Merita drejton preferencën

05/10/2010 at 19:24 Leave a comment

Teksa pritet të fillojë viti i ri akademik për nivelin universitar, studentët e rinj janë konfuzë për mënyrën se si përfundojnë nga një degë studimi në tjetrën, apo pse ngelen krejtësisht pa të drejtë studimi. Pas katër vitesh kur në vend, për pranimin në universitete (arsimi i lartë publik) merret si bazë parimi “meritë-preferencë”, në fakt kjo nuk duhet të përbënte problem apo konfuzion.

Maturantët fitues për çdo program studimi përcaktohen nëpërmjet një procesi në të cilin angazhohen dy institucione arsimore në vend : Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Sfida më e madhe e këtyre institucioneve është që të sigurojnë sekretim, transparencë dhe saktësi gjatë gjithë hapave të procesit që njihet publikisht si “Matura Shtetërore”.

Rruga për në Universitet ka logjikë të thjeshtë: maturanti hedh dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje; plotëson formularin e pranimit në universitet, ku ka jo pak, por 10 mundësi për të zgjedhur degët ku ai dëshiron të studiojë; numri 1 përbën degën që studenti i ardhshëm ka më shumë dëshirë, dhe numri 10 atë që ai ka më pak qejf, edhe pse brenda rrethit të  profesioneve që mendon se i përshtaten.

Pas çdo provimi të maturës, AVA korrigjon provimet dhe publikon rezultatet. Nga ana tjetër, APRIAL regjistron kërkesat dhe bashkëngjit pikët e fituara pas çdo provimi, për çdo nxënës në vend, që ka aplikuar për të drejtë studimi në universitetet publike.

S’janë pak. Çdo vit variojnë nga 25-30 mijë maturantë, me nga 10 preferenca secili, i bie që AVA dhe veçanërisht Aprial të merren me 300 mijë hedhje pikësh e sistemime pozicionesh në listat e kandidatëve çdo vit.

Detyra e ngarkuar nuk është fare e lehtë. Çdo verë APRIAL organizon dhe realizon procesin e pranimeve në institutet e arsimit të lartë publik; përgatit bazën e të dhënave me të gjitha rezultatet e maturantëve (merita) dhe kërkesave të tyre për programet e studimit të ofruar (preferenca).

Vlerësimi i maturantëve ka fituar një farë qëndrueshmërie dhe si nxënësit, ashtu edhe prindërit, media dhe publiku e kanë kuptuar si proces. Vështirësia qëndron tek preferencat, kombinimi i tyre me meritën dhe konfuzioni në degën ku përfundimisht fiton të drejtën e studimit maturanti.

As kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar. Nëse paraqitet e tillë, do të thotë që maturanti mbase nuk i plotëson fare kushtet të hyjë në universitet, përderisa nuk arrin të kuptojë as sistemin që e lejon të futet aty.

Maturantëve iu jepet mundësia të plotësojnë një formular ku janë pasqyruar të gjitha programet e studimit që ofrojnë universitetet publike, dhe mes tyre, çdo nxënës duhet të zgjedhë jo një, as dy, as pesë, por plot 10 degë, të renditura sipas preferencës personale dhe pavarësisht numrit të pikëve që nxënësi merr, është pikërisht preferenca ajo që do të merret parasysh në klasifikimin përfundimtar të fituesve.

Ç’do të thotë kjo? Nëse një maturant në Shëngjin arrin të marrë 4100 pikë, dhe ka renditur në preferencat e tij: Juridik, Shkenca Politike, Punë Sociale, Psikologji, Ekonomik, Gazetari, Mjekësi të Përgjithshme, Inxhinieri telekomunikacioni, Informatikë dhe Stomatologji, të gjitha për në Universitetin e Tiranës, me shumë gjasa, ky nxënës ngelet pa të drejtë studimi, sepse të gjitha këto degë janë në Tiranë, ku synojnë të vijnë të gjithë studentët. I fundit që kualifikohet për këto degë nuk zbret nën 5500 pikët.

Ndërkaq, në Universitetin e Shkodrës, fituesit e degës Juridik mund të kenë edhe 3500 pikë, por maturanti që u mor shembull ngelet pa studiuar drejtësi, edhe pse Me 4100 pikë. Pse? E thjeshtë. Sepse ai nuk e ka përfshirë Shkodrën në asnjërën nga 10 preferencat e tij.

Shembull tjetër: Një maturant mbi mesataren ka kapur 5200 pikë dhe renditja në shkallë vendi e ka nxjerrë atë fitues në degën e Informatikës, që ai e ka renditur të pestën në listën e preferencës. Para saj ka Mjekësi, Ekonomi, Shkenca Politike dhe Inxhinieri elektronike.

Bëhet regjistrimi i parë i studentëve fitues, i detyrueshëm për të gjithë. Maturanti i marrë shembull, regjistrohet aty ku ka kapur pikët fituese, në Informatikë, në Tiranë.

Mbarojnë regjistrimet. Çdo vit, 2500-3000 studentë, edhe pse kanë aplikuar në vend, shkojnë më studime jashtë, dhe nuk regjistrohen. Po kështu, nuk regjistrohen as ata që s’kanë fituar degën e preferuar dhe zgjedhin të shkojnë në universitet privat. Kjo do të thotë se ngelen vende bosh në secilën degë.

Në vazhdim të shembullit, zëmë se në degën ekonomik nuk janë regjistruar 25 studentë. Kjo bën që viza e fituesit të zbresë 25 vende poshtë dhe të shkojë deri tek studenti që ka 5050 pikë. Pra, gjithkush që ka marrë këto pikë dhe e ka ekonomikun në preferencë të lartë, pas përllogaritjes matematikore të APRLAL-it, rezulton fitues dhe shpallet kështu. I tillë është edhe studenti që ne marrim shembull. Ai ka 5200 pikë, dhe ekonomikun e ka të renditur të dytin në listën e preferencës. Automatikisht, ai është fitues i një dege që në listën e tij të preferencës, ka përparësi ndaj Informatikës ku ai u shpall fitues në raundin e parë.

Kjo zhvendosje pozicionesh rregullohet automatikisht. Sekretaria e fakultetit ku studenti është regjistruar, njofton se ai figuron tashmë fitues në një preferencë të tijën më të lartë; rrjedhimisht, c’regjistrohet nga fakulteti i parë.

Këtu preferenca nuk diskutohet më. Nxënësi është i detyruar ta lërë informatikën dhe të lëvizë për tek ekonomiku, sepse ai qëndron më lart në renditjen e preferencave të tij personale për degët e studimit. Jo se nxënësi nuk është i lejuar të ndryshojë mendje, por këtë ai duhet ta bëjë përpara se të plotësojë e të dorëzojë formularin meritë-preferencë. Janë mijëra e mijëra studentë në të gjithë Shqipërinë. Nëse të gjithë do të ndryshonin mendim e do të donin të vazhdonin më mirë Arkitekturën që e kanë të shtatën, sesa Mjekësinë, ku kanë dalë të tretët, si do të menaxhohej gjithë ky kaos? Sistemi është i kompjuterizuar dhe lëvizjet bëhen vetëm në serverin qendror, në APRIAL. Maturantët i kanë të gjitha të drejtat, dhe madje shumë më bujare sesa duhet të jenë.

Është nxënësi ai që duhet të kuptojë sistemin, t’i masë pulsin vetes, të jetë i ndershëm me të e ta plotësojë formularin nga 1-shi dhe 10-ta duke ditur vërtet se sa ka mundësi të arrijë në provime, e jo sa e gënjen mendja se vlen.

Gjithashtu, mendja si kofini pas të vjelave nuk mund të ndryshohet. Nëse i hyn një rruge akademike, 18 vjeç është moshë mëse e pranueshme për të shpresuar se njeriu di të zgjedhë e të rendisë, pa pasur nevojë të ndryshojë mendje sikur të ishte parashkollor 5-vjeçar.

Është e mirë-kuptueshme dëshira e të gjithë nxënësve të vijnë në kryeqytete, dhe e të gjithë prindërve që fëmijët t’u bëhen arkitektë, juristë e ekonomistë. Por të atillë mund të bëhen vetëm nëse: 1) e meritojnë, 2) dinë si ta rendisin degën duke krahasuar mundësinë për ta arritur atë.

Është e lehtë të jesh skeptik, kritik dhe dyshues për sistemin e vlerësimit dhe pranimit. Personalisht mendoj se sistemi është shumë zemërgjerë. Mbase as 40% e maturantëve nuk meritojnë të shkojnë në universitet. Por kjo është tjetër çështje.

Duke ndjekur nga afër përkushtimin dhe orët e gjata të kolegëve si për vlerësimin, ashtu edhe përpunimin e të dhënave për të nxjerrë fituesit e degëve studimore, më duket e padrejtë që të paktën, të mos e kuptojmë se c’punë kolosale bëhet në këto dy institucione të Ministrisë së Arsimit.

Shqiptarët, prindër, nxënës apo publik qofshin, kanë një ego që del e tepron për gjithë rajonin. Jo gjithmonë kanë të drejtë, dhe jo gjithmonë fajin e ka Ministria, AVA, Apriali, shkolla apo universiteti. Më shumë se të gjithë këta bashkë, barra e suksesit apo mos-suksesit drejt universiteteve, bie direkt mbi vetë nxënësit. Në pjesën dërrmuese të tyre, po. Rastet e veçanta (se gabimet njerëzore janë), kanë vend për trajtim të veçantë. Për tablonë e përgjithshme, sistemi meritë-preferencë është i qartë dhe i saktë. Të kuptuarit e saj përbën pikën fillestare që të lejon të marrësh vësh nëse vlen apo jo për të shkuar në Universitet.

Personalisht, akoma më duket sistem shumë bujar!

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Arsim. Tags: .

Dorëheqja, virtyt i panjohur në Shqipëri Shpërfytyrimi femëror i politikës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
October 2010
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: