse të akuzuarin, jo. Të gjithë gëzojnë shëndet të plotë e pozita më të forta se kurrë.

Kurse media, vazhdon të jetë më e bindur se një robot e më e palëvizshme se një manekinë.

Po ç’rol duhet të luajë ajo?

Kjo duhet shqyrtuar vetëm kur media të mos jetë më vegël e politikës apo pre e interesave dritëshkurtër. D.m.th. pasi të ketë rënë borë në gusht. Në Shqipëri.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Media, Politikë. Tags: .

Avantazhet e arsimit jo-formal Ndëshkimi i mohuar i LSI-së

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

September 2010
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: