Shpërfytyrimi femëror i politikës

12/10/2010 at 18:52 Leave a comment

Vizat. Kufijtë. S’ka më kufij. Ka, ka kufij, por mund të kapërcehen. Po me çfarë? Për se? U hoq kyçi i derës, nga jashtë e nga brenda, po tani? Ç’do bëhet me këtë liri të kufizuar?

Asgjë. Do i thurim lavde kryeministrit, edhe pse me shumë gjasa, të papunët do vazhdojnë të ngelen të papunë, e të harruarit do izolohen edhe më tepër në harresë.

Na tha “vend i korruptuar” Europa. Ç’nuk ka tha. Edhe Amerika na u shpreh e zhgënjyer se dogjëm miliona dollarë që t’i rifitonte përmes Shqipërisë. Opozita as që e vuri ujin në zjarr. 16 milionë dollarë janë karamele Zana, nga ato që kanë filluar të ri-dalin në qarkullim. (si shumë gjëra të tjera).

A e di politika c’ndodh në Shqipëri? Po Shqipëria, a di c’ndodh në politikë?

Për momentin nuk duket se palët kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën (jo se janë shquar për afrimitet shembullor ndonjëherë më parë). Por thjesht, së fundmi, kur ndryshimet ndodhin e kanë filluar të pasqyrohen të gjitha drejtpërdrejt, politika vazhdon t’i bjerë fyellit në një birë: “Unë të akuzoj ty”. Kundrinori ndryshon. Herë është Edvin Kristaq Rama, herë Albana Vokshi, herë Majlinda Bregu, herë Tan Lepuri e herë kopeja e të tërëve bashkë. Por kryefjala është përherë femër. Gjithmonë e më shumë, femër! Në kërkim të vëmendjes dhe nxjerrje së muskujve politikë. 

Medias iu zu fryma duke rendur pas akuzave. Deklarata, të prera, me turinj të varur, me gjuhë vulgare, nga njerëz vulgarë.

Shqiptarët mezi presin të ikin nga ky vend, jo gjithaq me shpresën se mos i pret parajsa pas dere, por me domosdoshmërinë për t’u larguar nga koshi i plehrave ku ndajnë jetesën së bashku me plehrat e ri-ciklueshme të këtij vendi. Këta të fundit vijnë vetëm nga politika. Kryesisht nga ajo. Ose drejtohen për aty.

Janë njerëz që hanë jo vetëm paratë, por edhe pacipësinë. Akuzat me fytyrat e neveritshme që dalin në ekran, nuk janë më vetëm të lodhshme. Ato janë të pështira.

Me të kuq buzësh, pa të kuq buzësh, me dhëmbë të vënë apo të rënë, me fytyrë burri apo gruaje në burrë, të gjitha akuzat e ndërsjella që qarkullojnë në ekranet shqiptare janë bërë gangrenë për familjet tona.

Shqiptarët duan të dinë cili është përfitimi prej ç’kufizimit, trumbetuar me të madhe si arritje personale e qeverisë? Se lëvizja e lirë është e drejtë e mohuar, jo privilegj i falur për shqiptarët.

Ku do punojnë dhjetëra mijëra studentët që diplomohen çdo vit? Ku do gjejnë punë një milionë shqiptarët që s’banojnë në Tiranë e që nuk punojnë në administratë? Si do rregullohet tregu i punës, shërbimi shëndetësor, mësimdhënia, sistemi gjyqësor? Si mund të besojmë tek opozita e t’i japim votën nesër, kur ajo sot nuk voton për krijimin e një gjykate që supozohet të rregullojë kaosin në botën e biznesit? Këto na duhen. Po kush merret me to?

“Unë të akuzoj ty, Edvin Kristaq Rama, se edhe ato flokë që ke, i ke të mbjellë, dhe të kushtojnë 100 mijë dollarë” – ulërasin trimëreshat e Partisë Demokratike.

“Unë i bëj thirrje kryeministrit të heqë nga puna ministren e tij, se komshia e gruas së dajës së vet ka lidhje me një kriminel marsian” – kakaris PS-ja.

“Unë ju akuzoj të dyjave ju, gjinia femërore, bashkë me pjesën tjetër të kotecit, se na i mërzitët veshët ca si shumë. Sado të kakarisni, krahët të prerë do i keni, maksimumi deri tek objektivi i ndonjë kamere mund të arrini, por jo më larg” –  mundohen të ndikojnë edhe nga varietetë e humorit.

Po femrat dalin edhe vullnetare me sa duken nga toni i zërit. Mesazhet për neverinë që sjell prania e akuzave të ndërsjella në ekran ka shpërthyer më keq se uji i shirave të Tetorit, e këto hiç. Vazhdojnë të kakarisin me gjithë shëmtinë që mbartin.

Po prokurori, gjykata e sistem drejtësie, pse paskemi ngritur këtu, kur të gjitha u zgjidhkan duke folur me ushtrinë e kamerave?

Është e kuptueshme që pak publicitet është i nevojshëm, edhe kur është negativ, ama jo kaq i shëmtuar, se është shndërruar në neverinë e ditës. Po të mos kishim në ekran lajthitje të tipit akuza publike, thirrje për protesta, thirrje për largime, thirrje për mos-votim iniciativash në shërbim të publikut, apati personale e politike nga shumëkush që del në ekran, mbase shqiptarëve nuk do t’iu kishte bërë fare përshtypje heqja e vizave.

Probleme personale e prapambetjeve të zhvillimit të këtij vendi i rrinë mbi kokë çrregullimet personale që kanë përfaqësuesit e zgjedhur prej tij. Prandaj vendi ngjan i pashpresë.

Ah, sikur vizat të ishin më mirë bileta një-kalimëshe për të gjithë ekran-dashuruesit e politikës. Atëherë asnjë shqiptar s’do kishte nevojë të kërkonte me ngulm lëvizjen.

Po shëmtia e politikës vërtet ka kapërcyer edhe vetë vajzën e Fantocit. Shoqet e saj e kanë shndërruar të tillë.

E trishtë, se mundësitë i kanë për tjetër imazh.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Koment, Shqiptarizëm. Tags: .

Merita drejton preferencën Albania, arrë, shegë dhe lajthi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2010
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: