Dorëheqja, virtyt i panjohur në Shqipëri

28/09/2010 at 17:13 Leave a comment

“Dorëheqja është shprehje e denjë e kurajos. Jo gjithkush e zotëron atë” – Me siguri ish presidenti i Kosovës nuk ka pasur parasysh Bonapartin kur vendosi të japë dorëheqjen e tij, por çfarëdo që ta ketë detyruar atë ta ndërmarrë këtë veprim, shqiptarët e kësaj ane të kufirit e kanë përshëndetur pothuajse në kor.

Jo se iu vjen mirë që iku Sejdiu. Njohja me aktivitetin e tij akoma nuk është në nivelin që mund t’i bëjë shqiptarët e Shqipërisë të krijojnë një bindje për domosdoshmërinë e dorëheqjes së tij. Por thjesht akti i dorëheqjes është ndjekur me admirim. Pse? Sepse është shembulli i një veprimi që në Shqipëri pritet si dhuratë e çmuar në këta 20 vjet kaos.

Kosovarët mund të kenë rezervat e tyre për Sejdiun e mund të mos jenë dakord me mitizimin e dorëheqjes së tij. Ajo mund të jetë vërtet edhe një skenar i përgatitur nga dirigjentët e politikës kosovare. Por në publik procesi u shit shtrenjtë dhe e nxori Sejdiun të admirueshëm; presidenti i vendit shkel kushtetutën. Ky është vendimi i gjykatës kushtetuese dhe në respektim të saj, presidenti jep dorëheqjen.

Kaq mjafton për të krijuar një imazh admirimi dhe përshëndetjeje nga shqiptarët. Në Shqipëri, gjykata kushtetuese është shprehur shumë herë për shkelje të ligjit themeltar nga institucione apo nisma që kanë pas emra të njohur publikë. Por jo vetëm për dorëheqje që nuk bëhet fjalë, por as për respektim të gjykatës kushtetuese jo.

Imazhi i saj është lëkundur për shkak të sulmeve të pështira dhe përdorimit të ulët që i bën politika. Pesha e saj ka rënë, sepse vendimet që ajo shpall, akoma nuk kanë dhënë ndonjë efekt të përmasave të mëdha.

Me shpalljen “Antikushtetuese” të ndarjes së ujërave territorialë me Greqinë, duhet të kishin dhënë dorëheqjen Ministri i Jashtëm, ai i Brendshëm e Kryeministri bashkë.

Por kultura e dorëheqjes nuk njihet në Shqipëri. Është e thjeshtë përse nuk njihet: dorëheqja është virtyt i kurajozëve. Të tillë në Shqipëri nuk ka.

Churchill thoshte: “ Dorëheqja është një akt shumë i lartë. Politikanët e vërtetë nuk e japin kurrë atë pa menduar paraprakisht me rezerva për pasojat që ka nëse nuk e jep”.

A ka politikanë të tillë në Shqipëri, që në një moment delikat të kuptojnë se duhet të japin dorëheqjen jo për hir të tyre, por sepse në një mënyrë apo një tjetër, po iu shkaktojnë vuajtje të tjerëve? Zor se ka mendje të tilla në vend, që të mendoje se ç’po shkaktojnë me veprimet e tyre.

Dorëheqje (persona me kurajën për ta dhënë atë në një moment të caktuar), ka pak; Ben Blushi, kur grupi i tij parlamentar nuk iu bind teksa 6 deputetë votuan për presidentin e vendit; Ilir Rusmajli, kur një familjar duhet t’i nënshtrohej hetimit për përfitime të jashtëligjshme. Kaq! Dorëheqja e Nanos pas humbjes së zgjedhjeve në 2005-ën ka tjetër konotacion.

Berisha nuk e njeh dorëheqjen. Në Mars të 97-ës, në vend të saj, ai e rizgjodhi veten president. Sot, 13 vjet më pass, jo i dorëhequr, por është kryeministër me pretendime për të qenë sa të ketë jetën aty.

As Rama nuk ka kornizë dorëheqjeje. Po Rama nuk ka kurajo as të kandidojë, jo më të heqë dorë nga posti qeveritar (nëse e merr).

Dorëheqja është vërtet një art fisnik, që kërkon ose njerëz të zotët ta bëjnë atë, ose politika të forta që e rregullojnë situatën  në mënyrë të atillë që të bëjnë hero duke të ofruar mundësinë e dorëheqjes. Po kryeministri e ka pasur dhe nuk e ka shfrytëzuar këtë rast të artë. Edhe Rama. E pikërisht se nuk kanë guxim të dorëzohen, ata mbajnë peng një krokodil-ndjekës të tërë.

Është e vërtetë që politika ka vend për të gjithë. Por edhe këtu ajo i përshtatet thënies tjetër: “ Çdo njeri e ka fuqinë që t’i bëjë të tjerët të lumtur; disa e bëjnë thjesht duke hyrë në një sallë; të tjerët ua dhurojnë lumturinë të tjerëve duke dalë nga salla”

D.m.th. lumturia e shqiptarëve shtohet me futjen në politikë të personaliteteve, imazhi i të cilëve nuk është dëmtuar publikisht; por bëhet akoma më e madhe lumturia nëse nga kjo politikë e përdalë largohen (mundësisht pas bërë asnjë zë), ata që injorojnë kushtetutën, ligjin dhe interpretuesit më të lartë të tyre.

Në rastin e Sejdiut, dorëheqja mund të jetë vërtet e kurdisur nga kulimat politike. Po edhe në Shqipëri ka kulisa; ama dorëheqje jo.

Është fatkeqësi e vërtetë të kuptosh se nuk ka asnjë politikan kurajoz në pushtet. Edhe një që iku, as nuk e ndëshkuan publikisht (jo ligjërisht, se është detyrë e tjetërkujt); e as nuk pati vetë guximin “po, më hoqën, po do kishte qenë shumë më mirë të kisha ikur vetë”.

Utopi ta presësh, kuptohet. Por nëse dorëheqjet dhe shembujt e marrjes mbi vetë të përgjegjësive për shkeljen e ligjit nuk bëhen nga lart, nuk kemi si të presim zbatim e respektim të ligjit nga poshtë.

Dorëheqja cilësohet si zotësi e dikujt që lë mënjanë përfitimet për të shpëtuar nderin. Por pikërisht kjo është edhe fatkeqësia e politikës shqiptare: Nderi! C’është ai, kujt i shërben,përse ta zotërojnë e mbi të gjitha, çfarë përfitojnë politikanët po patën nder?

Dorëheqja e Sejdiut nuk është e thjeshtë. Çështja e Kosovës nuk është e thjeshtë. Në prag të procesit për bisedime të reja me Serbinë, e sapo-“përkëdhelur” nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por edhe nga OKB, Kosova sigurisht që është brenda kornizash që shtyjnë njëra-tjetrën. Por kompleksitetin e saj po e lëmë mënjanë, dhe po merremi thjesht me reagimin e një presidenti pasi Gjykata Kushtetuese ka thënë fjalën e saj.

Kjo kambanë duhet të bjerë në Tiranë. Për këdo që Kushtetutën e përdor si fletore bukurshkrimi e Gjykatën e saj e fyen apo injoron pa iu dridhur qerpiku.

A dobësohet imazhi shqiptar në Ballkan nëse ka dy dorëheqje të mëdha në dy shtete shqiptare brenda një muaji? Ose tre dorëheqje. Përveç pushtetarëve, edhe opozitarët të heqin dorë nga postet që kanë ndyrë. Po kjo është ëndërr (dorëheqja, se imazhi në Ballkan vetëm përmirësohet prej saj). Sikur!

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Koment. Tags: .

Kasat F Merita drejton preferencën

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2010
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: