Kasat F

25/09/2010 at 21:07 Leave a comment

Dje në mëngjes u nisa nga shtëpia më herët se zakonisht. Dita në punë do fillonte ndryshe. Së bashku me mua, shoh makina të tjera që mbusheshin me fëmijë që shkonin në shkolla që i kanë larg shtëpisë. Në stacion të autobusit dukej sikur do të bëhej miting, kurse në xhade nuk dukej jo autobus, por asnjë makinë të vinte nga qendra.

Në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me unazën vargu i makinave ishte bërë i pakalueshëm. Në fillim mendova: “Patjetër ka polic në kryqëzim. Vetëm kur janë ata bëhet rrëmuja”. Ashtu ishte. Por jo një polic. As dy. Katër të tillë bënin lëvizje të pa-sinkronizuara tabelash, e kryqëzimi ishte bërë për të mos u parë me sy.

Autobuzat e unazës u futën në rrugën e Dibrës. Ishin të unazës. Nuk mund t’i ngatërroja, sepse janë këta jeshilët e rinj kinezë me kondicionerë dhe xhama kinemaje (siç thotë Bashkia). Pas autobusit të unazës, në rrugën e Dibrës u futën edhe të gjitha makinat që vinin nga rruga Bardhyl.

Në përpjekjet për të bërë ndonjë centimetër përpara në rrugën e Dibrës, u dëgjua fillimisht një sirenë policie. Pastaj shumë. Rrugën pak-kush e hapte dhe s’ka si të mos të të zërë shqetësimi për këtë mosrespektim qytetar të urgjencës së policisë. Për më tepër, nga makina të vogla, forcat policore filluan të vijnë me furgona të blinduar. Nga hamendjet, kalova në frikë. “Me siguri ka ndodhur ndonjë fatkeqësi apo vrasje. Ose ndonjë kërcënim i rëndë për jetën e qytetarëve”.

Makinat lëviznin shumë më ngadalë se breshka më e shpejtë dhe në sytë e të gjithëve nuk shihej padurim për të mbërritur aty ku ishin nisur, por një farë pasigurie dhe habie për situatën e krijuar.

Në rolin e qytetares frymë-shkëmbyese, pyes njërin prej policëve që mban në dorë nja tabelë që e lëviz drejtimin katër herë brenda sekondës. “Lëviz përpara, lere ca ka ndodhur! Është akoma shumë herët, por iu bie dy-tre telefonave që mendoj se mund të kenë një përgjigje. “Ka protesta për mos-vendosjen e kasave fiskale në tregun e Medresesë”….!!!

Në zyrë mbërrita më vonë se çdo ditë tjetër, gati një orë pas orarit zyrtar. Po kështu edhe të gjitha ata që ishin në trafik së bashku me mua. Edhe nxënësit mund të kenë kapur vetëm orën e dytë të mësimit.  Kurse tek medreseja vazhdon protesta për kasat. Aty është derdhur edhe e gjithë policia e shtetit.

Duke analizuar situatën, vonesat e shkaktuara në trafik si nga protestuesit, ashtu edhe nga rend-mbajtësit, kalojnë në vend të dytë. Dëmi për palën e tretë (qytetarët në lëvizje) u bë për të dytën ditë radhazi. Ama thelbi i çështjes vazhdojnë të ngelen kasat. I quaj “kasat f” sepse janë shumëfish të tilla. Kasa fiskale, fatkeqe, fitimprurëse për shtetin, falimentuese për tregtarët, falso për qytetarin, fryt-sjellës për buxhetin e shtetit. Të flamosurat kasa.

Historia është thikë me dy presa. Vendosja e kasave fiskale është një domosdoshmëri të cilës nuk mund t’i shmangen përgjithnjë as tregtarët, as shteti. Ato vendosin në shina qarkullimin e parasë brenda biznesit dhe shteti është rregullator që e ka për detyrë (edhe për kënaqësi) të kontrollojë xhirot e të vjelë taksat. Të përdorura për investime publike, ato do të çonin në përmirësimin e shërbimeve që ofron shteti.

Po kush na garanton që kjo është e vërtetë? Se ku shkojnë taksat e vjela dhe a mirë-përdoren ato, janë pikëpyetje që për momentin, është më mirë të lihen mënjanë.

Ana tjetër e medaljes, tregtarët e medresesë. Mund të ketë nga ata që kanë tre apo katër biznese të vogla dhe fitimet i kanë masive; por shumica e atyre që tregtojnë mallrat e lira e pa cilësi në tregun e medresesë, janë njerëz që vijnë nga familje me të ardhura minimale. Për ta, tregu është mënyra e vetme e jetesës. Në hapësirat që shpesh nuk janë as 2x2m, ata shesin për të përfituar atë shumë që mban në këmbë familjet e tyre. Vendosja e kasës do të ishte vërtet një paralizues për të ardhurat e tyre.

Si njeri që nuk ka asnjë simpati për tregjet e rrugëve (as për karriget që kanë zaptuar të gjitha trotuaret e bllokut), jam shumë pro vendosjes së kasave fiskale. Parë nën këndvështrimin ligjor, iniciativa mund të qëndrojë. Edhe estetikisht po ashtu. Çdo hap që ndërmerret për ta çuar ekonominë dhe biznesin drejt formalizmit, është për t’u përshëndetur dhe inkurajuar.

Ama e gjitha kjo duket shumë absurde dhe e paskrupullt në sytë e atyre njerëzve që hapësirën e pa-bukur të tregut të Medresesë e përdorin si burimin e vetëm për të ardhurat e tyre. Në atë pjesë të Tiranës, si tregtarët, ashtu edhe klientët, vijnë nga një shtresë e popullsisë që as nuk kanë fuqi të përballojnë dyqan në qendër, e as të blejnë rroba në “Myslym Shyri”. Ata njerëz kanë botën e tyre, që e kanë ndërtuar me aksiomën e thjeshtë “Sa kam jorganin, shtrij këmbët”.

Kasa fiskale i formalizon veprimet financiare të këtyre tregtarëve, dhe kjo është iniciativë shumë e mirë. Ama kjo ndikon direkt në rritje çmimesh (ndikues direkt në xhepin e qytetarëve të kësaj kategorie), dhe stimulon egër efektin domino në falimentimin e bizneseve që nuk do t’ia dalin dot as të blejnë kasën,e  jo më të mbijetojnë me të. Shteti shqiptar do të ketë kështu një numër më të madh njerëzish që dalin të papunë; një numër më të madh familjesh që iu priten të ardhurat, dhe një numër më të madh qytetarësh që do të bien pre e çmimeve në rritje.

E vërtetë, numri i tregtarëve nuk është aq i madh sa të pengojë iniciativën tatimore për vendosjen e kasave. Ama sado i vogël të jetë numri i tyre, alternativë për ta nuk paraqitet, dhe kjo është mungesë e theksuar përgjegjësie nga hartuesit e iniciativës për kasat.

Kujt i shërben e gjithë historia? Në periudhën afatshkurtër, i shërben arkës së shtetit, iniciatorëve të fushatës për vënien e kasave dhe pikave që kanë fituar të drejtën për t’i shitur ato. Të humburit fatkeqë në këtë mes janë tregtarët e vegjël, që në mungesë të ndonjë alternative për punë, merren me shitje kinkalerirash.

Kurse në periudhën afatmesme e afatgjatë, përfituesit shtohen. Përveç shtetit, edhe qytetari është më i sigurt për paranë që shpenzon, duke mos jetuar me frikën e abuzimit të çmimeve. Përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat janë të vetmet që mund të përballojnë vjeljen e taksave që “spiunon” kasa. Vendi do të ketë më pak dyqane 0.5m² dhe ka gjasa që edhe në tregti, Tirana dhe qytetet e mëdha të marrin një pamje tjetër.

Ama për momentin, ajo masë tregtarësh që dyqanin, hapësirën apo kioskën e vogël e kanë mënyrën e vetme të jetesës, do të goditen rëndë, pa mëshirë dhe pa asnjë mundësi shpëtimi nga ky detyrim.

Mbase këmbëngulja për vendosjen e tyre tani është e nxituar. Kasat duhen vënë vërtet, por të paktën, njëkohësisht me to, të ketë edhe alternative për sigurimin e jetesës për ata të mjerë që me tregtinë çojnë në shtëpi atë tufë lekësh që nuk e sigurojnë dot tjetërkund; as në sektorin publik, e as në atë privat.

Të flamosurat kasa duhen vendosur patjetër; por a ka këllqe shteti t’iu dalë për zot njerëzve që humbasin të ardhurat bazë për shkak të vendosjes së tyre?

Aktualisht, kasa-shitësit dhe mbikëqyrësit e tyre nuk duket se po shqetësohen shumë për këtë.

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Shqiptarizëm, Sociale, Vezhgim. Tags: .

Ndëshkimi i mohuar i LSI-së Dorëheqja, virtyt i panjohur në Shqipëri

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2010
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: